Terapia e synuar (trajtimi i qëllimshëm) përfshin ilaçet të cilat përdoren për trajtimin e kancerit dhe vepron duke bllokuar mekanizmat specifike të qelizës kancerogjene. Dr. Sllavica Kraleva, onkologe radioterapiste në qendrën për onkologji dhe radiologji në spitalin klinik “Acibadem Sistina”, shpjegon se falë hulumtimeve të gjëra në lidhje me mekanizmat molekulare të cilat ndikojnë në krijimin dhe rritjen e qelizës kancerogjene, sot, ky lloj trajtimi është një histori e suksesshme e trajtimit të disa llojeve të kancerit.
Si ndikon?
Për të kuptuar se si ndikon terapia e synuar para së gjithash duhet të shpjegohet se si funksionon qeliza kancerogjene. Çdo ind dhe çdo organ është i përbërë nga qeliza. Qelizat vazhdimisht marrin sinjale në lidhje me rritjen e tyre, ndarjen dhe vdekjen e tyre. Shfaqja e këtyre sinjaleve brenda qelizave lidhet me gjene dhe proteina të ndryshme. Tek qelizat normale dhe të shëndetshme, çdo sinjal është i kontrolluar plotësisht.
Nëse shfaqet çrregullim i kontrollit për kalimin e sinjalit deri në brendësi të qelizave, shfaqet çrregullim i mekanizmave të cilat janë përgjegjëse për rritjen, shumimin, vdekjen e qelizave dhe shfaqjen e kancerit. Kjo shfaqet si rezultat i ndryshimeve gjenetike (mutacioneve). Terapia e synuar (target) ka për qëllim ti korrigjojë dhe modifikojë mesazhet e çrregullta të qelizave kancerogjene, me anë të të cilit ngadalësohet ose ndalohet rritja e pakontrolluar e tumorit.
Cili është qëllimi i këtij lloj trajtimi?
Në varësi të përhapjes dhe llojit të kancerit, terapia e synuar mund të përdoret për:
– Ngadalësimin e rritjes së kancerit
– Shkatërrimin e qelizave kancerogjene të cilat janë përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit
– Reduktimin e simptomave të shkaktuara nga kanceri
– Shërimin e plotë të sëmundjes
Dallimi ndërmjet terapisë së synuar dhe kimioterapisë
Terapia e synuar molekulare ndikon tek qelizat të cilat janë përgjegjëse për sëmundjen kancerogjene dhe nuk i dëmton qelizat dhe indet e shëndetshme. Kimioterapia si një trajtim standard, gjatë trajtimit të kancerit mundëson shkatërrimin e qelizave kancerogjene. Aktiviteti i saj citotoksik mund të shkjaktojë edhe dëmtimin e qelizave të shëndetshme të cilat kanë kapacitet për të riparuar, ndryshe nga qelizat kancerogjene të cilat nuk e kanë këtë mundësi. Ndryshimi ndërmjet kimioterapisë dhe terapisë së synuar, është në fakt mundësia që ka terapia e synuar për ti sulmuar vetëm qelizat kancerogjene, pasi është e synuar drejtë qëllimeve specifike që karakterizojnë vetëm qelizat kancerogjene. Si rezultat i kësaj dhe efektet anësore janë më pak të rënda në krahasim me ato të shkaktuara nga kimioterapia. Gjithësesi, duhet theksuar se terapia e synuar shpesh përdoret në kombinim me kimioterapinë dhe radioterapinë, me qëllim për të pasur një trajtim më të suksesshëm.
Si merret terapia e synuar?
Terapia e synuar mund të merret në formë tabletash apo kapsulash, të cilat pacientët i marrin në kushtet e shtëpisë, ose me anë të rrugës intravenoze në spital.
Kanceret të cilat mund të trajtohen me terapi të synuar
Shumica e kancereve mund të trajtohen me terapi të synuar: kanceri i gjirit, kanceri metastatik në stomak, kanceri metastatik kolorektal (gastrik), kanceri i mushkërive, melanoma.
Efektet anësore të terapisë së synuar
Terapia e synuar tolerohet mirë dhe nuk shkakton efekte anësore tipike të cilat janë të njohura tek kimioterapia, siç është rënia e flokëve, neveritje dhe të vjellat. Ilaçet të cilat përfshihen në këtë grup, karakterizohen me toksicitet për çdo individ dhe mund të shkaktojnë presion të lartë të gjakut, reaksione alergjike proteinuria dhe ndonjëherë edhe probleme gastrointestinale.