Edhe pse diagnostikimi i ndonjë sëm,undje të caktuar është një lajm negativ, për personat e diagnostikuar me Celiac diagnoza e saktë do të thotë fund i problemeve. Celiac është sëmundje gjenetike autoimune e cila shfaqet nga konsumimi i ushqimeve të cilat përmbajnë gluten. Personat me sëmundje Celiac, trupi glutenin e njeh si trup i huaj dhe fillon të reagojë duke i sulmuar qelizat e veta. Termi gluten në interpretimin laik ka të bëjë me proteinën e grurit, thekrës, elbit i cili është i pranishëm në kombinime të ndryshme të përbërësve të tij – proteina bimore prolamine dhe glutenine.
Me më shumë se 300 simptoma, sëmundja celiac është një kusht i vështirë dhe i komplikuar për tu diagnostikuar. Një numër i madh i pacientëve i ndjejnë simptomat me vite të tëra edhe pse nuk kanë diagnozë të përcaktuar. Enden nga një doktor tek një tjetër për të gjetur shpëtim për gjendjen e tyre. Konsiderohet se kjo sëmundje shfaqet atëherë kur inkurajohet nga gjendje të tjera shëndetësorë, si infeksioni viral, shtatzënia, lindja apo stresi emocional.
Simptomat e sëmundjes Celiac
- Gazra, fryerje dhe dhimbje barku
- Kapsllëk ose jashtëqitje të hollë
- Nervozizëm dhe ndryshim i sjelljes tuaj
- Ethe
- Lëkurë e ndjeshme
- Dhimbje kyçesh
- Humbje peshe
- Cikël i çrregullt menstrual
- Kocka të dobëta të cilat mund të thyhen
- Rritje e ngadalëshme
Këto simptoma ndryshojnë në mënyrë individuale. Disa persona të prekur nga kjo sëmundje nuk kanë asnjë simptomë të jashtme. Personat me faktor rreziku, të cilët kanë në familjen e tyre anëtar që vuan nga kjo sëmundje, duhet patjetër të kontrollohen edhe nëse simptomat nuk janë të pranishme.
Trajtimi – dietë pa gluten
Me anë të dietës pa gluten kjo gjendje vihet nën kontroll. Futja e ushqimit pa gluten në organizëm është diçka e re me të cilën duhet të mësoheni. Në fillim mund të ndjeni se jeni të kufizuar me ushqimin, veçanërisht nëse nuk keni simptoma të theksuara. Por do të surprizoheni vërtetë kur të kuptoni se sa ushqime ekzistojnë pa përmbajtje të glutenit. Frutat, perimet, veza, peshku, kërpudhat, mishi, produktet e qumështit, një pjesë e drithërave farëzezë, bishtajat … të gjitha këto produkte nuk kanë përmbajtje të glutenit. Zgjedhja është vërtetë e madhe. Por gjithësesi, para se të filloni me këtë praktikim, është mirë që të konsultoheni me një dietolog/ nutricionist, i cili do t’ju ndihmojë se si të përshtateni me mënyrën e re të të ushqyerit.