Ulçera në stomak dhe në zorrën duodenale

Simptoma më e zakonshme është  djegia ose dhimbja ndërmjet zonës së kraharorit dhe stomakut. Zakonisht, dhimbja është më e fortë kur stomaku është i zbrazët dhe mund të zgjasë nga disa minuta deri në disa orë.

Ulçera e stomakut dhe zorrës duodenale është një dëmtim i kufizuar në mukozë i cili është në kontakt të vazhdueshëm me acidin e stomakut dhe enzimat. Shkalla e dëmtimit mund të jetë e ndryshme, duke filluar nga dëmtimet më të cekëta të quajtura erozione deri tek ato më të thella të cilat  arrijnë në shtresat e muskujve të cilat njihen si ulçera. Dr. Frosina Adamovska, mjeke kirurge në departamentin digjestiv, shpjegon se këto ndryshime mund të jenë individuale ose të shumëfishta (multiple). Këto sëmundje mund të trajtohen  lehtësisht, por gjithashtu trajtimi i tyre mund të jetë i vështirë në rast se nuk bëhet në kohë dhe në mënyrën e duhur.

Çfarë e shkakton?

Nuk ka dëshmi të qarta nëse stresi, ushqimet e parregullta dhe yndyrore janë shkak i drejtpërdrejtë i shfaqjes së sëmundjes së ulçerës. Nga mesi i viteve 1980, kryesisht besohej se faktorët e rrezikut për shfaqjen e ulçerës ishin: stresi, predispozitat gjenetike për sekretimin e tepërt të acidit në stomak dhe stili i jetesës në mënyrë jo të shëndetshme (erëzat, ushqimi i shpejtë dhe pikant, duhani, alkoli, kafeina). Hulumtimet e bëra kohët e fundit e lidhin ulçerën me praninë e bakteres  Helicobacter pylori, e cila është e pranishme tek 50% e personave. 80% e rasteve nuk kanë ndonjë simptomë, dhe në 20% të rasteve mund të shfaqet sëmundja e ulçerës. Shkaku i dytë i kësaj sëmundje është përdorimi i tepërt i ilaçeve të cilat përdoren për reduktimin e dhimbjeve (aspirina, diclofenac, ibuprofen dhe naproxen). Këto ilaçe duhet të përdoren në mënyrë të kontrolluar dhe me mbrojtje të caktuar. Mukoza e dëmtuar më parë (gastriti) gjithashtu mund të shkaktojë shfaqjen e ulçerës.

Simptomat

Simptoma më e zakonshme është djegia ose dhimbja në zonën ndërmjet kraharorit dhe stomakut. Zakonisht, dhimbja është më e fortë kur stomaku është i zbrazët dhe mund të zgjasë nga disa minuta deri në disa orë. Në shumicën e rasteve ndodh në mëngjes atëherë kur stomaku është  bosh dhe nuk qetësohet as pas marrjes së ushqimit, por qetësohet pas marrjes së ilaçeve. Dhimbja intenzivohet menjëherë ose 1 orë pas marrjes së ushqimit në rastin e ulçerës në stomak. Dhimbja që shkakton ulçera duodenale është e njëjtë dhe ndodh në mëngjes në stomak bosh, por  dhimbja qetësohet ose zvogëlohet pas marrjes së ushqimit. Simptoma të tjera karakteristike janë:

  • Fryerja në pjesën e sipërme të barkut
  • Gromësirat
  • Të përzierat
  • Thartirat
  • Të vjellat
  • Anemia
  • Humbja e oreksit dhe peshës trupore
  • Nëse vëreni jashtëqitje me ngjyrë të zezë, atëherë është e mundur që të bëhet fjalë  për një simptomë tjetër të ulçerës  e cila rrjedh gjak.
  • Faktorët e rrezikut

Faktorët më të zakonshëm të rrezikut janë mosha (pacientët mbi 40 vjeç), dëmtimi i mëparshëm i mukozës, situatat stresuese, predispozita gjenetike, infeksioni me Helicobacter pylori.

Vendosja e diagnozës

Me ndihmën e endoskopisë ose gastroskopisë, bëhet ekzaminimi i ezofagut, stomakut dhe duodenit. Nëse vërehen ndryshime të caktuara në ndonjë pjese të traktit digjestiv, mund të merret një pjesë e indit për kryerjen e ekzaminimit mikrobiologjik dhe histopatologjik. Prania e Helicobacter pylori mund të zbulohet me një test të shpejtë të ureazës. Ekzaminimet zgjasin shumë pak, kryhen me anë të anestezisë dhe janë shumë të rëndësishme përsa i përket diagnostikimit dhe terapisë.

Komplikimet dhe trajtimi

Trajtimi i ulçerës nënkupton zbatimin e këshillave të mjekut tuaj, përdorimin e rregullt të terapisë së përshkruar dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta. Trajtimi varet nga gjendja e ulcers, nëse zhvillohet në mënyrë akute me dhimbje të mprehta dhe të forta dhe me komplikime apo është proces kronik të cilin e kontrolloni. Në shumicën e rasteve, ulçera trajtohet me antibiotikë dhe ilaçe të cilat reduktojnë sekretimin e acidit në stomak. Kirurgjia përdoret në rastet e komplikuara të sëmundjes së ulçerës. Komplikimet të cilat mund të shfaqen janë gjakderdhja, e cila mund të shkaktojë anemi, më pas penetrimi (kalimi i ulçerës në një ind tjetër) ose shpimi (kur ulçera do të depërtojë murin e organit dhe ndodh derdhja e përmbajtjes së stomakut në zgavrën e lirë peritoneale) gjatë të cilit pacientët shpesh janë në gjendje të rrezikshme për jetën. Atëherë zbatohet intervenimi kirurgjik me anë të të cilit qepet apo bashkohet pjesa e shpuar, ndonjëherë bëhet heqja (prerja) e një pjese të stomakut. Në rastin e gjakderdhjeve, bëhet hemostaza lokale. Ulçera në stomak mund të shndërrohet në kancer të stomakut.

Shpërndaj