Kapsllëku tek foshnjat shpesh është një shenjë alarmi dhe paniku për prindërit. Shpesh, duke mos ditur çfarë të bëjnë, pyesin apo lexojnë nëpër portale dhe blogje ku dhe marrin këshilla të ndryshme të cilat jo gjithmonë janë të sakta. Tek foshnjat të cilët ushqehen me gji, kapsllëku nuk paraqet ndonjë problem shëndetësor, pasi qumështi i gjirit në pjesën më të madhe të tij përdoret plotësisht nga organizmi.
A është normale jashtqitja një herë në ditë?
Qumështi i gjirit ka vlera të mëdha ushqyese, dhe shpeshherë organizmi i fëmijës e shfrytëzon krejtësisht qumështin, duke lënë një sasi shumë të vogël e cila kalon nëpër sistemin e tretjes. Prandaj, është normale që fëmija juaj të mos ketë jashtqitje të shpeshta për disa ditë me rradhë. Kjo gjendje është normale veçanërisht kur bëhet fjalë për foshnja të cilët ushqehen me qumështin e gjirit. Një arsye tjetër për jashtëqitjen e parregullt është fakti se shumica e foshnjave kanë sistem digjestiv të ngadaltë, por që nuk përbën ndonjë problem shëndetësor. Megjithatë, nëse jashtëqitja e parregullt pasohet me dhimbje tek foshnja, ose nëse mendoni se diçka nuk është në rregull, bisedoni me mjekun pediatër.
Në raste të rralla, kapsllëku tek foshnjat shkaktohet nga ndonjë problem shëndetësor, siç është mosfunksionimi i mirë i muskujve të sistemit të tretjes, ose ndonjë pengesë, bllokim të sistemit të tretjes që pengon nrrjedhjen normale të përmbajtjes së zorrës. Kapsllëku nuk është vetëm një mungesë e jashtëqitjes, por edhe vështirësia gjatë zbrazjes së zorrës tek foshnja. Nëse 4-5 ditë në javë foshnja ka jashtëqitje të butë, kjo është mëse normale. Por , duhet të kontaktoni pediatrin nëse tek foshnja juaj vëreni:
– Vështirësi gjatë zbrazjes
– Jashtëqitje të fortë
– Ngurtësim të barkut
– Gjak ose jashtëqitje të zezë
– Ndalje të jashtëqitjes për 5-10 ditë
Si ta ndihmoni foshnjën tuaj kur ka kapsllëk
Gjëja më e mirë është konsultimi ose kryerja e kontrollit tek mjeku pediatër. Mos ndërmerrni masa pa pasur këshilla profesionale, pasi në shumicën e rasteve, kapsllëku është një gjendje normale dhe nuk ka nevojë për asnjë ndihmë. Nëse fëmija ushqehet me qumësht të adaptuat (me formulë) pas rekomandimit të mëparshëm të pediatrit, ndyshojeni atë me ndonjë lloj tjetër të qumështit të adaptuar. Kapsllëku nuk është shkak për ta ndërprerë qumështin e gjirit apo atë të adaptuar.