Mund të gjeni justifikime pafund për të mos kryer kontrolle të rregullta mamografike, por udhëhiquni nga fakti se kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më frekuente tek gratë. Dr. Maja Stojçevska Çapova , radiologe në spitalin klinik “Acibadem Sistina” shprehet se vetëm diagnoza e hershme shpëton jetë.
- Asnjë anëtar në familjen time nuk ka vuajtur nga kanceri i gjirit, kështu që as unë nuk do të vuaj nga kjo sëmundje – Është e vërtetë se një nga faktorët e rrezikut për shfaqjen e kancerit të gjirit është predispozicioni gjenetik, dhe në rast se njëri nga anëtarët e familjes është apo ka qënë i prekur nga kjo sëmundje, ka shumë të ngjarë që edhe ju ta trashëgoni këtë sëmundje, veçanërisht nëse të prekur në familjen tuaj kanë qenë nëna apo motra juaj. Por, pothiajse 85% e grave të cilat janë të prekura nga kanceri i gjirit, nuk kanë pasur asnjë histori familjare. Për të qenë të sigurt, është mirë që të kontrolloheni!
- Unë jam ende e re për tu prekur nga kanceri i gjirit – Kanceri i gjirit shfaqet më shpesh tek gratë të cilat i përkasin moshës mbi 55 vjeçare. Por, gjithësesi, kjo sëmundje mund të shfaqet edhe tek gratë më të reja. Kryeni vetëkontrolle të rregullta dhe bisedoni me doktorin tuaj për faktorët e mundshëm të rrezikut.
- Rrezatimi nga mamografia është i rrezikshëm – Rrezatimi që do të merrni nga mamografia është më i vogël se rrezatimi që do të merrnit nga udhëtimi me avion nga Europa në SHBA. Me siguri do të dëshironit të udhëtoni për në SHBA pavarësisht nga frika ndaj rrezatimit, prandaj, pranojeni edhe kontrollin mamografik. Mamografitë bashkëkohore dixhitale kanë rrezatim minimal, kanë rezolutë më të mirë dhe japin diagnozë më të saktë.
- Kam frikë nga diagnoza – Mos nxirrni konkluzione para kryerjes së kontrollit. Por edhe në rast se ju diagnostikojnë ndonjë ndryshim, ka mundësi që këto ndryshime të jenë beninje. Është mirë që në rast se filmimi mamografik ju diagnostikon në kohë ndryshime të dyshimta, doktorët do të ndërhyjnë menjëherë dhe rezultatet do të jenë në anën tuaj. Mos prisni që të jetë tepër vonë!
- Filmimi mamografik është tepër i shtrenjtë – Mos u mundoni për të gjetur justifikime se nuk mund të hiqni mënjanë nga buxheti juaj për të kryer kontroll mamografik një herë në dy apo tre vjet.
- A është e dhimbshme mamografia? – Kontrolli mamografik nuk është aspak i dhimbshëm. Gjatë kryerjes së kontrollit do të ndjeni vetëm një presion të lehtë mbi gji. Filmimi është i shkurtër, ndërsa presioni përdoret për të arritur një cilësi më të mirë të imazhit dhe për të përdorur një dozë më të vogël të rrezatimit.
- Nuk kam gjendra (kokrra) në gji – Edhe pse gjatë vetëkontrollit nuk keni ndjerë ndryshime apo kokrra në gjoks, kontrolli mamografik mund të zbulojë shumë tumore të vogla me madhësi prej 3-4 mm, të cilat nuk mund ti ndjeni apo ti dalloni gjatë vetëkontrollit.
- Jam tepër e zënë – Mundohuni të gjeni pak kohë, kontrolli mamografik zgjat vetëm 15-20 minuta. Shumë më tepër kohë do t’ju duhet për trajtim në rast se sëmureni.
- Gjinjt e mi janë shumë të dendur dhe kontrolli mamografik mund të mos jetë efektiv në diagnostikimin e kancerit të gjirit për shkak të dendësisë së tyre – Në rast se imazhi juaj mamografik nuk mund të lexohet për shkak të gjinjve tuaj të dendur, atëherë ju mund të kryeni kontroll me ultratingull.
- Nuk jam e rrezikuar – Ushqehem shëndetshëm dhe kryej ushtrime rregullisht – mënyra e shëndetshme e jetesës dhe kryerja rregullisht e ushtrimeve mund ta zvogëlojnë rrezikun e kancerit të gjirit, por gjithësesi nuk mund ta zëvendësojnë kontrollin.