Dëmtimi i artereve të mëdha në qafë, të cilat e furnizojnë trurin me gjak, është një nga shkaqet kryesore të shfaqjes së infarktit në tru. Dr. Zharko Hristovski , kardiolog intervent këshillon se në spitalin klinik “Acibadem Sistina” si në asnjë vend tjetër të rajonit, ekziston mundësia e përqasjes së integruar me pjesëmarrje konsultative të shumë ekspertëve për zgjedhjen e mënyrës së vërtetë dhe të duhur të vendosjes së diagnozës, dhe për kryerjen e shqyrtimit të plotë të sëmundjeve të tjera shoqëruese, në përputhje me standardet më të larta botërore, duke ndjekur rekomandimet dhe duke zbatuar trajtimet më bashkëkohore të sëmundjes së arterieve karotide.
Arteroskleroza është një sëmundje e enëve të gjakut, muret e brendshme të të cilave dëmtohen me kalimin e kohës. Muri i tyre trashet, humbet elasticitetin dhe bëhet i thyeshëm. Arteroskleroza shkaktohet edhe atëherë kur në murin e artereve depozitohen yndyra duke bërë që hapësira e enëve të gjakut të ngushtohet dhe duke shkaktuar çrregullime serioze të qarkullimit të gjakut. Pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve, arteroskleroza është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare ( infarkti në zemër dhe në tru, sëmundja vaskulare periferike, arteroskleroza e veshkave, etj. ), pikërisht këto sëmundje janë shkaku më i zakonshëm i vdekjes në jetën moderne.
Kur flasim për infarktin në tru dhe shkakun e shfaqjes së tij, është e pamundër të mos përmendet sëmundja e arteries karotide (arteroskleroza) – dëmtimi iarterieve të mëdha në qafë, të cilat furnizojnë trurin me gjak. Ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së infarktit në tru (rreth 30%) është ngushtimi dhe bllokimi i arterieve karotide. Një rol tepër të rëndësishëm për shfaqjen e infarktit në tru luajnë ndryshimet e këtyre arterieve në pjesën e qafës, në pjesën e ndarjes së arteries karotide të përbashkët, të brendshme dhe të jashtme.
Përse kardiologët kujdesen ndaj ndryshimeve të arterieve karotide?
Sikurse përmenda, arteroskleroza është sëmundje, ndryshimet e të cilës manifestohen në pjesë të ndryshme, më saktë, shumë shpesh kemi përhapje të kësaj sëmundje në zona të ndryshme. Gjatë shqyrtimeve të enëve të gjakut, të cilat e ushqejnë muskulin e zemrës, është vërejtur një përqindje e lartë e ngushtimit të arterieve koronare dhe arterieve karotide në të njejtën kohë. Në këtë rast, mjeku kardiolog, në bazë të pamjes klinike dhe rezultatit angiografik duhet të përcaktojë një strategji përsa i përket trajtimit. Mënyra e kryerjes së angiografisë të arterieve karotide është identike me regjistrimin e arterieve koronare, por katetrat e kryerjes së regjistrimit të enëve të gjakut janë të projektuara pak më ndryshe. Me aplikimin e lëndës (agjentit) së kontrastit i bëjmë më të dukshme enët e gjakut, dhe në bazë të gjetjes (rezultatit) përcaktojmë metodën e terapisë. Mënyra tjetër për përcaktimin e gjendjes së arteries karotide është me anë të tomografisë kompjuterike ose rezonancës magnetike, ndërsa rrjedhjen e arterieve e përcaktojmë me ndihmën e ultrasonografisë dupleks.
Cilat janë mundësitë terapeutike gjatë ngushtimit kritik të arterieve karotide?
Në kontekst të asaj që përmendëm më lart, protokolli për kryerjen e trajtimit varet nga simptomat neurologjike, sëmundjet e tjera shoqëruese si dhe nga shumë faktorë të tjerë të cilët favorizojnë opsione të ndryshme të trajtimit. Një nga opsionet terapeutike është metoda konzervative, me anë të dhënies së ilaçeve të cilat reduktojnë aftësinë e gjakut për të krijuar trombe ( mpiksje të gjakut), ilaçe të cilat stabilizojnë mbështjellën e enëve të gjakut, dhe ilaçe të cilat e korrigjojnë nivelin e kolesterolit në gjak. Mundësia e dytë terapeutike është invazive dhe përfshin stentimin karotid. Kjo është një procedurë intervente, ku nëpërmjet katetrave nëpërmjet një rruge elegante dhe të sigurtë, zgjerohet segmenti i dëmtuar i arteries koronare në pjesën e qafës dhe vendoset protezë endovaskulare e quajtur ndryshe stent. Mundësia e tretë terapeutike është endarterektomia , në fakt një zgjidhje e problemit të arterieve karotide me anë të kirurgjisë.
Cilat janë mundësitë që ka spitali klinik “Acibadem Sistina” për trajtimin e sëmundjes së arteries karotide?
Në spitalin klinik “Acibadem Sistina” si në asnjë vend tjetër të rajonit, ekziston mundësia e përqasjes së integruar me pjesëmarrje konsultative të shumë ekspertëve për zgjedhjen e mënyrës së vërtetë dhe të duhur të vendosjes së diagnozës, dhe për kryerjen e shqyrtimit të plotë të sëmundjeve të tjera shoqëruese, në përputhje me standardet më të larta botërore, duke ndjekur rekomandimet dhe duke zbatuar trajtimet më bashkëkohore të sëmundjes së arteries karotide. Për këtë, kemi në dispozicion mjek të një niveli të lartë në fushën e neurologjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë vaskulare, neuroradiologjisë, radiologjisë intervente, si dhe një ekip të plotë kardiologësh. Aparatet të cilat i disponojmë në spitalin tonë dhe niveli i organizimit, mundësojnë arritjen e rezultateve të larta në trajtimin e sëmundjeve komplekse.