Kriptorhizëm është kusht apo gjendje ku njëra apo të dyja testiset gjatë periudhës së zhvillimit fetal nuk kanë zbritur përmes kanalit inguinal në skrotum. Normalisht, procesi i zbritjes së testiseve ndodh pas javës së 28 të shtatzënisë. Por për fat të keq, tek disa foshnja ky ndryshim nuk ndodhë para lindjes dhe testisi ndalon ose në pjesën e parë të vendit në të cilin zhvillohet në hapësirën e barkut ose gjatë rrugës së tij drejt skrotumit ndalon në kanalin inguinal. Tek një pjesë e këtyre foshnjave, gjendja korrigjohet dhe testiset zbresin gjatë muajve të parë të lindjes. Mjekët pediatër thonë se kjo gjendje është mëse normale tek bebet e lindura para kohe. Zakonisht bëhet fjalë vetëm për njërin testis, tek 10% e tyre ndodhe që të mos zbresin të dyja testiset.
Shenja kryesore e cila tregon se keni problem me ‘zbritjen e testiseve’ është nëse nuk i shihni apo nuk i ndjeni gjatë prekjes të dy testiset.
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Këshillohen të gjithë prindërit që gjatë momentit të larjes së foshnjave të tyre t’i kontrollojnë testiset. Mos zbritja e testisit zakonisht vërehet menjëherë pas lindjes. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse gjendja nuk ndryshon gjatë katër muajve të parë të lindjes së bebes. Trajtimi për zbritjen e testiseve ndërkohë që fëmija është më i vogël reduktone shfaqjen e komplikimeve gjatë jetës së mëtejshme të fëmijës, siç është infertiliteti apo mundësia e shfaqjes së kancerit. Tek adoleshentët tek të cilët të dy testiset kanë zbritur normalisht, ekziston mundësia që me kalimin e kohës ato të tërhiqen përsëri duke u ngjitur lart. Testisi i tërhequr lart, mund të lëvizë mund të jetë i lëvizshëm (lëviz para dhe mbrapa). Ky ndryshim ndodh për shkak të rënies së muskulit të skrotumit (scrotum).
Shkaqet
Shkaku i saktë i mos zbritjes së testiseve nuk është bërë ende i ditur. Kombinimi i gjenetikës, shëndeti i nënës, stresi, marrja e terapisë hormonale dhe faktorët e jashtëm.
Faktorët e rrezikut
Faktorët e rrezikut të cilat mund të bëjnë të mundur moszbritjen e testiseve:
- Lindja me peshë trupore të ulët
- Lindja e parakohëshme
- Historia familjare me të njejtin problem apo me probleme të tjera me organet gjenitale
- Sindromi Down
- Pirja e alkoolit gjatë shtatzënisë
- Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë
- Pesticidet
- Komplikimet gjatë shtatzënisë
Komplikimet
Nëse testisi nuk zbret pas përfundimit të pubertetit janë të mundshme komplikimet e mëposhtme:
Kanceri testikular – ky lloj kanceri zakonisht shfaqet tek personat të cilët kanë pasur problem me zbritjen e testiseve. Mundësitë për shfaqjen e këtij kanceri rriten nëse testiset nuk zbresin deri në moshën 7 vjeçare. Për ti shmangur këto komplikime, rekomandohet zgjidhja kirurgjike e këtij problemi. Mundësia për zhvillimin e këtij kanceri, konsiderohet të jetë më e madhe nëse testiset nuk zbresin në mënyrë natyrale ose me ndihmën e kirurgjisë. Nëse edhe gjatë operacionit, kirurgët nuk mund ta gjejnë testisin, mund të bëhet fjalë për ndonjë problem i cili është shfaqur që në shtatzëninë e hershme të nësës, gjatë zhvillimit të fetusit. Pas zbritjes së testisit në qesen testikulare e cila gjendet menjëherë pas penisit , përmirësohet ndjeshëm fertiliteti (pjelloria).
Problemet me fertilitetin – konsiderohet që meshkujt të cilët kanë problem me zbritjen e testiseve, në të ardhmen do të kenë probleme me reduktimin e numrit të spermatozoideve, cilësisnë e spermës si dhe probleme me fertilitetin. Nëse kjo gjendje nuk trajtohet, mund të përkeqësohet akoma më tepër.
Përdredhja e testisit – kjo gjendje mund të shkaktojë gjakderdhje dhe dhimbje. Nëse nuk trajtohet në kohë dhe siç duhet mund të rezultojë me humbje të testisit. Edhe traumat dhe hernia inguinale mund të shkaktojnë komplikime.
Trajtimi
Qëllimi i trajtimit është që testiset të arrijnë në vendin e duhur në skrotum. Nëse trajtimi kryhet para se fëmija të mbushë një vjeç, zvogëlohen komplikimet që kanë të bëjnë me infertilitetin dhe shfaqjen e kancerit të shkaktuar nga ky problem. Sa më herët që të kryhet operacioni aq më mirë. Intervenimi rekomandohet të bëhet para se fëmija të mbush 18 muaj.
Trajtimi kirurgjik
Nëse tek fëmija njëri testis nuk ka zbritur, zakonisht problemi zgjidhet anë të intervenimit kirurgjik. Kjo procedurë mund të kryhet me kirurgji të hapur ose me laparaskopi. Prandaj, në rastet kur duhet të kryhet intervenimi, është mirë që të bisedoni me doktorin tuaj, pasi intervenimi varet nga gjendja shëndetësopre e fëmijës si dhe nga lloji apo pesha e operacionit. Doktorët këshillojnë se mënyra më e mirë për ta kryer këtë operacion është duke filluar nga muaji i 6 deri në muajin e 12 të fëmijës. Ndonjëherë ndodh që testisi të jetë i zhvilluar dobët, të ketë ind të dëmtuar apo ind të vdekur. Nëse vogëlushi juaj ka hernia inguinale të shoqëruar me problem të zbritjes së testisit, gjatë momentit të intervenimit të testisit mund të korrigjohet edhe hernia. Pas intervenimit, kirurgu do ta ndjekë situatën apo gjendjen e testiseve për të parë nëse ato vazhdojnë të zhvillohen normalisht, nëse funksionojnë normalisht dhe nëse kanë zënë vendin e duhur në skrotum. Ky monitorim (ndjekje) përfshin ekzaminimin fizik, kontroll me ultratingull në skrotum, test për nivelin e hormoneve, terapi hormonale. Terapia hormonale përfshin injektimin e HCG (human chorionic gonadotropin).