Katër gjëra normale tek të porsalindurit

Sëbashku me të porsalindurin vijnë edhe ditët e mbushura plot me ndjenja të përziera, me dashuri, kujdes dhe përkushtim. Doni që gjithçka të jetë në rregull me vogëlushin tuaj, kaloni orë të tëra duke e shikuar dhe analizuar çdo detal të tij. Në vijim ju japim këshilla se si të bëni dallimin ndërmjet atyre gjërave të cilat janë normale dhe atyre të cilat duhet t’ju shqetësojnë.

Sëbashku me të porsalindurin vijnë edhe ditët e mbushura plot me ndjenja të përziera, me dashuri, kujdes dhe përkushtim. Doni që gjithçka të jetë në rregull me vogëlushin tuaj, kaloni orë të tëra duke e shikuar dhe analizuar çdo detal të tij. Në vijim ju japim këshilla se si të bëni dallimin ndërmjet atyre gjërave të cilat janë normale dhe atyre të cilat duhet t’ju shqetësojnë.

Fëmija juaj nga koka deri tek këmbët

Pas lindjes spontane (vaginale) koka e fëmijës është më e zgjatur dhe me majë, këtu nis shqetësimi i parë duke menduar se koka do të mbetet kështu përgjithmonë. Por kjo gjendje është krejtësisht normale dhe zakonisht kalon pas 48 orëve të lindjes. Kockat e kokës të bebes së porsalindur janë të buta dhe të lëvizshme, me qëllim që koka të mund të kalojë nëpër zonën e ngushtë vaginale. Në kokë gjendet edhe fontanellat. Pjesë të buta në kokë,  në kapakun e kokës dhe në pjesën e pasme të kokës. Fontanella lëviz si rrahjet e zemrës, prandaj nuk duhet të shqetësoheni kur ta vëreni këtë gjë, pasi kjo është diçka mëse normale. Fontanella është e butë, pasi ajo lejon rritjen e shpejtë të trurit të fëmijës e cila ndodh gjatë vitit të parë të fëmijës. Mos u frikësoni për ta prekur pasi ajo zonë e kokës nuk është dhe aq e brishtë. Ajo mbyllet nga muaji i 12 apo i 18, por gjithashtu mund të mbetet e hapur deri në moshën 2 vjeçare e gjysëm.  Fontanellat në pjesën e pasme të kokës janë të vogla dhe shpesh nuk mund të vërehen. Këto fontanela mbyllen pas  gjashtë mujve të parë të bebes.

Ngjyrat në fytyrë

Ju e shijoni atë lëkurë të butë, të ëmbël dhe ngjyrë rozë të bebes, por mos u befasoni nëse shfaqet ngjyrë blu, veçanërisht në pjesën e gishtave të duarve dhe të këmbëve. Edhe kjo është diçka normale, veçanërisht nëse fëmija ka të ftohtë pasi bebet nuk mund ta rregullojnë temperaturën e trupit për shkak se ata nuk lëvizin. Por gjithësesi, duhet të tregoheni të vëmendshëm pasi shfaqja e ngjyrës blu në disa raste të caktuara ka të bëjë me probleme serioze shëndetësore, veçanërisht nëse kjo ngjyrë shfaqet në pjesën rreth buzëve apo gjuhës.  Por shfaqja e ngjyrës blu nuk është i vetmi ndryshim i cili mund të shfaqet tek  bebet. Gjithashtu mund të shfaqet edhe ngjyra e verdhë, e cila është shenjë e verdhëzës, e cila shfaqet veçanërisht tek të bardhat e syve. Kjo shfaqet tek 70% e foshnjave, dhe zakonisht zhduket duke filluar nga 4 deri në 10 ditë. Megjithatë, nëse vëreni shfaqjen e ngjyrës së verdhë duhet të njoftoni mjekun pediatër pasi në disa raste verdhëza kërkon trajtim të veçantë. Nëse vlerat janë më të larta se atë normale mjeku pediatër përcakton trajtimin e mëtejshëm.

Skuqje

Pothuajse tek të gjithë të porsalindurit shfaqet skuqje e lëkurës, njolla të vogla të kuqe ose të verdha.  Bëhet fjalë për një skuqje normale të lëkurës e cila kalon pëpr një periudhë 7 ditore ose për një periudhë më të shkurtër. Megjithatë mos u alarmoni nëse vëreni njolla blu në pjesën e poshtme të shpinës, rreth mollaqeve të bebes. Këto janë njolla mongoliane, shfaqen tek fëmijët me lëkurë më të errët, dhe përfaqësojnë qeliza të cilat përmbajnë melanin për pigmentimin e lëkurës.  Kur ky nishan i lindur afrohet në sipërfaqen e lëkurës merr ngjyrë blu. Sido që të jetë kjo nuk trajtohet as si hematomë dhe as si ndonjë gjendje tjetër mjekësore. Njollat mongoliane janë të lindura, dhe në numrin më të madh të rasteve ato zhduken pjesërisht ose krejtësisht pas moshës një apo dy vjeçare.

Njolla të kuqe mund të shfaqen në fytyrën e foshnjes. Këto lezione bëhen më të theksuara gjatë periudhës kur fëmija qan. Zakonisht ato zhduken spontanisht brenda një periudhe prej 18 muajsh.

Organe gjenitale të zmadhuara

Sado që të jeni të përgatirur, shumica e prindërve shokohen dhe habiten kur i shikojnë për herë të parë organet gjenitale të fëmijës. Kjo për shkak se ato janë jashtëzakonisht të mëdha. Tek meshkujt skrotumi mund të jetë i madh dhe i kuq. Tek vajzat vulva është shumë e fryrë dhe e errët si rezultat i hormoneve të nënës. Gjithashtu mund të shfaqet mukozë vaginale me gjurmë gjaku. Kjo si pasojë e hormoneve të nënës e cila është e ndjeshme ndaj mukozës vaginale. Zakonisht kjo kalon brenda 72 orëve. Zmadhimi i organeve gjenitale tërhiqet brenda një muaji. 

Shpërndaj