Edhe pse nuk e përjetojmë shumë seriozisht, humbja e dëgjimit është një nga kushtet që shkakton izolimin e personit nga jeta sociale dhe nga aktivitetet e përditshme. Personat të cilët kanë aftësi të kufizuara të dëgjimit, shpesh ndjejnë turp për këtë fakt dhe janë më të tërhequr dhe të mbyllur në vetvete. Prandaj është shumë e rëndësishme që të reagoni menjëherë nëse vëreni apo ndjeni ndonjë problem me dëgjimin, pasi shtyerja e mëtejshme e vizitës tek doktori mund të bëj që dëgjimi juaj të dëmtohet më tepër duke ju mbajtur larg aktiviteteve të cilat i keni përjetuar dhe shijuar më parë.
Humbja e dëgjimit dhe jeta sociale
Reduktimi i aftësisë për të dëgjuar tinguj nga mjedisi i jashtëm, ndodh gradualisht dhe prandaj është e vështirë për tu kuptuar. Zakonisht këta persona mendojnë se njerëzit me të cilët komunikojnë pëshpërisin apo flasin diçka të pakuptueshme, dhe nuk mendojnë se kanë problem me dëgjimin, ose mendojnë se dëgjojnë siç duhet dhe përgjigjen gabimisht. Humbja e dëgjimit është problem i cili mund të shkaktojë tërheqje graduale të personit, mund të fillojë të shmang përfshirjen në biseda nga frika se mos gabojë, ose thjeshtë të izolohet nga shoqëria.
Mos prisni për të kërkuar ndihmë profesionale
- Kërkoni ndihmë menjëherë sapo të vëreni se keni problem me dëgjimin. Këtu do të gjeni disa këshilla: sa më shpejtë të kërkoni ndihmë, aq më shpejtë dhe më mirë do të mësoheni me tingujt dhe të fulurit të cilat përforcohen me ndihmën e aparateve të dëgjimit. Në këtë mënyrë do të jeni më të fokusuar në atë që doni të dëgjoni.
- Në rast se nuk keni asnjë problem me dëgjimin, bëni një kontroll për dëgjimin në të dy veshët në moshën 55 vjeçare. Në rast se punoni në ambient ku ka zhurmë të lartë, duhet rregullisht të kryeni kontrolle për të monitoruar dëgjimin.
- Bisedoni me doktorin tuaj në lidhje me këtë temë. Mësoni se në çfarë gjendje është humbja e menjëhershme e dëgjimit dhe nga se shkaktohet ajo.
Humbja e dëgjimit mund të jetë një shenjë e disa gjendjeve të tjera
Humbja e dëgjimit e cila është e lidhur me moshën shfaqet gradualisht. Humbja e menjëhershme e dëgjimit e cila në këtë rast nuk është e lidhur me moshën, mund të jetë shenjë paralajmëruese për shfaqjen e ndonjë sëmundje tjetër.
Infeksioni viral. Humbja e dëgjimit mund të jetë për shkak të infeksionit viral në organizëm.
Humbja e dëgjimit në njërin vesh. Dëmtimi i dëgjimit i cili është i lidhur me moshën shfaqet në të dy veshët njëherësh. Nëse keni problem me dëgjimin vetëm në njërin vesh, kontaktoni mjekun tuaj.
Tingëllimë në veshë dhe marramendje. Nëse humbja e dëgjimit është e shoqëruar me tingëllimë dhe me marramendje, është e mundur që të kemi të bëjmë me problem apo me lëndim të veshit brenda, i cili ndikon në dëgjim dhe në kontrollin apo balancën e trupit.
Aparatët e dëgjimit janë një ndihmë e vërtetë
Me kalimin e kohës, aparatët e dëgjimit janë përmirësuar gjithnjë dhe më shumë dhe ofrojnë përshtatje më të mirë të dëgjimit në mjedisin e jashtëm. Gjithashtu, edhe forma edhe madhësia e aparatëve të dëgjimit është bërë që të duken sa më diskrete, madje disa prej tyre as që mund të vërehen. Përdorini aparatët e dëgjimit dhe kontaktoni lirshëm me mjedisin e jashtëm. Kontakti me mjedisin e jashtëm paraqet një mbështetje të gjendjes së përgjithshme, pasi ekziston një lidhje e fortë ndërmjet humbjes së dëgjimit dhe funksionit kognitiv. Prandaj është e rëndësishme që të keni një mëndje dhe trup aktiv.