Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit. Këto lloje të kancerit shfaqen në pjesën sipërfaqësore të lëkurës, dhe mund të shërohen lehtësisht në rast se zbulohen në kohë. Lloji më i rëndë i kancerit të lëkurës është quajtur melanoma malinje, e cila zakonisht përhapet. Rrezet ultraviolet (rrezatimi UV) apo ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve të diellit, është një nga faktorët për shfaqjen e këtij lloj kanceri. Prandaj, para se ti dorëzoheni plotësisht diellit, mendoni për shëndetin tuaj.
Dielli është shkaku numër 1 i shfaqjes së kancerit të lëkurës
DR. Andrej Petrov, dermatovenerolog, shpjegon se rrezet ultraviolet , apo ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit, është një nga faktorët e shfaqjes së këtij kanceri.”Shkaqe të tjera për shfaqjen e kësaj sëmundje janë: përdorimi i solariumit, imunosupresioni, dëmtimi i sistemit imunitar i cili e mbron trupin nga bakteret apo substancat të cilat shkaktojnë reaksion alergjik; ekspozimi ndaj niveleve të larta të rrezatimit, si dhe kontakti me disa kimikate, siç është arseniku, hidrokarburet në katran, vajra apo tym” – shpjegon Dr. Andrej Petrov.
Cilët janë personat e rrezikuar?
Sipas Dr. Andrej Petrov, grupi i personave në vijim janë më të rrezikuar ndaj shfaqjes së kancerit të lëkurës:
- Personat me lëkurë tepër të bardhë, veçanërisht ata persona të cilët shpesh përjetojnë djegie dhe njolla gjatë ekspozimit më të vogël ndaj diellit
- Personat të cilët kanë flokë me ngjyrë të çelët dhe sy ngjyrë bojqielli apo ngjyrë jeshile
- Personat me çrregullime gjenetike të cilat e varfërojnë pigmentin, albinizëm apo me pigment ksiroderma
- Personat të cilët kanë vuajtur më parë nga kanceri i lëkurës
- Personat të cilët kanë nishanë jo të zakonshëm dhe të mëdhenjë që në lindje
- Personat të cilët kanë apo kanë pasur anëtarë në familjen e tyre që vuajnë nga kanceri i lëkurës
- Ata persona të cilët kanë pasur të paktën një djegie të rëndë nga dielli gjatë fëmijërisë së tyre, ose personat me djegie të cilat nuk kanë të bëjnë me rrezet e diellit
- Personat të cilët punojnë në ambiente të mbyllura dhe ekspozohen në diell vetëm atëherë kur merren me sport
Kanceri i qelizave bazore dhe skuamoze shaqet tek personat e moshuar, ndërsa melanoma është më e zakonshme tek personat më të rinj, veçanërisht në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës (duke filluar nga mosha 20-40 vjeç).
Simptomat e kancerit të lëkurës
Simptomat e kancerit të lëkurës varen nga lloji i kancerit i cili është zhvilluar. “Kanceri i qelizave bazale zakonisht duket si një gungë e lëmuar, në formën e një perle dhe shfaqet në atë zonë të lëkurës e cila është më e ekspozuar ndaj diellit (koka, qafa apo supet/shpatullat). Tek vetë tumori gjenden enë gjaku të dukshme, me shfaqje të shpeshtë të gjakderdhjes dhe zakonisht shfaqet si një plagë e pashëruar. Kanceri i qelizave skuamoze zakonisht shfaqet si një gungë e kuqe e përcaktuar mirë, e cila mund të shdërrohet në plagë dhe të shfaqë gjakderdhje. Nëse nuk trajtohet në kohë, ajo mund të zmadhohet. Pjesa më e madhe e melanomave malinje janë lezione të pigmentuara me ngjyrë kafe apo të zezë. Shenja të tjera të melanomës kanë të bëjnë me: ndryshimin e madhësisë, formës, ngjyrës së nishanit, shfaqjen e ndonjë nishani të ri në moshtë të thyer, apo e shoqëruar me dhimbje të përsëritur, kruarje, plagë apo gjakderdhje” – shpjegon Dr. Petrov.
Si trajtohet kanceri i lëkurës?
Trajtimi i kancerit të lëkurës varet nga lloji dhe faza e kancerit. Sipas Dr. Sllavica Kralevës, onkologe radioterapiste, zbatohen metodat e mëposhtme të trajtimit:
- Trajtimi kirurgjik: mënjanohet lezioni, si dhe pjesa e shëndetshme e lëkurës e cila gjendet më pranë lezionit. Fillimisht, kjo zonë mpihet me anë të ilaçeve, dhe më pas me anë të një thike të vogël mënjanohet kanceri.
- Kimioterapia, terapia e synuar dhe imunoterapia. Ekzistojnë ilaçe të cilat e shkatërrojnë këtë lloj kanceri. Kimioterapia mund të merret në formë orale ose me anë të venës. Kjo lloj terapie quhet trajtim sistematik, ku ilaçet nëpërmjet gjakut qarkullojnë në të gjithë trupin, duke mundësuar kështu shkatërrimin e të gjitha qelizave kanceroze në trup.
- Radioterapia: Me ndihmën e dozave të larta të rrezeve jonizuese, bëhet shkatërrimi i qelizave kancerogjene.
- Ngrirje (krioterapia)
- Gërryerje dhe djegie (Curettage and electrodessication )
Në trajtimin e kancerit të lëkurës, gjëja më e rëndësishme është trajtimi kirurgjik, dhe mënjanimi i lezionit me kancer. Përsa i përket kimioterapisë, përvoja e mëparshme ka treguar se nuk ka rezultate të mëdha në trajtimin e këtij lloj kanceri. Në mbarë botën po punohet intenzivisht për gjetjen e ilaçeve kimioterapeutike të cilat do të jenë më efektive në trajtimin e këtij lloj kanceri. Radioterapia mund të jetë efektive dhe zakonisht përdoret për tumoret të cilat shtrihen në shtresat më të thella të lëkurës.