Shpesh herë gjendeni pothuajse në pyetjen e përditshme – ku i kam lënë çelësat e makinës apo syzet. Ekspertët thonë se kjo është diçka mëse normale. A keni menduar ndonjëherë se ku qëndron në të vërtetë çrregullimi serioz i kujtesës dhe nëse duhet të kërkoni ndihmë mjekësore? Këtu bëjnë pjesë shembuj të humbjes së kujtesës të cilat ju pengojnë gjatë aktiviteteve të përditshme (në mbajtjen e higjenës personale, drejtimin e veturës, të harruarit shpesh përsa i përket takimeve të planifikuara më parë, rezervimeve të kontrolleve tek doktori, si dhe rastet kur nuk mbani mend se ku e keni parkuar veturën…).
Çrregullime të rënda të kujtesës përfshijnë harresat e plota të bisedave, duke harruar emrat e të afërmve dhe të miqve, përsëritja e mendimeve të njejta ose përsëritja e pyetjeve të cilat i keni përmendur më parë.
Si ta ruani kujtesën?
Ekzistojnë disa gjëra të cilat ju ndihmojnë që ta ruani kujtesën, siç është kontrolli i kolesterolit dhe i presionit të gjakut, pirja e alkoolit dhe e duhanit në masë të kontrolluar, ushqimi i shëndetshëm, aktivitetet sociale, ruajtja e aktivitetit të trurit me anë të leximit, shkrimit, të mësuarit gjëra të reja, si dhe duke praktikuar hobi.
Çfarë mund të shkaktojë çrregullim të kujtesës?
Ekziston një numër i madh i faktorëve të rrezikut të cilët e reduktojnë aftësinë e kujtesës, siç është pirja e disa ilaçeve të caktuara, alkoolizimi kronik, stresi, depresioni, lëndimet në kokë, infeksionet (HIV, tuberkulozi, sifilizi, herpes …), problemet me gjendrat tiroide, pagjumësia, niveli i ulët i vitaminës B1 dhe B12. Prandaj, në rast se keni ndonjë nga këto kushte, është vërtetë e rëndësishme që të bisedoni me mjekun tuaj për ta vënë nën kontroll gjendjen e kujtesës tuaj.
A reduktohet kujtesa me kalimin e viteve?
Si rezultat i plakjes, disa persona, gjithnjë dhe më tepër harrojnë disa informacione të caktuara, siç janë përshembull emrat. Një çrregullim i tillë i humbjes së kujtesës shfaqet për shkak të kalimit të viteve, por nuk i çrregullon aktivitetet dhe detyrimet e përditëshme, prandaj konsiderohet si një çrregullim i lehtë i humbjes së kujtesës.
Çrregullimi më i rëndë i kujtesës quhet demencia. Demencia shkakton humbje të rënda të kujtesës si dhe probleme edhe me aspekte të tjera të të menduarit. Këto çrregullime mjaftojnë për të ndikuar në cilësinë e jetës, dhe në çrregullimin e aktiviteteve të përditshme normale. Demencia shpesh është e pranishme tek personat të cilët vuajnë nga sëmundja Alzheimer. Sëmundja Alzheimer shkakton një humbje progresive të qelizave të trurit të shoqëruara me anomali të tjera të trurit.