Si ta pengoni kërcitjen e dhëmbëve gjatë natës?
Një numër i madh i njerëzve me ose pa vetëdije kërcëllojnë me dhëmbët, ndërsa kjo dukuri në mjekësi quhet bruksizëm. Edhe pse njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje të madhe, kërcitja mund të shkaktojë dëm të madh te dhëmbët. Paraqitet te të gjithë të rriturit dhe nuk i anashkalon as më të vegjlit. Kjo shprehi e keqe gjatë së cilës shtypen fuqishëm ose zdrukthen dhëmbët përmes zhvendosjes së nofullës së poshtme prej majtas drejt djathtas ose përpara prapa shpesh është e lidhur me stresin, tensionimin, frikën, mënyrën dinamike të jetës ose lodhjen. Kujdes, nëse bruksizmi është dukuri e shpeshtë mund të shkaktojë edhe dëmtimin e substancës së dhëmbit, frakturë, por edhe shtrembërim të dhëmbëve dhe anomali gjatë kafshimit.