Gjatë shtatzënisë normale ekziston një rritje e rrezikut të gjakderdhjes dhe trombozës. Rreziku i gjakderdhjes është më i lartë para periudhës së lindjes dhe pas lindjes, ndërsa rreziku i shfaqjes së trombozës është më i madh gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, veçanërisht pas lindjes. Me anë të vetë shtatzënisë shfaqen ndryshime në sistemin e koagulimit të gjakut dhe krijohet gjendje hiperkoagulable apo prirje ndaj trombozës. Kjo është një mbrojtje normale e mekanizmit për të zvogëluar rrezikun e gjakderdhjes veçanërisht gjatë dhe pas lindjes. Por, nëse një gjendje e tillë kombinohet me gjendje të të tjera shtesë hiperkoagulable, rreziku i trombozës apo embolisë është i theksuar dhe mund të rrezikojë seriozisht rrjedhën dhe rezultatin e shtatzënisë.
Çfarë është D-dimeri?
D- dimeri është një fragment i vogël proteine i sistemit të trashjes së gjakut, një sistem koagulimi – hemostaza. Bën pjesë në grupin e produkteve të degradimit të fibrinës, produkte të cilat shfaqen pas procesit të fibrinolizës pas dekompozimit të mpiksjes së gjakut të formuar më parë. Përmban dy të ashtuquatura D-fragmente të cilat ndërlidhen dhe nga këtu vjen prejardhja e D-dimerit. Për here të parë është përshkruar në vitet 70 dhe që nga vitet 90 është futur në praktikën laboratorike. Dr. Kornelija Trajkova gjinekologe – obstetër, shpjegon se përqendrimi i D-dimerit përcaktohet nga analizat laboratorike me anë të gjakut.
Vlerësimi i rrezikut para shtatzënisë
Që para planifikimit të shtatzënisë ose gjatë shtatzënisë së hershme duhet të bëhet analiza për ekzistencën e mundshme apo prirjes ndaj trombozës kongjenitale apo të fituar me kalimin e viteve, si dhe përsa i përket sëmundjeve apo komplikimeve nga shtatzënia e mëparshme. Gjendje të tilla janë faktorë rreziku për formimin e jo të rregullt të placentës që në fazë të hershme, dhe më pas edhe për çrregullimin e funksionit me trombozë në placentë, gjë e cila rezulton me ndaljen e rritjes së fetusit, dhe në rastet më të rënda edhe me vdekje të fetusit. Gjendja hiperkoagulable është e ndërlidhur me sëmundjet në shtatzëni të cilat karakterizohen nga rritja e presionit gjakut, shkëputja e parakohshme e placentës së mbjellë normalisht – abrupsion, si dhe me komplikimet më të rënda si tromboza e thellë në venë dhe tromboembolizmi pulmonar.
Vlera të ndryshme në periudha të ndryshme të shtatzënisë
Vlerat e larta të faktorëve për aktivizimin e koagulimit dhe aktivizimit të sistemit fibrinolitik siç është rritja e D-dimerit , tregojnë rritjen e trombit të formuar gjatë shtatzënisë. Duhet pasur parasysh se shtatzënia e pakomplikuar tek gratë e shëndetshme, shoqërohet ndjeshëm me rritjen progresive të vlerës së D-dimerit. Vlerat normale të D-dimerit janë të ndryshme në periudha të ndryshme të shtatzënisë.
Çfarë zbulon vlera e D-dimerit në shtatzëni?
Testimi i D-dimerit në shtatzëni mund të jetë i dobishëm për zbulimin e diagnozës së tromboembolizës venoze apo ndërlikimeve të lidhura me shtatzëninë, dhe për ndjekjen e trajtimit antitrombotik. Por, gjithmonë fillimisht duhet bërë analiza e faktorëve të rrezikut, vlerësimi i duhur klinik dhe më pas vlerësimi për analizën e faktorëve të koagulimit duke përfshirë edhe analizën e D – dimerit.