Aftat janë plagë të cilat shfaqen në mukozën e gojës, kanë ngjyrë të bardhë ose të verdhë dhe janë të rrethuara nga një zonë e kuqe e ndritshme. Zakonisht janë të dhimbshme, zhduken vetë, dhe nuk janë ngjitëse. Shkaku i shfaqjes së tyre është i panjohur, megjithatë, disa nga arsyet e shfaqjes së tyre mund të jenë:
- Stresi emocional
- Mungesa e disa vitaminave dhe mineraleve në ushqim ( veçanërisht mungesa e hekurit, acidit folik dhe vitaminës B12).
- Cikli menstrual
- Ndryshimet hormonale
- Alergjia ndaj ndonjë produkti ushqimor
- Përdorimi i protezave jo të adaptuara mirë
- Proceset virale
Aftat mund të shfaqen tek secili prej nesh, por gratë kanë më shumë gjasa për tu prekur prej tyre.
Cilat janë shenjat dhe simptomat?
- Aftat zakonisht shfaqen në sipërfaqen e brendshme të faqeve, buzëve, në pjesën e mishërave të dhëmbëve, në gjuhë dhe në qjellëz.
- Simptomat përfshijnë: shenja të skuqura të rrafshta, të cilat shkaktojnë dhimbje, dhe më pas shndërrohen në plagë të hapura. Pjesa qëndrore e plagës ka ngjyrë të bardhë ose të verdhë, ndërsa pjesa tjetër përreth ka ngjyrë të kuqe.
- Zakonisht këto plagë janë të vogla (më të vogla se 1 cm), por ka raste kur ato shfaqen edhe më të mëdha. Plaga mund të marrë ngjyrë gri në momentin kur fillon të shërohet.
Si trajtohen aftat?
Aftat nuk kërkojnë ndonjë trajtim të veçantë. Zakonisht ato zhduken vetë pas 7-10 ditësh që nga shfaqja e tyre. Në rast se aftat janë të mëdha, atëherë shërimi i tyre mund të zgjasë pak më tepër. Në rast se aftat kanë origjinë traumatike ( për shkak të protezave, etj.) atëherë ato shërohen pasi të jetë eliminuar problemi i cili ka shkaktuar shfaqjen e tyre. Gjithësesi, dhimbja e shkaktuar nga aftat mund të reduktohet duke bërë gargarë me sodë bikarboni të tretur në ujë, gjë e cila ndihmon për të ulur pH e acidit të mjedisit oral.
Si mund të parandalohen ato?
Është e mundur që të merrni disa masa paraprake të cilat mund të parandalojnë shfaqjen dhe zhvillimin e këtyre plagëve në gojë të njohura ndryshe si afta në mukozën e gojës:
- Shmangni ushqimet dhe pijet shumë të nxehta
- Përtypni ngadalë
- Përdorni furçë dhëmbësh me dhëmbëza të buta
- Vizitoni menjëherë stomatologun (dentistin) në rast keni ndonjë dhëm të thyer apo në rast se protezat nuk janë të përshtatura mirë.