Kjo gjendër e cila ka formën e një fluture dhe është e vendosur në pjesën e përparme të qafës, është përgjegjëse për sekretimin e hormoneve të cilat rregullojnë metabolizmin. Niveli i tyre optimal ndikon në funksionin e sistemit kardiovaskular, sistemit nervor , sistemit respirativ, sistemit të organeve të tretjes, gjithashtu luan një rol të rëndësishëm edhe në sistemin e riprodhimit, të njohura ndryshe si hormone gjinore apo seksuale. Pikërisht, për shkak të këtij ndikimi, prolemet me funksionin e gjendjes tiroide mund të jenë një nga shkaqet potenciale të sterilitetit. Prandaj, pamundësia për të mbetur shtatzënë është një nga arsyet përse duhet të paraqiteni tek mjeku për të kontrolluar funksionin e gjendrës tiroide.
Lidhja ndërmjet sterilitetit dhe funksionit jo të rregullt të gjendrës tiroide
Dr. Liljana Muratovska, specialiste në mjekësinë nukleare, shpjegon se në gjendrën tiroide krijohen dy hormone të rëndësishme trijodotironina (T3) dhe tiroksina (T4). Puna e tyre rregullon hormonin e tretë i cili sekretohet në hipofizë, në tru dhe quhet hormon tireostimulues (TSH). Në gjendje normale sekretimi i hormoneve është i rregullt, ndërkohë që problemet shfaqen atëherë kur gjendra prodhon më pak apo më tepër hormone tiroide. Në këtë mënyrë shfaqen çrregullime si hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi, dhe në përputhje me të shfaqet përshpejtim apo ngadalësim i metabolizmit.
Mos kryerja e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë të çrregullimit të gjendrës tiroide, mund të ketë pasoja negative përsa i përket fertilitetit tek gratë dhe tek meshkujt. Për funksionimin normal të testiseve dhe vezoreve është i nevojshëm edhe funksionimi normal i gjendrës tiroide. “Është vlerësuar se mosfunksionimi normal i gjendrës tiroide është çrregullimi më i zakonshëm endokrinologjik, dhe të dhënat e deritanishme tregojnë se gratë janë më të prekura madje 5-10 herë më shumë në krahasim me meshkujt”, thotë Dr. Çedomir Dimitrovski, endokrinolog.
Cikli menstrual dhe ovulimet e çrregullta
Kur gjendra tiroide prodhon më pak hormone krijohet gjendja e hipotiroidizmit. Simptomat të cilat e shoqërojnë këtë gjendje janë: humbja e oreksit me rritje të peshës trupore, lodhje, përgjumësi, depresion, dhimbje të muskujve, tharje të lëkurës dhe flokëve, kapsllëk, ënjtje në trup. Përveç kësaj, tek gratë shkakton edhe çrregullime menstruale (gjakderdhje menstruale të dobëta, ndonjëherë edhe ndërprerje të ciklit, sikurse dhe menstruacione të bollshme). Madje edhe në rast se ciklet menstruale janë të rregullta, ekziston mundësia e çrregullimit të fertilitetit për shkak të çrregullimit të ovulimit. Ajo çfarë është karakteristike në rastin e hipotiroidizmit është rritja e shpeshtë e nivelit të prolaktinës, hormon i cili stimulon prodhimin e qumështit të gjirit. Gjithashtu, mund të shfaqen edhe parregullsi në fazën luteale të ciklit menstrual, në periudhën e cila zgjat nga ovulimi deri në fillim të ciklit menstrual. Kjo fazë zakonisht zgjat 12-16 ditë gjatë të cilave rritet niveli i estrogjenit dhe progesteronit.
“Kjo ndodh për shkak se përgjatë shtatzënisë, metabolizmi përshpejtohet dhe gjendra tiroide me funksion të reduktuar nuk mund të ndjekë ndryshimet metabolike duke mundësuar kështu probleme të shtatzënisë. Përveç kësaj, hipertiroidizmi mund të shkaktojë probleme afatgjata të gjendrës tiroide tek nëna, dhe për shkak se hormonet tiroide janë të rëndësishme për zhvillimin e sistemit nervor të fëmijës, është i nevojshëm kontrolli i rregullt i tyre gjatë periudhës së shtatzënisë si dhe reagimi në kohë në rast të çrregullimit të tyre” , thotë Dr Muratovska. Në rastin e hipertiroidizmit, përveç simptomave si rrahjet e parregullta dhe të përshpejtuara të zemrës, dridhja, lodhja, diarrea, rritja e nervozizmit dhe ndryshime të gjendjes së humorit, shpesh shfaqen edhe çrregullime të ovulimit. Ato manifestohen si cikël menstrual jo i rregullt, zakonisht si cikël menstrual i vazhduar, i cili çon deri në pamundësi për të mbetur shtatzënë. Edhe në rast se realizohet shtatzënia, rreziku për të pasur abort spontan është shumë i lartë.
Problemet tek meshkujt
Çrregullimet tiroide, edhe pse rrallë, gjithashtu shfaqen edhe tek meshkujt, dhe mund të jenë shkak i infertilitetit mashkullor. Ndikojnë në reduktimin e epshit (dëshirës seksuale), potencës, mosfunksionimit erektil dhe në çrregullimin morfologjik të spermatozoideve. Shfaqen pothuajse të njejtat simptoma si tek gratë. Hipertiroidizmi tek meshkujt, manifestohet me çrregullim të nivelit të testosteronit dhe estrogjenit, dhe si pasojë e kësaj shfaqet gjinekomastia, e njohur ndryshe si rritje e gjoksit. Tek hipotiroidizmi mund të ketë rënie të nivelit të testosteronit dhe rritje të nivelit të prolaktinës, e cila ndikon në reduktimin e dëshirës dhe fuqisë seksuale tek meshkujt.
Diagnoza dhe terapia
Një nga arsyet përse është e nevojshme kryerja e kontrolleve të rregullta për funksionin e gjendrës tiroide, është fakti se në varësi të shkallës së çekuilibrimit hormonal, simptomat mund të jenë të lehta dhe çrregullimi i funksionimit të gjendrës tiroide mund të mbetet i pazbuluar për vite me rradhë. Madje edhe format më të lehta të sëmundjes së gjendrës tiroide mund të jenë shkak i pamundësisë për të mbetur shtatzënë. Vendosja e diagnosës së duhur bëhet me anë të ekzaminimit të mirë klinik, me anë të kontrollit të nivelit të TSH, T3 (ose FT3) dhe T4 (ose FT4) hormoneve në gjak dhe me anë të kontrollit me ultratingull në qafë. Me anë të diagnozës, përcaktohet edhe terapia e duhur. Për realizimin e shtatzënisë, është e rëndësishme që të përcaktohet niveli i antitrupave antiteroid (aTPO) dhe aTG) sepse është vërtetuar se abortet spontane shfaqen dy herë më shpesh tek gratë tek të cilat janë të pranishme këto antitrupa. Antitrupat tiroide nga gjaku i nënës kalojnë në placentë dhe ndikojnë negativisht tek fetusi duke shkaktuar humbjen e tij. Për këtë arsye, matja e nivelit të hormoneve tiroide dhe antitrupave tiroide duhet të përfshihen në paketën e testeve të infertilitetit.
Shenja e parë për të cilën duhet të alarmoheni është çrregullimi i ciklit menstrual, dhe të gjitha gratë të cilat kanë problem me ciklin menstrual duhet të testohen në kohë për funksionin e gjendrës tiroide. Grupet e rrezikuara janë nënat të cilat tashmë kanë pasur abort spontan, kanë rritje të nivelit të sheqerit në gjak, si dhe personat të cilët kanë predispozitë familjare ndaj sëmundjeve tiroide.
“Tek një numër i madh çiftesh të cilët janë paraqitur për ndihmë për shkak të pamundësisë për të arritur shtatzëni, një nga arsyet e infertilitetit ka qenë funksioni i parregullt i gjendrës tiroide tek një nga partnerët” – thotë Dr. Sllobodan Llazarevski, shef i qendrës për IVF në “Acibadem Sistina”.