Cili është kujdesi që duhet të prisni nga infermierja?
Gjatë hospitalizimit tuaj, infermierja është një anëtare e rëndësishme e stafit mjekësor e cila kujdeset për shëndetin dhe sigurinë tuaj. Kujdesi profesional ndaj pacientit është pjesë e jetës së tyre të përditshme. Përgjatë viteve janë futur protokolle të reja përsa i përket trajtimit dhe kujdesit shëndetësor të pacientëve, teknologji dhe kushte të reja moderne në punë. Por, humanizmi dhe dëshira për të ndihmuar çdo pacient është pjesë e pandashme e këtij profesioni. Përgjegjësia dhe angazhimi ndaj pacientëve, janë segmenti më i rëndësishëm i këtij profesioni. Detyra e infermieres është monitorimi i përditshëm i zhvillimit të gjendjes së pacientit, të identifikojë në kohë rreziqet e mundshme, të përgatisë terapinë dhe të jetë e disponueshme për ti ofruar ndihmë pacientit në çdo kohë.