Gjakderdhja implantative shfaqet në pika të vogla gjaku e cila shfaqet ndërmjet ditës së 6-12 të konceptimit (ngjizjes). Kjo është një nga simptomat e e para të fillimit të shtatzënisë. Nëse vëreni njolla të vogla të kuqe në rrobat e brendshme nuk duhet të shqetësoheni pasi nuk është asgje e rrezikshme dhe nuk kërkon asnjë trajtim.
Përse shfaqet kjo gjakderdhje?
Pas fekondimit të qelizës vezore nga spermatozoidi vjen ngjizja. Më pas qeliza e pllenuar udhëton përmes tubave fallopiane drejtë mitrës. Qeliza vezore e pllenuar kapet (implantohet) në murin e mitrës. Gjatë periudhës së implantimit mund të shfaqet gjakderdhje e vogël e cila manifestohet në formën e pikave të vogla të gjakut, të cilat do ti vëreni tek veshjet tuaja të brendshme. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë problem prandaj nuk duhet të shqetësoheni. Gjakderdhja implantative zakonisht shfaqet në fillim të shtatzënisë para se të filloni t’i ndjeni të përzierat në mëngjes.
A ka nevojë për trajtim?
Kjo gjakderdhje ndalet vetë pa asnjë trajtim. Megjithatë, në rast se keni shumë gjakderdhje, duhet të bisedoni me gjinekologun tuaj.
Shkaqe të tjera të gjakderdhjes?
Ekzistojnë shumë arsye të gjakderdhjes në shtatzëni. Mund të shoqërohen me dhimbje dhe shtrëngim të barkut. Ja se çfarë mund të shkaktojë gjakderdhja:
Marrdhënia seksuale. Në fillim të shtatzënisë mund të shfaqet gjakderdhje gjatë marrdhënies seksuale. Bisedoni me gjinekologun tuaj nëse mund të kryeni mardhënie seksuale gjatë shtatzënisë.
Shtatzëni ektopike. Nëse embrioni qëndron jashtë mitrës, mund të shfaqen gjakderdhje të shoqëruara me dhimbje dhe ngërçe.
Abort spontan. Konsiderohet se 15 % e grave shtatzëna përfundojnë me abort spontan në tre muajt e parë. Gjakderdhja e bollshme mund të jetë pikërisht shenjë e abortit spontan.