Gjithnjë dhe më shpesh dëgjojmë se një numër i madh i popullsisë kanë probleme me shtyllën kurrizore. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për fëmijë tek të cilët shfaqen deformime të shtyllës kurrizore, apo për të rritur tek të cilët dominon dhimbja, qëllimi i terapisë fizikale është për ta korrigjuar deformimin dhe mbajtjen e trupit si dhe për të lehtësuar dhimbjen. Pas lëndimit apo intervenimit kirurgjik, është i domosdoshëm rehabilitimi me anë të të cilit rikthehet funksioni apo lehtësohet funksionimi normal. Fizioterapeutot i kombinojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre që të mund ti vijnë në ndihmë çdo pacienti për një gjendje më të mirë shëndetësore dhe një funksionim normal në jetën e përditshme. Përsa i përket pyetjes përse dhe kur keni nevojë për terapi fizikale, përgjigje morëm nga Dr. Anica Haxhi-Petrusheva Jankijeviq, fiziatër në Spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’.
Deformimet e shtyllës kurrizore tek fëmijët
Sistemi i muskulit kockor tek fëmijët në periudhën e zhvillimit të tyre, i është nënshtruar deformimeve të ndryshme për shkak të të ndikimit të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Mbajtja jo siç duhet e trupit, çantat shkollore tepër të rënda, qëndrimi i gjatë ulur dhe jo siç duhet në shkollë apo në shtëpi, mungesa e aktivitetit fizik, rritja e menjëhershme në pubertet, shkaktojnë çrregullimin statik të shtyllës kurrizore e cila rezulton me skoliozë apo kifozë. Skolioza është shtrembërimi anësor i shtyllës kurrizore, e cila krijon një lakim në formën e shkronjës C ose S. Fëmija ankohet nga dhimbja në pjesën torakale (gjoksit) dhe lumbare (mesit) gjatë një qëndrimi më të gjatë.
Kifoza është rritja e shtrembërimit në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore, në pjesën e kraharorit. Kjo është veçanërisht e dukshme gjatë qëndrimit ulur dhe ndiqet nga varja e dy supeve përpara.
Trajtimi
Fillimisht kryhet analiza e pozicionit të trupit, ashpërsia e gungës së shfaqur në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore në pjesën e kraharorit (për kifozat), asimetria e trupit, vendosja e një shpatulle më poshtë, sup i dalë, hark i rafshuar i shtyllës kurrizore, kënd i hdrejtë (jo simetrik) i mesit. Diagnoza e saktë vendoset me anë të radiografisë në shtyllën kurrizore. Në varësi të shkallës së gjendjes, përdoren ushtrime korrigjuese të cilat mund të kombinohen me mbajtjen e fashove elastike, ose në rastet më të rënda me korse plastike. Korrigjim i plotë apo i pjesshëm i deformitetit mund të kryhet deri në fund të periudhës së rritjes së fëmijës. Me përgatitjen e ushtrimeve terapeutike të posaçme, krijohet ekuilibri midis kockave dhe sistemit të muskujve të përbashkët. Për të parandaluar përparimin e mëtejshëm, është i nevojshëm angazhimi i profesionistëve mjekësor (fiziatër dhe fizioterapeut) me përdorimin e programeve kinezoterapeutike.
Masazhi
Ndryshimet e papritura të temperaturës e mbajnë trupin në ngërç të vazhdueshëm dhe kur muskulatura është e ngurtësuar qarkullimi bëhet më i vështirë. Për këtë arsye është i nevojshëm relaksimi i muskujve me ndihmën e masazhit. Shumë persona kërkojnë ndihmë tek masazhet mjekësore për shkak të problemeve të caktuara shëndetësore siç është mpirja, tërheqja apo ngurtësimi i muskujve ,dhimbja si dhe atëherë kur nuk mund të kryeni disa lëvizje të caktuara të cilat më parë nuk kanë qenë problem për ju. Masazhi mjekësor, relaksues dhe sportiv kryesisht rekomandohen për personat të cilët kanë probleme shëndetësore, që dëshirojnë të çlodhen dhe të zvogëlojnë nivelin e stresit. Gjithmonë, zgjidhi fizioterapistë të licencuar, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund ti shmangni efektet e padëshiruara gjatë masazhit.