Mos i anashkaloni dhimbjet e qafës!

Puna me kompjuter, të shikuarit televizion ose “shfletimi” i telefonit celular, shkaktojnë gradualisht degjenerimin e  pikave dinamike të shtyllës kurrizore në pjesën e qafës. Gjithnjë dhe në rritje është numri i pacientëve të cilët paraqiten në  ordinancën time dhe ankohen nga mpirja apo ngurtësimi si dhe dhimbja e qafës, thotë Prof. Dr. Jovica Ugrinovski, neurokirurg. Por jo vetëm kaq! Gjithnjë dhe më i madh është numri i të rinjve  të cilët ankohen nga këto probleme.

Përse shfaqen dhimbjet?

Duhet të dini se segmenti vertebral është segmenti më dinamik i shtyllës kurrizore. Këtu kryhen levizje në të gjitha drejtimet: përkulje, tërheqje, rotacion, lëvizje para –mbrapa, lëvizje anësore dhe zakonisht kombinim i të gjitha këtyre lëvizjeve. Në kushte normale, qafa është “projektuar”  për ti kryer të gjitha këto funksione pa asnjë problem. Por lëvizja e papërshtatshme e qafës,  mbajtja e qafës në pozicion të papërshtatshëm për një kohë të gjatë,  si në rastin kur jeni duke punuar me kompjuter, jeni duke parë televizion apo “shfletoni” telefonin tuaj celular, në kombinim me faktorë të tjerë,  siç është mosha, anomalitë e lindura, etj.,  shkaktojnë degjenerimin gradual të pikave dinamike të shtyllës kurrizore në pjesën e qafës. Para së gjithash, më tepër problem pësojnë disqet e qafës – “amortizatorët” e butë elastikë, të cilët gjenden në mesin e trupave të rruazave. Morfologjikisht, këto ndryshime mund të jenë në formën e një diskopatie – humbje të elasticitetit dhe forms së disqeve deri në zhvendosjen e përmbajtjes së diskut ndaj elementëve nervorë  të cilët njihen si diskus hernia apo prolapse i diskut. Në rrjedhën e mëtejshme të sëmundjes, vuajnë nyjet e vogla të cilat lidhin rruazat me njëra-tjetrën, dhe në fund të shfaqen ndryshime tek vetë trupat rruazorë në formën e osteofiteve  ose “thumba” të cilat e ngushtojnë kanalin kurrizor ose hapjet nëpërmjet të cilave dalin rrënjët e nervave.

Ngurtësimi dhe dhimbja në qafë – alarmi i parë!

Evoluimi i sëmundjes është gradual, por progresive dhe disa pika kyçe të cilat janë lajmëruese, të cila nëse lihen pas dore shkaktojnë invalitet serioz.  Pamja klinike është tipike, dhe zakonisht zhvillohet sipas kësaj renditje. Fillimisht shfaqet ngurtësim dhe dhimbje në qafë, veçanërisht kur zgjoheni në mëngjes.  Gjatë ditës këto simptoma qetësohen dhe shfaqen përsëri mëngjesin tjetër apo pas disa ditësh. Ky është alarmi i parë i cili tregon se diçka bëjmë gabim me përdorimin e qafës, apo thënë më saktësisht, e “ keqtrajtojmë” qafën.  Këto probleme  pak a shumë zgjasin me muaj ose me vite dhe shoqërohen me simptoma të reja: mpirje të gishtave të njërës apo të dy duarve, rënie të ndjeshmërisë së gishtave, dhimbje e cila përhapet nga qafe tek njëra apo tek të dyja shpatullat, më pas vazhdon tek duart, reduktim i forcës së pëllëmbës së dorës, ose me lodhje të shpejtë të duarve.

Marramendja – alarmi i dytë!

Shpesh, këta pacientë ankohen për marramendje. Ky është alarmi  i dytë i cili tregon se procesi i cili ndodh në shtyllën kurrizore tashmë shkakton presion tek rrënjët nervore dhe shkakton simtoma neurologjike.   Në rrjedhën e mëtejshme, këto simptoma shfaqen më tepër, shfaqet atrofi në muskujt e pëllëmbës së dorës,  në pjesën e krahut dha parakrahut, forca motorike e duarve është e reduktuar ndjeshëm dhe shfaqen vështirësi edhe në ecje. Kjo tashmë është një “dritë e kuqe” e cila tregon se diçka serioze po ndodh në segmentin e qafës. Në rast se nuk merreni përsipër të angazhoheni  seriozisht në këtë fazë, vështirësitë do të intensifikohen, do të shfaqen probleme gjatë ecjes, do të shfaqet dridhje e pavullnetshme e muskujve, probleme me sfinkteret dhe bllokim i pjesshëm apo i plotë i ektremiteteve. Kjo është tashmë një fazë e vonë, e cila tregon se janë shfaqur ndryshime të serioze, zakonisht ndryshime në shtyllën kurrizore të cilat kanë vështirësi për tu korrigjuar.

Cila është terapia?

Terapia veret nga pamja klinike, pesha dhe ashpërsia e ndryshimeve morfologjike vertebrale. Mund të jetë konzervative dhe operative. Terapia konzervative kryesisht ka të bëjë me mënjanimin e shkakut të këtyre ndryshimeve dhe në të njejtën kohë aplikimin e terapisë fizikale dhe ushtrimeve. Detyra kryesore e mjekut është që të identifikojë shkaqet e shfaqjes së këtyre problemeve dhe ta këshillojë pacientin se si ti shmangë ato. Ndonjëherë, vetëm ndërrimi i jastëkut apo  zhvendosja e monitorit të kompjuterit  mjafton për ti ardhur në ndihmë pacientit.  Më pas vijon terapia fizikale, balnoterapia dhe stërvitjet.  Tek ata paqcientë tek të cilët tashmë janë manifestuar simptoma neurologjike, duhet të merret në konsideratë trajtimi operativ.  Vendimin për kryerjen e operacionit e merr mjeku neurokirurg individualisht për çdo pacient. Ekzistojnë disa metoda të trajtimit operativ përsa i përket këtyre gjendjeve dhe të gjitha japin rezultate të mira në rast se veprohet siç duhet dhe në rast se nuk janë shfaqur  dëmtime të rënda të rrënjeve  nervore dhe mbi të gjitha në palcën kurrizore. Në rast se ndryshimet morfologjike të shtyllës kurrizore janë në një apo dy segmente  zakonisht aplikohet hapja apo qasja në pjesën e përparme. Në rast se këto ndryshime prekin më tepër se tre segmente atëherë aplikohet qasja në pjesën e pasme. Si për qasjen e parë ashtu edhe për qasjen e dytë ekzistojnë teknika dhe modifikime të cilat nuk do ti kisha përpunuar.  Detyra e mjekut neurokirurg  është që të zgjedhë metodën më të përshtatshme për çdo rast individualisht.

Gabimet më të shpeshta në diagnozën dhe trajtimin e këtyre gjendjeve

Gabimi më i shpeshtë është tek pacientët të cilët shpesh i neglizhojnë simptomat dhe problemet e para. përmenda dhe më parë se simptomat në fillim janë minore, ndryshimet shfaqen ngadalë,  përgjatë shumë vitesh. Pacientët mësohen me këto simptoma dhe i pranojnë ato si të pashmangshme bazuar në tezën “nëse ke spondilozë, me spondilozë do vdesësh”. Këtë tezë, fatkeqësisht e kanë pranuar edhe shumë mjekë, të cilët  i trajtojnë pacientët e tyre për vite me rradhë me analgjetikë, të cilët ndihmojnë vetëm në qetësimin e dhimbjeve, por nuk kanë asnjë ndikim në reduktimin e zhvillimit dhe trajtimin e kësaj sëmundje.  Pamja tipike e kësaj sëmundje është e ngadaltë dhe graduale, ndërkohë që diagnostikimi i saj është shumë i thjeshtë, është e pafalshme që pacientët të paraqiten në gjendje të avancuar për trajtim operativ me deficite të rënda neurologjike të cilat tërhiqen ngadalë dhe me vështirësi.

Mesazhi im është që të mos i neglizhoni  dhimbjet në qafë!  Ato janë shenjë e një gjendje që ekziston prej vitesh.

 

Shpërndaj