Artroza është sëmundja reumatike më frekuente. Ajo mund të shfaqet në çdo nyje të trupit, por në disa nyje të caktuara shfaqet më shpesh. Kjo është një nga shkaqet e konsultimeve më të shpeshta mjekësore, veçanërisht përsa i përket moshës më të avancuar. Gjysma e personave që i përkasin moshës mbi 65 vjeçare, kanë shenja të artrozës tek nyjet e tyre edhe pse ato nuk kanë pasur asnjë simptomë.
Përgjithësisht, arsyeja e shfaqjes së simptomave të artrozës, është degjenerimi i kërcit. Ky fakt zakonisht është i lidhur me plakjen e individit, por aktualisht besohet se ekzistojnë dhe faktorë të tjerë që bëjnë të mundur shfaqjen e artrozës siç është predispozicioni familjarë, përsëritja e traumave të vogla tek nyjet, dhe inflamacionet ndaj të cilave individët janë të prirur. Tek nyja normale, kërci mbulon fundin e dy kockave që formojnë nyjen ( gjuri, bërryli, supet, nyjet e duarve …), duke bërë të mundur që gjatë lëvizjes kockat të mos fërkohen, si dhe absorbon goditjet e shkaktuara tek nyjet. Ky kërc ushqehet nga një lëng i trashë (i quajtur sinovial) që lejon lubrifikimin e nyjeve dhe bën që kërci të jetë në gjendje të përkryer për hidratimin dhe elasticitetin e nyjeve.
Kur artroza zhvillohet, kërci i humbet vetitë e tij. Madje mund të zhduket krejtësisht, duke shkaktuar fërkimin e dy kockave që formojnë nyjen (kyçin)dhe duke shkaktuar dhimbje të forta. Gjithashtu, mund të ndodhë që lëngu sinovial të reduktohet dhe të humbasë efektin e vet. Kocka mund të reagojë, duke nxitur rritjen laterale të saj dhe duke krijuar atë që në mjekësi quhet osteofit. Kjo shkakton deformimin dhe pamjen tipike të nyjeve (shfaqja e disa gungave të vogla si rezultat i rritjes jonormale të kockës).
Kjo gjendje komplikohet atëherë kur trupi eliminon mbetjet e vogla të kërcit rreth nyjeve. Ndodh lirimi i faktorëve inflamatorë që e përkeqësojnë inflamacionin dhe dhimbjen e shkaktuar nga degjenerimi i nyjeve.