Zemra është organ i cili pompon gjakun në të gjithë trupin. Kur zemra duhet të ushtrojë më tepër forcë për të pompuar sasinë standarde të gjakut për të cilën ka nevojë trupi ynë çdo ditë, ka të bëj me dobësimin e zemrës. Dr. Daniela Projevska, kardiologe, shpjegon se ekziston një gjendje e cila quhet dobësimi i anës së majtë të zemrës , e cila është më e zakonshme dhe karakterizohet me reduktim të forcës së barkushes së majtë. Gjithashtu ekziston një gjendje e rrallë por e pranishme e izolimit të dobësimit të anës së djathtë të zemrës. Dobësimi i zemrës mund të jetë i një shkalle të lehtë, të mesme dhe të rëndë.
Gjendjet të cilat shkaktojnë dobësimin e zemrës
Shkaku më i zakonshëm është presioni i lartë i gjakut, i cili nuk trajtohet siç duhet apo është i stabilizuar në mënyrë të parregullt. Sëmundja e enëve të gjakut të zemrës apo e arteries koronare mund të shkaktojë gjithashtu dobësim të zemrës. Gjendje të tjera janë:
- Sëmundjet e valvulave të zemrës, të trajtuara në mënyrë jo adekuate ose trajtimi i tyre nuk është bërë në kohë.
- Sëmundjet inflamatore të zemrës, të cilat zakonisht kanë të bëjnë me infeksione virale të panjohura dhe të patrajtuara mirë, rrallëherë sëmundje bakteriale të cilat sulmojnë muskujt e zemrës.
- Kimioterapia ose terapia me ilaçe të cilat mund të jenë kardiotoksike.
- Komorbiditete të patrajtuara, siç është trajtimi shumëvjeçarë i sëmundjes së tiroides, trajtimi jo korrekt i sëmundjes së sheqerit, si dhe sëmundje të tjera të cilat me kalimin e kohës mund të shkaktjnë dobësim të zemrës.
- Përdorimi i tepërt i alkolit apo lëndëve narkotike, ndonjëherë shkaktojnë dobësim të zemrës.
- Trajtimi jo në kohë i trombozave apo embolive pulmonare, si një shkak i zakonshëm i dobësimit të anës së djathtë të zemrës.
- Defekte të lindura të cilat janë të panjohura në pjesën e zemrës, të cilat tek pacientët adultë mund të shkaktojë dobësim të anës së djathtë të zemrës.
Si dallohet dobësimi i zemrës?
Simptomat e para që ndjejnë pacientët me dobësim të zemrës janë lodhja dhe ndjenja e dobësisë gjatë aktiviteteve normale të përditshme. Gjithashtu, tek këta pacientë shfaqet edhe mungesa e ajrit dhe ndjenja e mbytjes gjatë orëve të para të natës kur shrihen në anë, dhe më pas gjatë përpjekjeve më të mëdha fizike apo gjatë aktiviteteve të lehta. Ndjejnë rrahje të shpejta të zemrës, ju errësohen sytë dhe kanë marramendje, humbje të oreksit, dhimbje nën brinjën e djathtë dhe ënjtje në pjesën e këmbës poshtë gjurit. Shenja përfundimtare e dobësimit të zemrës është çrregullimi i funksionit të veshkave dhe i mëlçisë.
Si vendoset diagnoza e dobësimit të zemrës?
- Dëgjimi e zemrës (auscultatio) ku dëgjohet ritmi dhe shpejtësia e rrahjeve të zemrës, dhe prania e rrahjeve të parregullta të zemrës.
- Elektrokardiogrami (EKG) me anë të së cilës ndiqet shpejtësia e rrahjeve të zemrës, nëse ka apo jo aritmi, nëse ka element të pranisë së sëmundjeve koronare të zemrës ose më parë ka përjetuar infarkt në zemër, shenja të trashjes së valvulës së majtë, shenja të rëndesës së valvulës së djathtë…
- RTG të mushkërive, ku shikohet forma dhe madhësia e hijes së zemrës, mbajtja e lëngjeve në mushkëri.
- Ekzaminime të gjakut në bazë të dobësimit të zemrës, siç është peptidi natriuretik i trurit, i cili është i rritur apo i zamdhuar gjatë dobësimit të zemrës.
- Ekokardiografia është një metodë bazë e cila bazohet në shpejtësi, thjeshtësi dhe me shkallë të lartë të sigurisë përs ai përket vendosjes së diagnozës së dobësimit të zemrës.
- Testi i ngarkesës apo testi i stresit koronar, i cili vlerëson shkallën e rrahjeve të zemrës, pulsin dhe presionin e gjakut, si dhe ndryshimet e EKG-së në kushtet e ngarkesës.
- Koronarografia dhe /ose kateterizimi i zemrës për vlerësimin e e enëve arteriale të gjakut të cilat e ushqejnë zemrën, kavitetet e zemrës dhe presionin dhe përqëndrimin e oksigjenit në gjak në pjesë të ndryshme të zemrës.
- Filmimi kompjuterik i zemrës dhe enëve të gjakut, rezonanca magnetike e zemrës dhe skanimi nuklear.
Trajtimi
Dobësimi i zemrës trajtohet me anë të terapisë me ilaçe si: diuretikët, inhibitorët AKE, bllokuesit beta, terapi për presionin e gjakut, ilaçe për kontrollin e ritmit, ilaçe për hollimin e gjakut, apo e njohur ndryshe si terapia antikoagulante. Në rastet kur është e nevojshme bëhen intervenime në enët koronare të gjakut, me stentim apo operacion në formën e bajpaseve aortokoronare; trajtim të valvulave të zemrës dhe vendosje të valvulave artificiale; mbyllje të defekteve me anë të disa pajisjeve të njohura si çadra, ose me mbyllje operative; vendosje të disa llojeve të pejsmekerave (pacemakers) për sinkronizim më të mirë të mureve të zemrës, dhe për përmirësimin e forcës së zemrës ose CRT-P dhe CRT-D; vendosje të pejsmekerit i cili e ruan zemrën nga çrregullime të rrezikshme të ritmit të cilat janë kërcënuese për jetën.
Parandalimi
Sigurisht, trajtimi i duhur dhe në kohë i presionit të lartë të gjakut, trajtimi në kohë i të gjithë faktorëve të rrezikut, vendosja e kontrollit të yndyrës në gjak, kontrolli i sëmundjes së sheqerit, ndërprerja e duhanit, kontrolli i stresit, ruajtja e peshës normale trupore, si dhe përgatitja e mirë fizike, ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundje. Më të rëndësishme janë kontrollet e rregullta parandaluese, për zbulimin e sëmundjeve të caktuara të cilat më pas shkaktojnë dobësim të zemrës.
Çfarë duhet të dinë pacientët të cilët kanë dobësim të zemrës?
- Pacientët duhet të kenë mjek familjar kardiolog, të besueshëm, i cili e njeh mirë gjendjen e tyre dhe mund të dallojë edhe ndryshimet më të vogla dhe të mund të intervenojë në kohë.
- Pacienti, gjatë bisedës me mjekun kardiolog duhet të marë njohuritë bazë dhe rekomandime në lidhje me gjendjen e tyre, domethënë të mund ti dallojë ndryshimet e shfaqura.
- Ta marrin rregullisht terapinë e lëshuar nga mjeku. Në rast se kanë problem me ndonjë nga ilaçet, duhet të bisedojnë me mjekun e tyre nëse mund ta ndërprsin apo ta zëvendësojnë atë me ndonjë ilaç tjetër. Në rast se pacientët harrojnë ti pijnë ilaçet rregullisht për shkak se duhet ti pijnë ato disa herë gjatë ditës, duhet të konsultohen me mjekun nëse mund ta ndryshojnë orarin e marrjes së terapisë.
- Duhet të reduktohet përdorimi i kripës në ushqim. Të reduktohet ushqimi i cili është i panevojshëm përsa i përket sasisë dhe përmbajtjes së kalorive. Duhet të jenë fizikisht aktivë në bazë të rekomandimeve të marra. Duhet të marrin sasinë e nevojshme të lëngjeve, më pak apo më shumë se dy litra , në varësi të shkallës apo llojit të dobësimit të zemrës. Të mbajnë nën kontroll peshën trupore.
- Pacientët të cilët kanë një formë më të rëndë të dobësimit të zemrës, të cilët papritur rrisin peshën trupore, e cila mund të ketë të bëj me mbajtjen e lëngjeve në trup, dhe të cilët në të njejtën kohë kanë humbje të oreksit, dhimbje nën brinjën e djathtë, dhimbje në pjesën e këmbëve poshtë gjurit, përkeqësim të frymëmarrjes, është e nevojshme që menjëherë të konsultohen me mjekun e tyre kardiolog.
- Trajtimi i duhur dhe në kohë i çdo infeksioni respirativ, mund të parandalojë përkeqësimin e gjendjes së dobësimit të zemrës. Kujdesi ndaj reduktimit të faktorëve të rrezikut, zbulimi i sëmundjeve në kohën e duhur dhe trajtimi i duhur i tyre, ç’rrënjimi i veseve të këqija, aktiviteti fizik, ruajtja normale e peshës trupore dhe reduktimi i stresit janë metodat bazë të parandalimit të shfaqjes së dobësimit të zemrës. Të gjithë ne duhet të kujdesemi për shëndetin tonë, duke u kujdesur në këtë mënyrë edhe për shëndetin e zemrës.