Për shkak të temperaturave tepër të larta, stina e verës mund të jetë tepër e mundimshme dhe stresuese për gratë shtatzëna. Sigurisht, duhet t’ju kujtojmë disa këshilla të dobishme të cilat do t’ju ndihmojnë për tu përballur më lehtë me verën përvëluese dhe ndryshimet e papritura të presionit të ajrit.
- Veshja: veshje të gjëra dhe të rehatshme, materiale si : pambuk, lino, mëndafsh, si dhe ngjyra të lehta të cilat nuk i thithin rrezet e diellit. Kapele me strehë të gjërë, syze dielli të cilat janë të domosdoshme për mbrojtjen ndaj rrezeve UV. Sandalet duhet të jenë gjysëm numri më të mëdha për më tepër komoditet , me lartësi nga 3-4 cm në mënyrë që të jenë më të përshtatshme për shtyllën kurrizore si dhe për ënjtjen e këmbëve. Më të rekomanduara janë këpucët sportive dhe ato ortopedike. Shapkat dhe sheshkat nuk duhet ti vishni gjatë muajve të shtatzënisë.
- Ushqimi: gjatë shtatzënisë duhet të merrni vetëm 300 kalori më tepër në ditë. Gjatë stinës së verës ushqimi duhet të jetë i pasur me perime të freskëta, fruta, proteina, drithëra dhe më tepër ujë. Ushqimet e kripura duhet ti kufizoni, por kjo nuk do të thotë se duhet ta përjashtoni plotësisht kripën. Ushqimet të cilat duhet t’i shmangni gjatë verës për shkak të ndonjë helmimi të mundshëm janë: qumështi i pasterilizuar, vezët e paziera mirë, akulloret ose kremërat e përgatitura me vezë jo të freskëta, mishi jo i freskët, ton peshku, peshk -shpatë dhe disa lloje të tjera të peshkut për shkak të prezencës së zhivës. Duhet të shmangni djathrat e butë si dhe marrjen e tepërt të kafeinës dhe çajrave të fortë.
- Udhëtimet: para se të udhëtoni apo të shkoni diku për pushime, duhet patjetër të kryeni kontroll tek gjinekologu juaj. Ai do të përcaktojë gjendjen tuaj dha atë të fetusit dhe do t’ju thotë nëse duhet apo jo të udhëtoni. Shumica e kompanive ajrore japin leje për fluturim deri në javën e 28 të shtatzënisë. Mund të udhëtoni me avion edhe në javën e 34, por për këtë duhet patjetër të keni leje të posaçme dhe rekomandimin e mjekut. Nëse keni mundësi kërkoni sedilje në vendet e para të avionit pasi ato vende janë më të rehatshme dhe turbullirat e avionit ndihen më pak. Gjatë udhëtimeve me autobus, vendosni gjithmonë rripin e sigurimit, pas çdo një ore e gjysëm udhëtim, është e nevojshme të bëni të paktën 10 minuta pushim, për të patur qarkullim të gjakut. Gratë shtatzëna të cilat ndodhen në tre mujorin e dytë apo të tretë NUK DUHET të drejtojnë automobil, për shkak të rrezikut të lëndimit me timon, madje edhe nga aksidentet më të lehta. Gjatë shtatzënisë udhëtimet më pak të rehatshme janë udhëtimet me autobus.
- Marrja e rrezeve të diellit: gjatë periudhës së shtatzënisë, hormonet prodhojnë sasi më të mëdha të pigment, kështu rreziku i ekspozimit ndaj diellit dhe shfaqja e njollave në lëkurë është më e madhe. Para çdo shfaqje në diell të paktën gjysëm orë më parë aplikoni krem mbrojtës kundra diellit me faktor 30 . Shmangni ekspozimin ndaj diellit nga ora 11-17. Mos përdorni krem për marrje të ngjyrës apo solar.
- Noti: është një nga aktivitetet më ideale për gratë shtatzëna gjatë verës. Këshillohet hyrja gradualisht në ujë, duke përdorur këpucë për notim për të shmangur lëndime nga gurët që ndodhen jashtë dhe brenda në ujë. Në tremujorin e dytë apo të tretë të shtatzënisë nuk rekomandohet noti shpinës, më saktë, rekomandohet noti bretkosë. Hedhja në ujë, të bërit ski në ujë si dhe përdorimi i motorëve në ujë, nuk lejohen pasi janë tepër të rezikshëm,. Gjithashtu, nuk rekomandohet larja në pishina për shkak të mundësive të mëdha të marrjes së infeksioneve.
PUSHIME TË MBARA!!!