I dëgjoni këshillat e mjekëve, shmangni ushqimet të cilat zakonisht ju shkaktojnë urth në stomak, keni reduktuar peshën trupore, flini në jastek pak të ngritur dhe përsëri keni problem me urthin në stomak. Por pyetja është nëse e keni ndërprerë pirjen e duhanit? Një studim i ri tregon se duhanpirësit kanë shumë gjasa për shfaqjen e urthit në stomak, në krahasim me ata të cilët nuk pijnë duhan. Urthi është në fakt shfaqja e kthimit të përmbajtjes nga stomaku në ezofag. Kjo gjendje shkakton thartirë dhe një lloj djegie pas kafazit (hapësirës) së kraharorit.
Lidhja ndërmjet duhanit dhe shfaqjes së urthit
Nikotina që gjendet tek cigaret, mendohet se e relakson hapjen në formë unaze të stomakut, duke lejuar në këtë mënyrë kthimin e ushqimit nga stomaku në ezofag. Kur kjo pjesë nuk është e mbyllur mjaftueshëm, thartirat e stomakut mund të kthehen përsëri shumë lehtë dhe të shkaktojë urth dhe djegie.
Cigaret shkaktojnë reduktim të sekretimit të pështymës, e cila luan rol të rëndësishëm në neutralizimin e thartirës (urthit) në stomak. Ky është një fakt tjetër i cili lidh pirjen e duhanit me shfaqjen e urthit në stomak. Pirja e duhanit, shumë shpesh lidhet me disa vese të tjera të këqija si pirja e alkoolit dhe e kafes, të cilat gjithashtu shkaktojnë urth në stomak. Një fakt tjetër që nuk është në favor të duhanpirësve është kollitja e cila mund ta përkeqësojë kthimin e urthit pasi me anë të kollitjes rritet presioni mbi muskujt e barkut.
Një arsye e mirë për të hequr dorë nga pirja e duhanit
Heqja dorë nga pirja e duhanit nuk ju garanton se në të ardhmen nuk do të keni përsëri problem me urthin, por gjithësesi vlen që ta provoni. Heqja dorë nga pirja e duhanit, sëbashku me reduktimin e peshës dhe eliminimin e faktorëve të tjerë të rrezikut, japin një kontribut tepër të madh në lehtësimin e këtyre simptomave. Rezultatet e studimeve të kryera kanë treguar se heqja dorë nga pirja e duhanit është më efektive tek personat me peshë normale trupore në krahasim me ata të cilët janë mbipeshë.