Rreziqet më të mëdha për shëndetin mashkullor

Një numër i madh studimesh kanë treguar se gratë i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit të tyre, paraqiten më shpesh tek mjeku dhe për këtë arsye jetojnë më gjatë. Meshkujt shëndetin e tyre e lënë gjithmonë pas dore, dhe gjëja e fundit që i’u vjen ndërmend është që të paraqiten tek mjeku për tu kontrolluar. Për aq kohë sa ata punojnë dhe janë produktivë, as që mendojnë për shëndetin e tyre. Mjekët e spitalit klinik “Acibadem Sistina” do t’ju zbulojnë 6 rreziqet më të mëdha lidhur me shëndetin e meshkujve.

  1. Sëmundjet kadiovaskulare

Sëmundjet e zemrës janë kërcënimi kryesor për shëndetin e meshkujve. Kontrolli kardiologjik, zakonisht përfshin elektrogramin, eko të zemrës dhe testin e stresit. Këto ekzaminime janë vërtetë të rëndësishme për përcaktimin e normës së zemrës si dhe për të diagnostikuar dëmtimet e saj. Në këtë kontroll është shumë e rëndësishme të vlerësohet rreziku koronar, pasi ky përcakton dhe gjasat e vuajtjeve të zemrës në 10 vitet e ardhshme. Nëse keni dhimbje në kraharor, vështirësi gjatë kryerjeve të aktiviteteve fizike, dhimbje dhe vështirësi të krahëve, të shpinës dhe të supeve, ndiheni të lodhur pa kryer aktivitete të rënda fizike, duhet patjetër të vizitoni mjekun kardiolog.

  1. Kanceri në mushkëri

Pirja e duhanit është kërcënuesi kryesor i vdekjes i cili zë 25% të rasteve të vdekjeve, ndikon në mënyrë fatale mbi çdo organ të trupit të njeriut dhe shkakton shumë dhimbje. Kanceri i mushkërisë është sëmundja më e zakonshme tek meshkujt, pothuajse 90% e arsyes së kësaj sëmundje është pikërisht pirja e duhanit. Kërkoni ndihmë profesionale nëse vuani nga këto simptoma: kollitje sezonale dhe nxjerrje e vazhdueshme e mukusit (sekrecion) për duhanpirësit me bronshit kronik, kollitje të shoqëruar me gjak, frymëmarrje me vështirësi, shpim në kraharor i cili përhapet drejt shpatullave tuaja. Në fazën e hershme të kancerit, njerëzit kanë humbje të oreksit, ndihen të dobët, humbasin peshë dhe djersë.

  1. Kanceri i prostatës dhe prostata e zgjeruar

Prostata është pjesë e sistemit riprodhues mashkullor. Nëse në moshë të re kjo është pjesë e seksualitetit të mashkullit, në vitet e mëvonshme të jetës ajo shndërrohet në një problem i pashmangshëm shëndetësor pothuajse për çdo mashkull. Një nga simptomat e zakonshme është problemi me urinimin, urinim i shpeshtë ose pamundësi për të urinuar. Simptomat e prostatës së zgjeruar janë shumë të ngjashme me simptomat të kancerit të prostatës. Kanceri i prostatës në faza të hershme nuk jep asnjë simptomë, nëse kjo sëmundje është në një fazë të përparuar shenjat e para janë dhimbje në shpinë dhe në shtyllën kurrizore. Për zbulimin e kancerit të prostatës në një fazë të hershme, rekomandohet skrining i prostatës për të gjithë meshkujt mbi moshën 40 vjeçare. Me kalimin e viteve rritet dhe rreziku i kancerit të prostatës.

  1. Depresioni

Depresioni është një çrregullim emocional i gjendjes së përgjithshme të shëndetit të njerëzve. Meshkujt të cilët vuajnë nga depresioni janë të prirur edhe ndaj zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Zakonisht, ata nuk i njohin simptomat e depresionit dhe mendojnë se bëhet fjalë për një dobësi momentale, duke mos i kushtuar rëndësi të veçantë kësaj gjendje. Prandaj, ata rrallë kërkojnë ndihmë nga mjeku. Nëse kjo gjendje nuk trajtohet në kohë, mund të përkeqësohet apo mund të dalë jashtë kontrolli. Depresioni mund të shkaktojë probleme në lidhje me shumë aspekte të jetës të tilla si shëndeti, karriera, mardhëniet me njerëzit, si dhe sigurinë personale.

  1. Diabeti

Diabeti zakonisht fillon në heshtje, pa simptoma, por me kalimin e viteve niveli i sheqerit në gjak rritet. Si rrezultat i urinimit të shpeshtë, etjes së vazhdueshme, rritjes së oreksit, lodhjes dhe mpirjes së gishtave , shumë persona kërkojnë ndihmë mjekësore. Një numër i madh i të sëmurëve (zakonisht me diabet tip 2)nuk kanë simptoma dhe shenja të sëmundjes, ajo zbulohet atëherë kur të jetë shfaqur ndonjë komplikim siç është goditja në zemër apo në tru. Diabeti diagnostikohet me analiza të thjeshta biokimike të cilat përcaktojnë nivelin e glukozës dhe hemoglobinës. Parandalimi luan një rol të madh, prandaj konsumoni shumë fruta dhe perime, bëhuni sportistë aktivë dhe kryeni kontrolle rregullisht.

  1. Mosfunksionimi erektil

Mosfunksionimi erektil (impotenca) tek meshkujt përkufizohet si paaftësia për të krijuar dhe mbajtur ereksion të mjaftueshëm për kryerjen e mardhënieve seksuale. Sipas të dhënave në nivel botëror mendohet se rreth 5 deri në 20% e meshkujve kanë një formë të kufizuar apo të rëndë të mosfunksionimit erektil. Është shqetësues fakti se një numër i madh i meshkujve të moshës mesatare vuajnë nga ky problem. Mosfunksionimi erektil është i lidhur me sëmundjet kronike si diabeti, por nëse kontrollohet niveli i sheqerit në gjak, rreziku zvogëlohet. Simptomat më të zakonshme janë ereksione të cilat janë shumë të buta për marrëdhëniet seksuale, ereksione të cilat janë të shkurtra për marrëdhëniet seksuale, ose paaftësi për të arritur ereksion.

Shpërndaj