Vitet e fundit, kanceri i pankreasit është bërë një sëmundje aktuale në media pasi me këtë sëmundje janë përballur disa persona të njohur publikisht, ndër të cilët edhe themeluesi i Apple, Steve Jobs, si dhe aktori dhe kërcimtari Patrick Swayze. Për fat të keq ata e humbën betejën me këtë sëmundje të heshtur, e cila në hapat e saja të para nuk shfaq asnjë simptomë. Çfarë është kanceri pankreatik, cilat janë simptomat dhe mundësitë e trajtimit, në lidhje me këtë, në vijim na shpjegon Dr. Alen Jovçevski, kirurg abdominal në Spitalin klinik “Acibadem Sistina”.
Cili është roli i pankreasit?
Pankreasi është organ i cili gjendet në pjesën e sipërme të barkut , menjëherë prapa stomakut. Funksioni i tij kryesor është për ndarjen e ushqimit dhe prodhimit të hormoneve, duke përfshirë edhe insulinën e cila është përgjegjëse për rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Kanceri pankreatik ndodh atëherë kur qelizat malinje rriten, ndahen ose përhapen tek indet e këtij organi.
Simptomat
Kanceri i pankreasit bën pjesë në grupin e ‘sëmundjeve të heshtura’ sepse simptomat e sëmundjes nuk shfaqen menjëherë në fazat e fillestare të sëmundjes. Por me rritjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene, shfaqet dhe dhimbja nga pjesa e sipërme e barkut drejt shpinës. Intensiteti i dhimbjes rritet pas ngrënies ose gjatë shtrirjes. Simptoma të tjera janë verdhëza, të përzierat, humbja e oreksit, humbja e peshës trupore, lodhja, dobësi fizike dhe depresioni.
Shkaqet
Edhe pse shkaku i sakti i shfaqjes së kancerit pankreatik nuk është i njohur, konsiderohet se pirja e duhanit është faktori më i madh i rrezikut. Personat të cilët konsumojnë duhan, kanë dy herë më shumë gjasa për shfaqjen e kësaj sëmundje. Konsiderohet që një nga shkaqet të jetë edhe mosha, pasi kjo sëmundje, në shumicën e rasteve prek personat që i përkasin moshës mbi 40 vjeçare. Ndër faktorët e tjerë të rrezikut, përfshihet edhe diabeti, pankreatiti kronik, ceroza, mëlçia, predispozita gjenetike, rritja e futjes së yndyrës në ushqim, rritja e peshës trupore, si dhe mungesa e aktivitetit fizik.
Diagnostikimi
Sfidë për çdo mjek është diagnoza e hershme, sepse sëmundja nuk mund të diagnostikohet me një kontroll të thjeshtë. Për përcaktimin e saktë të diagnozës, është e domosdoshme kryerja e kontrollit me ultratingull ose me tomografi kompjuterike. Diagnoza përfundimtare gjendet me anë të biopsisë (marrja e mostrës së indeve kancerogjene).
Ndërhyrja kirurgjike
Trajtimi kryesor i mënjanimit të tumorit është ai kirurgjik. Me ndihmën e ndërhyrjes kirurgjike mund të kurohet kanceri pankreatik nëqoftëse nuk është përhapur nëpër indet përreth. Efektet anësore varen nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes. Operacioni mund të kryhet edhe atëherë kur tumori është tepër i madh. Nëse kanceri nuk mund të mënjanohet plotësisht me anë të operacionit, para se të kryhet operacioni , pacienti duhet të fillojë me kimioterapi dhe radioterapi me qëllim që tumori të zvogëlohet dhe ndërhyrja kirurgjike të përfundoj me sukses.
Kimioterapia
Pas kryerjes së operacionit, pothuajse tek të gjithë pacientët është e nevojshme kimioterapia dhe radioterapia. Kimioterapia ka për qëllim të shkatërrojë qelizat të cilat mund të shkaktojnë kancer, si dhe të ndalojë rritjen apo shtimin e tyre. Trajtimi mund të bëhet vetëm me një ilaç ose me disa ilaçe të kombinuara.
Terapia paliative
Terapia paliative përdoret për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga sëmundja dhe për të lehtësuar dhimbjet pavarësisht nga faza e sëmundjes. Qëllimi i kujdesit paliativ është për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientit.
Jeta me kancer pankreatik
Jeta me kancer pankreatik nuk është e lehtë, prandaj këta pacientë kanë nevojë për shumë mbështetje në mënyrë që të përballen më lehtë me vështirësitë e sëmundjes dhe trajtimin e saj.
Parandalimi
Edhe pse nuk ka një përcaktim të saktë sipas të cilit do të mund të parandalohej kanceri, përsëri, secili prej nesh duhet të përpiqet për të shmangur faktorët potencialë të rrezikut, të cilat mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjes. Nëse pini duhan, atëherë ndërpriteni atë menjëherë, ushqehuni shëndetshëm, shmangni ushqimet me yndyrë të tepërt dhe mundohuni të merreni me aktivitete fizike.