Dehidratimi është humbja e tepërt e lëngjeve në trup, gjë e cila ndodh si rezultat i marrjes së pamjaftueshme të lëngjeve në organizëm. Është tepër e rëndësishme që të parandalohet dehidratimi tek pacientët me kancer, pasi gjatë trajtimit ata kanë efekte anësore si: të vjella, temperaturë, diarre, të cilat për një kohë të shkurtër mund të shkaktojnë humbjen e tepërt të lëngjeve në organizëm. Kjo gjendje nuk duhet të neglizhohet për shkak se mund të ketë efekte të rrezikshme për jetën.
Përse pacientët me kancer mund të humbasin më tepër lëngje
Shfaqja e shpeshtë e temperaturës në trup, diarrea, të vjellat të cilat shfaqen si rezultat i efekteve të padëshiruara nga terapia që këta pacientë marrin, janë shkak për shfaqjen e shpejtë të dehidratimit tek pacientët me kancer.
Këto janë gjërat themelore për të cilat çdo pacient me kancer duhet të jetë në dijeni përsa i përket dehidratimit:
Si ta kuptoni se jeni të dehidratuar?
Tërhiqeni lëkurën e dorës dhe lëshojeni atë. Nëse lëkura rikthehet menjëherë, kjo do të thotë se keni një lëkurë të tonifikuar dhe se lëkura ka mjaftueshëm ujë. Nëse lëkura rikthehet ngadalë kjo do të thotë se lëkurës i mungon vitaliteti dhe se nuk ka ujë të mjaftueshëm. Simptoma të tjera janë: tharja e gojës, sekrecione të thata në trup, sasia e vogël e urinës, dhimbje koke dhe marramendje.
Vëreni hyrjen dhe daljen e lëngjeve
Nuk është e lehtë që të përcaktoni se sa lëngje ka humbur trupi juaj nëse nuk e vëreni apo e ndiqni atë. Mundohuni të vinë re sa herë keni vjellur, apo sa herë keni pasur jashtëqitje të hollë gjatë ditës. Ky është një informacion i rëndësishëm për të cilin mjeku juaj duhet të jetë në dijeni. Mbani me vete një shishe me ujë dhe mundohuni të vini re sa herë e keni mbushur dhe zbrazur atë.
Pini ujë pak nga pak
Nëse nuk mund të pini lëngje, mundohuni që ti merrni ato ngadalë. Pini gllënka më të vogla, më shpesh, në mënyrë që të mos lejoni shfaqjen e dehidratimit. Një mënyrë tjetër është që të merrni copëza të vogla akulli, dhe ti mbani në kojë deri sa të shkrihen. Shmangni marrjen e kafeinës, pasi ajo përshpejton dehidratimin.
Kur është koha e duhur për të vizituar mjekun?
Mjeku juaj e njeh më mirë gjendjen tuaj shëndetësore, prandaj dhe mund t’ju ndihmojë më së shumti. Tregojini atij në lidhje me simptomat tuaja, veçanërisht nëse vëreni vështirësi gjatë mbajtjes së lëngjeve në trup, nëse nuk mund ti vini nën kontroll simptomat, nëse keni temperaturë të lartë, nëse ndiheni të përgjumur, apo nëse vëreni shenja konfuzioni.