Astma e pakontrolluar gjatë periudhës së shtatzënisë mund të shkaktoj reduktimin e rrjedhës së oksigjenit tek fetusi, lindjen në peshë të vogël të fëmijës si dhe me rritje të ngadaltë. Ndërkohë që tek nëna mund të shkaktoj preeklampsi, probleme me placentën si dhe probleme me presionin e lartë të gjakut. Astma është një problem me të cilin përballet një numër i madh i popullsisë, duke përfshirë këtu edhe gratë shtatzëna. Është e vështirë që të parashikohet se si mund të ndikojë shtatzënia mbi astmën, pasi çdo grua shtatzënë reagon në mënyrë të ndryshme.
Rreth 1/3 e tyre kanë përmirësim të simptomave, tek po kaq persona nuk ka asnjë përmirësim, apo përballen edhe me përkeqësimin e simptomave. Është shumë e rëndësishme që astma të kontrollohet në mënyrë që të mos rrezikohet gjendja shëndetësore e nënës dhe fëmijës. Dr. Kamelija Bushljetiq, pulmoalergologe në spitalin klinik “Acibadem Sistina” rekomandon që çdo grua shtatzënë e cila ka astmë, duhet që një herë në muaj të paraqitet tek mjeku .
Simptomat
Simptomat e astmës nuk janë të njejta tek të gjitha gratë shtatzëna. Mund të keni vetëm një simptomë, ndërkohë që dikush tjetër ti ketë të gjitha simptomat e tjera. Simtomat m të shpeshta mund të jenë:
- Kollitje (veçanërisht gjatë natës)
- Mungesë të ajrit
- Frymëmarrje të vështirësuar
- Shtrëngim, dhimbje apo presion në kraharor
- Fishkëllimë në kraharor gjatë frymëmarrjes
Pulmoalergologët thonë se nëse keni më shumë se dy herë bronkit gjatë një viti, apo ftohja zgjat për një kohë më të gjatë se zakonisht, dhe nëse është e shoqëruar me fishkëllimë në kraharor, nëse ndjeni rëndesë apo shtrëngim apo nëse kollitja zgjat më shumë se 8 javë, atëherë duhet patjetër të konsultoheni me mjekun tuaj. Mjeku juaj fillimisht duhet të kontrollojnë historinë tuaj shëndetësore, historinë familjare dhe simptomat. Mjeku mund t’ju rekomandoj të bëni teste të frymëmarrjes, teste alergjike, analizë të gjakut dhe radiografi të gjoksit (kraharorit). Nëse këto teste e rrisin dyshimin e pranisë së astmës, atëherë do të duhet të bëhen edhe shqyrtime të tjera shtesë për ta konfirmuar apo për ta përjashtuar ekzistencën e saj.
Terapia me ilaçe
Shpesh, gratë shtatzëna të cilat janë të prekura nga astma, gabojnë kur mendojnë se duhet ta rrefuzojnë marrjen e terapisë me ilaçe me qëllim që të mos e dëmtojnë apo të mos shkaktojnë problem tek fëmija. Fatmirësisht, një numër i madh i ilaçeve të cilat përdoren, nuk janë të dëmshme dhe mund të merren edhe gjatë periudhës së shtatzënisë. Astma duhet të kontrollohet para shtatzënisë, duke bërë të mundur që periudha e shtatzënisë të kalojë pa asnjë problem.
Historia familjare
Kur njëri nga prindërit ka alergji, ekziston mundësia që kjo alergji të shfaqet edhe tek fëmija. Mundësia e shfaqjes së alergjisë tek fëmija është akoma më e madhe nëse të dy prindërit kanë alergji. Nëse ju vuani nga astma, është e mundur që kjo e fundit të shfaqet edhe tek fëmija juaj në një periudhë të caktuar të jetës. Sëmundja mund të shfaqet tek rreth 30% e fëmijëve. Numri më i madh i personave të cilët vuajnë nga astma, janë gjithashtu të prekur nga alergjia. Mjekët këtë fenomen e quajnë “astmë alergjike”.
Pesha trupore
Duhet të tregoheni të kujdesshëm edhe ndaj rrtjes trupore të menjëhershme, pasi ajo mund të jetë shkak i rritjes së rrezikut të shfaqjes së astmës tek fëmija, por edhe tek nëna. Rritja e peshës trupore ndikon edhe në reduktimin e reagimit të terapisë së marrë (terapia reagon më pak nëse keni rritje të menjëhershme të peshës trupore). Pirja e duhanit është e ndaluar gjatë periudhës së shtatzënisë, pasi ajo rrit rrezikun e shfaqjes së alergjisë, si dhe ju bën të prirur ndaj alergjisë dhe sëmundjeve të tjera të cilat janë të pranishme në ditët e sotme të botës moderne.