Gjakderdhja në sistemin digjestiv, është simptomë e shumë gjendjeve dhe sëmundjeve. Shkaqet e gjakderdhjes janë të shumta. Duke filluar nga ndryshimet më të shpeshta inflamatore deri tek sëmndjet malinje. Dr. Toni Josifovski, kirurg digjestiv, shpjegon se gjakderdhja në sistemin digjestiv mund të jetë e dukshme me anë të të vjellave të përgjakura (hematemeza) ose nëpërmjet jashtëqitjes, e cila quhet melena. Kjo lloj gjakderdhje nëpërmjet jashtëqitjes mund të jetë e dukshme ose e padukshme.
Përse ndodh?
Shkaqet janë të ndryshme, në varësi të faktit se nga shfaqet gjakderdhja. Nëse shfaqet nga ezofagu, atëherë mund të shkaktohet nga:
- Ezofagiti dhe refluksi gastro-ezofageal – Acide nga stomaku të cilat kthehen në ezofag të cilat mund të shkaktojnë irritim dhe inflamacion, gjë e cila më pas mund të shkaktoj gjakderdhje.
- Venat / variçe – këto janë vena tepër të zgjeruara, të cilat gjenden në pjesën e poshtme të ezofagut, ose në pjesën e sipërme të barkut. Ato mund të shpërthejnë dhe të shkaktojnë gjakderdhje. Ciroza e mëlçisë është shkaku kryesor i variçeve të ezofagut.
- Sindromi i „Mallory Weiss“ gjakderdhje e cila shfaqet nga shpërthimi i pjesës së sipërme të stomakut, kjo si pasojë e të vjellave të shpeshta.
Gjakderdhja në stomak mund të shkaktohet si pasojë e:
- Gastritit – inflamacionit në bark. Alkoli dhe disa lloje ilaçesh të cilat përdoren për lehtësimin e dhimbjeve, mund të jenë shkak për shfaqjen e gastritit.
- Ulçerës – e cila ka të bëjë me dëmtimin e membranës mbrojtëse të stomakut dhe është në kontakt të vazhdueshëm me acidet dhe enzimat në stomak. Si komplikim mund të shfaqet edhe gjakderdhje e cila mund të kërcënojë jetën e njeriut.
- Kancerit në stomak
Gjakderdhja në pjesën e poshtme të sistemit digjestiv (zorrës së trashë, rektumit dhe anusit) mund të shkaktohet nga:
Hemoroidet: janë shkaku kryesor i shfaqjes së gjakderdhjes së dukshme në pjesën e poshtme të traktit digjestiv, e cila shfaqet me një ngjyrë të kuqe të lehtë. Hemoroidet janë vena të zgjeruara në zonën e anusit, të cilat mund të shpërthejnë dhe të shkaktojnë gjakderdhje të cilën mund ta dalloni edhe në letrën higjenike.
Fisuret anale: janë pjesë të dëmtuara të mukozës së anusit, të cilat janë shumë të dhimbshme dhe shkaktojnë gjakderdhje.
Poliper në zorrën e trashë : këtu rritje (mishra të huaj)në zorrën e trashë me kalimin e kohës shndërrohen në kancer. Kanceri kolorektal mund të shkaktojë gjakderdhje.
Infeksionet në zorrë: inflamacioni dhe diarrea e përgjakshme mund të shfaqen si pasojë e infeksioneve në zorrë. Koliti ulçeroz dhe sëmundja Crohn janë sëmundje inflamatore të cilat mund të shkaktojnë gjakderdhje në sistemin digjestiv.
Divertikulat: janë sëmundje të cilat shkaktohen nga divertikulat, qese të vogla të cilat formohen jashtë murit të zorrës së trashë.
Problemet me enët e gjakut: me plakjen e njeriut, enët e gjakut në zorrën e trashë mund të shkaktojnë gjakderdhje.
Koliti ishemik: kjo do të thotë se qelizat e zorrëve nuk marrin mjaftueshëm oksigjen. Manifestohet me dhimbje barku dhe me diarre të përgjakshme.
Si manifestohet?
Tek simptomat e mundshme përfshihen:
- Të vjella gjaku ( hematemeza)
- Jashtëqitje e zezë katran ( melena)
- Gjak i dukshëm nga rektumi ( rektoragjia)
Jashtëqitja me ngjyrë të zezë katran zakonisht ndodh si pasojë e gjakderdhjes në pjesën e sipërme të sistemit digjestiv (stomaku apo duodenumi), ndërsa ngjyra e zezë është nga gjaku i cili është i ekspozuar ndaj acideve në stomak. Tek pacientët të cilët kanë gjakderdhje për një kohë të gjatë në sistemin digjestiv, mund të shfaqen edhe simptomat e anemisë, lodhjes, zbehjes, dhimbjes në kraharor dhe marramendjes. Gjithashtu, si pasojë e humbjes së madhe të gjakut, mund të shfaqen edhe rrahje të shpeshta të zemrës, presion i ulët i gjakut, duar dhe këmbë të ftohta dhe të njoma.
Si zbulohet?
Nëse vëreni çfarëdo lloj gjakderdhje, paraqituni menjëherë tek mjeku. Mund t’ju rekomandojnë që të bëni kolonoskopi, angiografi selektive, rezonancë magnetike apo tomografi kompjuterike.
Trajtimi
Në varësi të gjakderdhjes dhe të diagnozës, ndryshimet në sistemin digjestiv mund të trajtohen me mënyrë konzervative me metoda intervenuese ose me lidhje në vendin e dukshëm të gjakderdhjes. Këto dy metoda zakonisht aplikohen për trajtimin e pjesës së sipërme të sistemit digjestiv ezofagut, stomakut dhe duodenumit. Në disa raste të caktuara, gjakderdhja mund të ndërpritet edhe me anë të embolizimit të enës së dukshme të gjakut. Në rast se këto metoda nuk japin rezultat, aplikohet trajtimi kirurgjik. Sot, ekzistojnë shumë teste me anë të së cilave mund të zbulohet gjakderdhja e fshehur. Rekomandohen të gjithë pacientët që gjatë kontrollit laboratorik rutin, në rast se kanë gjak të dobët dhe rënie të hekurit të këshillohen me mjekun e tyre familjar.