Ndotja e ajrit është një faktor nxitës për shumë sëmundje

Më shumë se 2,500 njerëz vdesin çdo vit në Maqedoni për shkak të ajrit të ndotur! Shifrat alarmante, e bëjnë ndotjen e ajrit  “vrasës të heshtur”, krah për krah me sëmundjet e tjera të rënda.

Shifrat janë ende më të frikshme në shkallë botërore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit për një vit vret rreth 5 milionë njerëz në mbarë botën. Vlerësimet tregojnë se nga 10 persona vetëm një thith ajër të pastër. Dr. Kamelija Bushljetiq, pulmoalergologe, në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” , Shkup,  paralajmëron se ndotja e ajrit do të shkaktojë rritje drastike të numrit të personave të sëmurë me kancer të mushkërive, goditjeve në tru dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

“Rritet numri i personave të sëmurë nga kanceri në mushkëri, sëmundja kronike pulmonare obstructive, goditja në tru, sëmundjet kardiovaskulare si dhe infeksionet respirative akute. Secili nga ne është i rrezikuar përsa i përket dëmtimit serioz të shëndetit. Mbi 2500 njerëz vdesin çdo vit në Maqedoni si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Ne mund të kemi predispozicion gjenetik të ndonjë sëmundje të caktuar, por ata nuk do të manifestohen pa faktorët e mjedisit të jashtëm, dhe një nga faktorët kryesorë është ndotja e ajrit.”, thotë Dr. Kamelija Bushljetiq.  Ajo paralajmëron se gjendja është alarmante dhe se kërkon më tepër ndërgjegjësim  nga qytetarët dhe se nuk duhet humbur kohë duke kërkuar fajtorin,por duhet reaguar menjëherë.

“Ndotësit e ngjyrosin ajrin, dhe ne rrallë kemi mundësi të shijojmë bukurinë e tij, ajrin e pastër dhe ngjyrën e kaltër të qiellit. Nuk më kujtohet se kur ka qenë hera e fundit që ti kam thënë dikujt që të marrë frymë thellë dhe ta shijoj jetën. Kjo do të ishte një rrezik për jetën.”, thotë Dr. Bushljetiq.

Ndotja e ajrit është një nga nëntë faktorët në botë të cilët ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të vdekjes së njerëzve. Në nivel europian, vlerësimet dëshmojnë se nëse nga konsumi i duhanit humbasin jetën 8 milion njerëz në vit, nga ndotja e ajrit vdesin 7 milion njerëz në vit. Të gjithë ne jemi përgjegjës për atë që ndodh në qytetin apo në rajonin tonë. Dr. Bushljetiq thotë se 92 përqind e njerëzve në botë, thithin ajër  shumë më të ndotur nga parametrat e lejuara. Sipas Organizatës Shëndetësore Botërore, në Maqedoni grimcat 2,5 PM janë tre deri në pesë herë më të shumta nga parametrat e lejuara.

Shpërndaj