Dhimbjet e rritjes tek fëmijët

Ndonjëherë ndodh që fëmijët e vegjël papritur të ndjejnë dhimbje të forta në pjesën e këmbëve (zakonisht kur rriten shpejtë). Nuk kanë ëjntje, nuk kanë skuqje, lëvizjet i kanë të rregullta, por fëmijët ankohen për shfaqje të dhimbjes në pjesën e muskujve të këmbëve. Fëmijët ndonjëherë qajnë nga dhimbja, ajo ndonjëherë është aq e forte saqë mund ti zgjojë nga gjumi dhe e gjithë kjo situate duket dramatike. Këto dhimbje mund të përsëriten, dhe prindërit në moment paniku urgjentisht drejtohen tek mjeku për të kryer kontroll. Dr. Maja Kaliçanin Markovska, specialist në kirurgjinë ortopedike, iu përgjigjet pyetjeve më të shpeshta të prindërve në lidhje me shfaqjen e dhimbjeve gjatë rritjes tek fëmijët.

Në cilën moshë shfaqen dhimbjet?

Mund të shfaqen shumë herët, madje edhe në moshën 3 vjeçare, por zakonisht, tek shumica e fëmijëve shfaqen në moshën 5-12 vjeçare. Shumë rrallë mund të shfaqen pas moshës 12 vjeçare.

Përse shfaqen?

Në fakt, shkaku i vërtetë nuk është i njohur! Madje nuk ka të dhëna të forta të cilat tregojnë se rritja ka lidhje të drejtpërdrejtë me shfaqjen e këtyre dhimbjeve. Ajo që është e njohur dhe mëse e qartë është fakti që këto dhimbje shfaqen tek fëmijët të cilët gjatë ditës kanë qenë më shumë aktivë gjatë ditës – vrapim, hedhje apo kërcime, ngjitje-zbritje (gara sportive, stërvitje, lojra intensive). Gjatë stinës së dimrit këto dhimbje mund të shfaqen pas sportit me ski.

Ekzistojnë mendime të cilat thonë se kjo ka të bëj me një lloj “inflamacioni të muskujve”, për shkak të rritjes së përpjekjeve fizike.  Sipas disa mendimeve të tjera, indet e buta (muskujt, tendinat, fasciat) nuk mund ta ndjekin me të njejtin intensitet rritjen e gjatësisë të shpejtë të kockave / skeleti, dhe këto inde të buta, në vend që të rriten, tërhiqen me anë të të cilave ndodh edhe tërheqja e tepruar e enëve të gjakut dhe nervave të cilat kalojnë përmes tyre, dhe trupi I manifeston ato si dhimbje. Ato zakonisht shfaqen tek fëmijët të cilët kanë një kufi më të ulët të dhimbjes – të cilët tolerojnë më pak dhimbje, por jo gjithmonë bëhet fjalë për një rast të tillë. Kjo lloj dhimbje mund të shfaqet edhe tek fëmijët e “fortë“ dhe të durueshëm. Është treguar se fëmijët me dhimbje të shpeshta të rritjes kanë tendencë të kenë dhimbje koke dhe ndonjëherë edhe dhimbje abdominale (barku).

Si ti dallojmë ato?

Fëmijët zakonisht ankohen për dhimbje në formë ngërçi, apo tërheqje jot ë zakonshme të muskujve në pjesën e këmbëve. Gjithmonë ankohen për dhimbje të këmbëve, në pjesën e kofshëve (në pjesën e përparme) ose në pjesën e pulpës së këmbëve (pjesa e poshtme e muskulit të këmbës), ndënjëherë në pjesën e pasme të gjurit (por jo pjesa e përparme e gjurit). Dhimbja nuk shoqërohet me simptoma të tjera (temperaturë, ethe, lëvizje të kufizuar, skuqje ose ënjtje),pasi të kalojë dhimbja, fëmija sillet normalisht, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Sa shpesh shfaqen?

Ndonjëherë dhimbjet shfaqen shpesh, disa ditë me rradhë, dhe ndonjëherë mund të mos shfaqen për një kohë të gjatë. Ka ndryshime të mëdha individuale në shfaqjen e dhimbjes gjatë rritjes së fëmijës, por është tipike shfaqja e tyre disa herë në muaj, dhe ndonjëherë mund të ketë pauza të cilat zgjasin disa muaj, ndoshta edhe më gjatë (zakonisht ndjekin periudha të rritjes së shpejtë të lartësisë). Dhimbjet zakonisht shfaqen në mbrëmje ose gjatë natës duke i zgjuar fëmijët nga gjumi. Gjatë natës, tolerimi i dhimbjes është më i ulët, prandaj nuk është për tu habitur që e ashtuquajtura dhimbja e rritjes tek shumica e fëmijëve të shfaqet gjatë natës. Shumë rrallë shfaqet gjatë ditës. Interesant është fakti që pas një episodi me dhimbje gjatë natës, fëmija në mëngjes zgjohet normalisht, i gëzuar dhe sukur të mos ketë ndodhur asgjë, madje ndodh që fëmija të mos kujtohet aspak për episodin me dhimbje që ka kaluar gjatë natës.

Si gjendet diagnoza?

Lehtë! Mjeku gjatë bisedës me prindërit (historisë) dhe me anë të disa shqyrtimeve të thjeshta (kontrollit fizik) vendos diagnozën. Nëse nuk ka ndryshime në këmbë (ënjtje, skuqje, dhimbje gjatë prekjes, deformime) zakonisht nuk kërkohen ekzaminime të mëtejshme.

Kur ka nevojë për trajtim?

Dhimbjet tipike të rritjes nuk kërkojnë kontroll urgjent mjekësor, prandaj nuk është e nevojshme që të paraqiteni tek mjeku.

Si trajtohen?

Shumica e fëmijëve nuk kanë nevojë për terapi! Megjithatë, shumë fëmijë kanë dhimbje të forta,  dhe në raste të tilla është normale që ti jepni shurup apo ilaç kundër dhimbjes – ibuprofen ose paracetamol me dozë të ulët. Masazhet e lehta dhe ngrohja, ndonjëherë mund të ndihmojnë në vend të përdorimit të analgjezikëve. Rastet kur shfaqja e dhimbjeve në këmbë kërkojnë trajtim janë:

  • Nëse dhimbjet janë tepër të forta dhe të padurueshme, veçanërisht nëse nuk ka përmirësim pas marrjes së terapisë me analgjezikë, atëherë duhet të kërkoni ndihmë mjekësore (pa panik!)
  • Nëse fëmija ankohet se ka dhimbje të vazhdueshme vetëm në njërën këmbë apo vetëm në njërën zonë
  • Nëse ka shfaqje të shenjave si skuqje, ënjtje e shoqëruar me dhimbje apo kufizim të lëvizjes
  • Nëse ka rritje të temperaturës së trupit, ose nëse fëmija ankohet nga lodhja

Këto raste tregojnë se nuk bëhet fjalë për dhimbjet e rritjes, por që ekziston ndonjë shkak tjetër për shfaqjen e dhimbjeve, dhe në këtë rast mjeku do t’ju rekomandojë të bëni ekzaminime dhe kryerjen e kontrolleve shtesë. Por edhe në raste të tilla, zakonisht bëhet fjalë për gjendje beninje të cilat mund të shërohen lehtë.

Shpërndaj