Ekipi ynë do t’ju ndihmojë që të mund ta kontrolloni dhimbjen
Prania e kancerit nuk do të thotë se do të ndjeni dhimbje intensive dhe se ajo do të jetë vazhdimisht e pranishme. Çdo organizëm ka shkalla të ndryshme të tolerimit të dhimbjes, diagnoza të ndryshme, faza të ndryshme… Por, nëse ndjeni dhimbje, kjo nuk do të thotë se duhet të jetoni me të. Sot ekzistojnë mënyra dhe mekanizma të cilat mundësojnë kontrollimin e dhimbjes, me anë të së cilave do ta përmirësoni cilësinë e jetës.
Duke u nisur nga fakti se jo të gjithë pacientët janë të njejtë, në qendrën tonë, procesi i menaxhimit të kontrollit të dhimbjes është individual. Bazuar në gjendjen tuaj shëndetësore dhe fazën e sëmundjes, përgatitet një plan për monitorimin dhe kontrollimin e dhimbjes. Mjeku juaj do t’ju japë udhëzime se si ta kontrolloni dhimbjen edhe në kushtet e shtëpisë.
Plani për kontrollimin e dhimbjes, bëhet para trajtimit të kancerit. Nëse veproni sipas planit të përgatitur nga mjeku juaj, i cili është i njohur më mirë me gjendjen tuaj shëndetësore, ju do të mund ta kontrolloni dhimbjen në mënyrë efektive.
Çfarë e shkakton dhimbjen?
Kanceri nuk dhemb. Ai mund të jetë shkak i shfaqjes së dhimbjes, nëse ushtron presion mbi nervat dhe kockat. Gjithashtu, dhimbja shfaqet atëherë kur enët e gjakut bllokohen nga kanceri. Zakonisht dhimbja shfaqet tek pacientët të cilët ndodhen në fazë të avancuar të sëmundjes. Shkak tjetër i dhimbjes është vetë trajtimi i kancerit: radioterapia, kimioterapia, kirurgjia. Por duhet të dini se jo të gjithë pacientët reagojnë në mënyrë të njejtë ndaj terapisë. Nëse një pacient ka dhimbje për shkak të kimioterapisë, kjo nuk do të thotë se edhe pacientët e tjerë do të kenë të njejtin reagim.