A e keni vënë re se ndërkohë që shkruni me miqtë apo të afërmit tuaj në telefon , vazhdimisht e mbani kokën të përthyer poshtë? A e keni vënë re se në çfarë pozicioni e mbani trupin ndërkohë që qëndroni ulur në vendin tuaj të punës? Këto janë vetëm disa nga zakonet të cilat në mënyrë të pavetëdijshme e dëmtojnë shtyllën kurrizore. Lexoni këshillat tona për një pozicion të duhur të trupit.
Mbajtje e relaksuar e trupit
Mbajtja e relaksuar e trupit i bën shtyllës kurrizore një stres shtesë. Në këtë mënyrë rritet tendosja e kockave, muskujve dhe nyjeve të cilët janë bartësit kryesor të peshës së trupit. Mbajtja e trupit në pozicion të gabuar nuk është e dëmshme vetëm për shtyllën kurrizore. Mbajtja e lirë e trupit, i shtyp organet duke bërë që mushkëritë dhe zorrët të funksionojnë më me vështirësi, e cila rezulton me vështirësi në tretjen e ushqimit dhe në mbushjen me frymë.
Mbani trupin drejtë
Mbajtja e trupit drejtë është pozicioni ideal i trupit dhe ndihmon në përmirësimin e lëvizshmërisë së trupit. Mbajeni trupin në pozcion sikur jeni duke qëndruar pranë murit për të matur lartësinë tuaj. Mbajeni kokën lartë, stomakun tërhiqeni nga brenda, shpatullat tërhiqini nga jashtë, ndërsa gjunjët drejtë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të keni një pozicion të mirë të trupit, por do të dukeni edhe më të gjatë dhe më të shëndetshëm.
Mos e lëshoni trupin mbi tavolinë
A e keni vënë re se pas disa orësh punë, trupi juaj është i prirur plotësisht drejt tavolinës së punës? Një pozicion i tillë është i dëmshëm për shtyllën kurrizore. Për të qëndruar drejtë, mjafton që të mbështeteni në stol, prandaj për pjesën e mesit do të merrni një jastëk të vogël për të mbështetur pjesën e lakimit natyral të shtyllës kurrizore. Përthyeni gjunjët një kënd të drejtë, dhe vendosini në një pozicion më të lartë se pelvisi juaj (pjesa e legenit).
Gjithë ditën në telefon celular
Edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme qafa shtrembërohet gjatë gjithë kohës duke kontrolluar telefonin, veçanërisht kur lexoni dhe shkruani me miqtë. Përthyerja e shpeshtë e kokës shkakton shtrembërimin e qafës. Mundohuni të mos e përthyeni kokën drejtë telefonit, provoni ti lexoni mesazhet me anë të drejtimit të syve drejtë ekranit, pa pasur nevojë që ta përthyeni kokën.
Ngisni makinën në një pozicion të rehatshëm
Doni ta ngisni makinën të relaksuar dhe në pozicion pothuajse të shtrirë? Në distanca të gjata ky pozicion mund ta dëmtojë shtyllën kurrizore. Në vend që të veproni në këtë mënyrë, tërhiqni trupin më pranë timonit, përthyeni gjunjët lehtë, duke i mbajtur në një lartësi të njejtë apo pak më lart se pelvisi. Mos harroni të vendosni jastëk për të mbështetur lakimin natyral të shtyllës kurrizore.
Takat e larta
Takat e larta janë një detal i rëndësishëm i modës që gratë nuk mund t’iu rezistojnë. Por ato nuk janë një zgjedhje e mirë për tu përdorur në jetën e përditshme si dhe gjatë mbrëmjeve të gjata në disko. Takat e larta ne shtyjnë shpinën përpara dhe me kalimin e kohës kjo rezulton me deformim të shtyllës kurrizore. Shtylla kurrizore e deformuar, shkakton presion mbi nervat duke bërë që të ndjeni dhimbje në pjesën e shpinës. Takat e larta të parehatshme, bëjnë që pjesa e trupit të përqëndrohet mbi gjunjtë të cilët gjithashtu i vuajnë pasojat nga përdorimi i tyre.
Pozicioni i duhur gjatë fjetjes
Pozicioni jo i duhur i trupit gjatë fjetjes, apo përzgjedhja e gabuar e dyshekut dhe jastekut, janë gjithashtu armiq të shtyllës tuaj kurrizore. Përzgjidhni një dyshek dhe jastëk të cilët do të jenë një mbështetje e mirë e trupit tuaj. Lartësia e jastekut duhet të jetë në lartësinë e shtyllës tuaj kurrizore. Nëse flini në anë, përthyeni lehtë gjunjët.
Forconi muskujt
Është e nevojshme që të keni muskuj të fortë në mënyrë që të mund ta mbështetni shtyllën kurrizore. Kryerja e ushtrimeve në mënyrë të vazhdueshme do të ndihmojë në forcimin e muskujve dhe do ta përmirësoj pozicionin e mbajtjes së trupit tuaj.