Skanimi i kockave është një procedurë e specializuar e mjekësisë nukleare për identifikimin e zonave të ndryshimeve metabolike të kockave. Dr. Liljana Muratovska, specialist në mjekësinë nukleare, shpjegon se me anë të këtij ekzaminimi paraqiten aspektet metabolike të kockave apo rimodelimi i kockave të cilat nuk mund të zbulohen me anë të teknikave të tjera.
Si kryhet?
Fillimisht tek pacienti injektohet në mënyrë intravenoze një sasi e vogël preparati radiofarmaceutik, i cili nuk është i dëmshëm për shëndetin. Më pas pacienti skanohet me anë të kamerës spekt gama. Radionuklidi emiton një lloj rrezatimi të njohur si rrezatim gama. Bëhen projektime dy-dimensionale, me qëllim që të shikohen lezione të vogla (më të vogla se 1cm) veçanërisht në pjesën e shtyllës kurrizore, gjithashtu bëhet tomografi e kompjuterizuar (SPECT) e emitimit me një foton. Filmimi apo imazhi, kryhet 2-3 orë pas injektimit dhe zgjat rreth 30-60 minuta, në varësi të faktit nëse bëhen imazhe SPECT, ndonjëherë janë të nevojshme edhe filmime të mëvonshme. Rreth gjysma e materialit radioaktiv është e lokalizuar në kocka. Pjesët e trupit në të cilat akumulohet më tepër radionuklidi, shihen si “pika të nxehta” (hot spot) dhe mund të tregojnë kushte të tilla si tumore malinje të kockave, lezione sekondare metastatike të kockave, infeksione të kockave ose inflamacione, trauma, etj. Ndryshime të tjera mund të shkaktojnë reduktim të akumulimit të materialit radioaktiv ose efekte të “ftohta” të defekteve fotopenike. Rreth gjysma e materialit radioaktiv nxirret me anë të urinës.
Ku mund të përdoret?
Fushat më të zakonshme indikuese janë ankologjia dhe ortopedia. Në ortopedi përdoret për të treguar traumat në kocka, lëndimet sportive, identifikimin e infarktit të kockës, lirimin dhe infeksionin e protezave të kyçeve (nyjeve), nekrozë avaskulare, osteoma osteid, etj. Në onkologji përdoret për lokalizimin e tumoreve primare malinje të kockave, identifikimin e metastazave në kocka, vlerësimin e reagimit të terapisë.
Skanimi i kockës për zbulimin e metastazave të skeletit
Skanimi i kockave përdoret kryesisht në onkologji, për zbulimin e metastazave në skelet. Ndryshime të tilla në kocka mund të zbulohen me scintigrafi shumë më herët në krahasim me çdo metotë tjetër diagnostikuese, dhe zbulohen metastazat në të gjithë skeletin. Për shkak se qelizat e kancerit përhapen shumë shpejtë, në skanim ato shfaqen si zona të errëta. Kjo ka të bëj me rritjen e metabolizmit të kockave dhe ndërtimit të kockave në zonën e qelizave të kancerit. Skanimi i kockave, gjithashtu mund të përdoret për ndjekjen e kancerit para dhe pas trajtimit, me qëllim që të vlerësohet efekti i trajtimit. Tumoret të cilat metastazojnë më tepër në kocka janë: kanceri i prostatës, i gjirit, i veshkave i gjendrës tiroide dhe i mushkërive (Pb KeTtLe – prostate, breast, kidney, thyroid, lung). Përveç atyre me osteotropizëm të caktuar, skanimet e kockave kryhen edhe në rastin e melanomave gjinekologjike, gastrointestinale, apo në rastin e rritjes së parametrave biokimike siç është hiperkalcemia, rritja e fosfatazës alkaline, tumor markerit dhe gjatë dhimbjes së kockave.
Avantazhet
Avantazhet e skenografisë në krahasim me metodën e radiografisë kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e lartë, marrjen e imazheve të të gjithë skeletit me anë të një filmimi, vlerësimin e zonave radiologjikisht të vështira, të zonave të pa-arritshme siç janë brinjët, kocka e kraharorit dhe shpatullat. Skanimi nuk kërkon ndonjë përgatitje të veçantë nga ana e pacientit, nuk shkakton dhimbje, nuk është invaziv dhe nuk është i zhurmshëm sin ë rastin e rezonancës magnetike dhe nuk është klaustrofobik (i frikshëm).
Nuk ka efekte anësore
Sasia e radionukleideve të cilat injektohen në mënyrë intravenoze, është aq e ulët saqë nuk kërkon masa speciale përsa i përket mbrojtjes ndaj ekspozimit radioaktiv. Scintigrafia ka më shumë se 50 vjet që përdoret dhe deri tani nuk janë raportuar efekte anësore. Reaksionet alergjike janë shumë të rralla. Gjatë periudhës së shtatzënisë dhe laktacionit ekziston një kufi për kryerjen e skanimit të kockave.