Sarkoma është një lloj i kancerit të indit lidhës. Në fazë të hershme sëmundja nuk shfaq simptoma. Zakonisht shfaqet si një kokërr në pjesën e gjymtyrëve dhe nuk është e shoqëruar me dhimbje në fazat e para të sëmundjes. Gjatë rritjes së sarkomës shkaktohet presion mbi organet fqinje, indet, muskujt, nervat, dhe shenjat dalluese të kësaj sëmundje janë dhimbje dhe vështirësi gjatë lëvizjes. Megjithatë, shumë sëmundje të tjera shfaqin simptoma të njejta, prandaj nëse ndjeni apo vëreni shfaqjen e ndonjë kokrre kontaktoni menjëherë mjekun tuaj.
Më shumë se 50 lloje të sarkomës
Sarkoma është një lloj kanceri i cili zhvillohet në indin lidhës, mund të prekë çdo pjesë të trupit, por zakonisht zhvillohet thellë në gjymtyrë (krahët, këmbët). Përveç gjymtyrëve ajo prek kockat, kërcin, muskujt, tendinat, enët e gjakut, nervat, indin fijor përreth nyjeve (kyçeve). Qindra mijëra pacientë dhe familjet e tyre në mbarë botën, luftojnë me këtë sëmundje. Dr. Sllavica Kraleva, onkologe-radioterapiste, thotë se ka 50 lloje të sarkomës, të cilat zakonisht ndahen në sarkoma të indeve të buta dhe sarkoma të kockave.
Historia familjare faktor rreziku për shfaqjen e sarkomës
Dr. Kraleva shpjegon se ende nuk dihet se çfarë e shkakton shfaqjen e tyre, por ekzistojnë disa faktorë të cilët ndikojnë në rritjen e rrezikut të shfaqjes së sarkomave:
- Historia familjare, nëse ndonjë anëtar i familjes ka vuajtur nga sarkoma
- Pacientë me çrregullime të kockave
- Sëmundja Pegetova
- Sëmundja gjenetike neurofibromatosis, retinoblastoma …
- Persona të cilët janë apo kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezatimit apo terapisë me rrezatim janë më të rrezikuar ndaj zhvillimit të sarkomës
Shenja e parë është shfaqja e kokrrës apo gjendrës pa dhimbje
Sarkomat e indeve të buta janë të vështira për tu diagnostikuar pasi ato shfaqen në zona të trupit të cilat janë të vështira për tu arritur. Shenja e parë është shfaqja e një kokrre pa dhimbje. Me kalimin e kohës ajo fillon të rritet duke shkaktuar në këtë mënyrë presion mbi nervat, muskujt, ndonjëherë mund të shkaktojë problem edhe gjatë frymëmarrjes. Simptoma të tjera të shfaqjes së kësaj sëmundje janë: dhimbja e kockave (dhimbje e cila gjatë natës bëhet më e fortë), ënjtja ( e cila shfaqet disa javë pas dhimbjes fillestare), shtrembërimi. Në rast se i përjetoni këto simptoma, duhet të konsultoheni me mjekun – shpjegon Dr. Kraleva për simptomat e kësaj sëmundje.
Për çdo ndryshim duhet të konsultoheni me mjekun tuaj
Sipas Dr. Kraleva, shumë shpesh sarkomat diagnostikohen gabimisht, duke I identifikuar ato me lëndime sportive. Kur të jetë vendosur diagnoza e saktë, ato tashmë janë tepër të mëdha, kanë metastazuar dhe është tepër e vështirë për ti mënjanuar me anë të trajtimit kirurgjik. Bëjmë apel për të gjithë pacientët, kur të vëreni ndonjë ndryshim në trup, menjëherë duhet të paraqiteni tek mjeku. Nuk duhet të nxirrni vetë përfundime pasi diagnoza e hershme rrit mundësitë për shërim. Testet të cilat përdoren për diagnostikimin e sarkomës janë biopsia (marrja e mostrës nga indi i sëmurë), tomografia kompjuterike, ultratingulli, rezonanca magnetike ose skanimi i kockave.
Trajtimi varet nga shkalla e sëmundjes
Zbatimi i trajtimit varet nga lloji i sarkomës, nga vendi në të cilin është zhvilluar si dhe nëse është përhapur nëpër pjesë të tjera të trupit. “Nëse është e mundur, gjëja më e mirë është mënjanimi kirurgjikal i plotë i sarkomës. Operacioni zakonisht shoqërohet në kombinim me kimioterapinë dhe radioterapinë. Kimioterapia dhe radioterapia mund të aplikohet para kryerjes së operacionit me qëllim për ta zvogëluar tumorin, si dhe pas operacionit me qëllim për ti shkatërruar qelizat e mbetura pas intervenimit. Në rast se nuk ekziston mundësia e kryerjes së intervenimit kirurgjik, radioterapia mund të përdoret si trajtimi kryesor për shërimin e kësaj sëmundje”.
Në spitalin klinik “Acibadem Sistina” për këtë qëllim përdoret akseleratori TRILOGY i cili është aleati më i fuqishëm në luftën kundër kancerit. Edhe kimioterapia mund të aplikohet për trajtimin e sarkomës. Terapia target (terapia e synuar) është një lloj i ri trajtimi i cili vepron drejtpërdrejtë tek qelizat e tumorit dhe pengon rritjen e përhapjes së tyre.