Vetëkontrolli

Vetëkontrolli është një pjesë e rëndësishme për zbulimin e hershëm të ndryshimeve të cilat mund të jenë shenjë e pranisë së sëmundjeve malinje. Këtu bën pjesë vetëkontrolli i gjinjve, testiseve dhe nishaneve, vetëkontrolle të cilat bëhen në një periudhë të caktuar kohore në kushtet e shtëpisë.

Gjiri

Çdo grua një herë në muaj duhet të bëjë vetëkontroll të gjinjve. Për vetëkontroll të suksesshme të gjinjve nevojiten dy faktorë: koha e duhur dhe teknika e duhur. Koha më e mirë për të bërë vetëkontroll është dy ditë pas përfundimit të ciklit menstrual, nëse keni cikël të rregullt menstrual, ndërkohë që gratë në menopauzë, kontrollin duhet ta bëjnë çdo muaj në datën e njëjtë. Nëse vëreni ndryshime, mos i analizoni vetë ato, menjëherë paraqituni tek mjeku dhe lejoni që ai t’ju bëjë të gjitha analizat e nevojshme. Praktikoni vetëkontrollin rregullisht pas moshës 20 vjeçare. Qëllimi i vetëkontrollit është përballja në kohë me ndryshimet, por edhe vetëdija për nevojën e kryerjes së kontrolleve të rregullta profesionale.

Testiset

Si çdo grua që medoemos duhet të bëjë vetëkontroll të gjinjve në një periudhë të caktuar, e njëjta gjë vlen edhe për popullatën mashkullore. Zakonisht, pas çdo dushi çdo mashkull duhet të bëjë vetëkontroll të testiseve. Nëse vëreni asimetri në madhësinë e testitit ose gjatë prekjes së ndonjë nyje të caktuar, d.m.th. fortësi (gjendër) në testis, menjëherë duhet të paraqiteni tek mjeku. Po ashtu, këto ndryshime mund të zbulohen edhe nga partnerja gjatë marrëdhënies seksuale. Sëmundja zakonisht shfaqet me rritje të testisit e cila nuk është e shoqëruar me dhimbje, ndërkohë që rrallë herë ndodh që testisi i sëmurë mund të ketë madhësi normale. Çdo ndryshim i testisit duhet të kontrollohet nga ana e urologut, i cili duhet të bëjë kontrolle plotësuese (shtesë). Mbi 95 %, tumoret e testiseve kanë karakteristikë malinje dhe shpesh prekin popullatën e re mashkullore deri në moshën 40 vjeçare të jetës.  

Nishanet

Shenja e parë e melanomës është ndryshimi në madhësi, ngjyra ose forma e nishanit ekzistues. Melanoma mund të paraqitet edhe si “shenjë” e re, që zakonisht duket si e pazakonshme, e zezë dhe me pamje të shëmtuar. Që të mbani mend se kujt duhet t’i kushtoni vëmendje përkujtohuni në 4 shkronjat nga abetarja “ABCD”:

*Asymmetry (asiemtria) – njëra gjysmë e nishanit është e ndryshme nga tjetra.

*Border (skajet) – skajet e nishanit janë të ngrëna, të turbullta ose të parregullta, ndërsa pigmenti zgjerohet drejt lëkurës përreth.

*Color (ngjyra) – ngjyra nuk është e njëjtë, mund të shihen nuanca të ngjyrës së zezë, kafe dhe rozë.

*Diameter (diametri) – ndryshim në madhësinë e nishanit ekzistues. Melanomat zakonisht janë më të mëdha se goma e lapsit (më të mëdha se 5mm).

Shpërndaj

Përmbajtjet e lidhura