Neuralgjia është një dhimbje shumë e fortë dhe e padurueshme, e cila ndonjëherë është e shoqëruar me mpirje të fytyrës apo trupit. Kjo lloj dhimbje shfaqet si pasojë e dëmtimit të drejtpërdrejtë të nervit. Në varësi të nervit të prekur varet edhe vendi i shfaqjes së dhimbjes.
Dhimbja është shenja e parë
Dr. Lulzim Agai, neurokirurg, shpjegon se dhimbja është tepër e pakëndshme, zakonisht bëhet kronike dhe rezistente ndaj ilaçeve analgjezike (për qetësimin e dhimbjeve) gjë e cila e bën shumë më të vështirë trajtimin. “Neuralgjitë i emërtojmë në varësi të nervit të prekur. Një nga rastet më të zakonshme është neuralgjia trigeminale, më pas glosofaringeale, okcipitale, etj. Këto dhimbje shfaqen në kokë. Neuralgia shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit, atëherë kur nervat janë të dëmtuara në zona të ndryshme (psh. Neuralgjia interkostanale shfaqet si pasojë e prekjes së nervit intercostal I cili gjendet ndërmjet brinjëve)”.
Zakonisht shfaqet tek gratë
Sipas Dr. Lulzim Agait, neuralgjia më e shpeshtë është trigeminale. Statistikat botërore tregojnë shfaqjen e këtyre 5 rasteve tek 100. 000 persona, me një incidencë në rritje tek gratë. Zakonisht kjo shfaqet tek gratë që i përkasin moshës 50 vjeçare dhe më të vjetra.
Neuralgji trigeminale – dhimbje në fytyrë
Neuralgjia trigeminale manifestohet me dhimbje të papritura dhe të forta si një gjendje shoku apo si shpim me thikë në zonën e fytyrës. Ndonjëherë mund të ndjeni djegie. Kjo dhimbje mund të zgjasë nga disa sekonda deri në disa minuta. ”Ndonjëherë shfaqja e dhimbjes, provokohet për shkak të ndonjë arsye, për shembull prekja në pjesën e hundës, buzëve, syve apo në pjesën e brendshme të gojës. Ajo është një ndjenjë shumë e pakëndshme, e cila mund të shkaktoj frikë tek pacienti ndaj aktiviteteve të përditshme siç është : të folurit, larja e dhëmbëve, të ushqyerit, puthjet, etj. Ajo krijon frustrime të forta të cilat e bëjnë jetën më të vështirë” – shpjegon Dr. Agai
Përse shfaqet?
Ka disa supozime në lidhje me shfaqjen e saj: njëra ka të bëj me pulsin e nervit, gjatë së cilit impulset përhapen në mënyrë të parregullt, e cila rezulton me dhimbje. Mund të jetë si rezultat i procesit të plakjes, sklerozës multiple (të shumëfishtë), por edhe nga presioni i shkaktuar nga tumori apo nga ena e gjakut.
Diagnozë me vetëm disa hapa
Dr. Agai shpjegon se për gjetjen e diagnozës është e nevojshme kryerja e disa hapave apo veprimeve. Niset me dëgjimin e vëmendshëm të simptomave të pacientit (lloji i dhimbjes, frekuenca, vendndodhja, ilaçet e marra), më pas vijon kontrolli klinik. “Rekomandohet kontroll stomatologjik, për të parë nëse gjithçka është në rregull me dhëmbët dhe strukturat përreth. Nëse është e nevojshme, kërkohet mendim edhe i doktorit të syve dhe i doktorit të ORL-së, në mënyrë që të mos shfaqen probleme në këto fusha. Përfundimisht pacienti dërgohet për të bërë rezonancën magnetike në tru, për të përjashtuar praninë e tumorit në tru, si shkaktar i mundshëm i shfaqjes së dhimbjes”.
Llojet e trajtimit
Ka disa lloje të trajtimit: nis me ilaçe kundra dhimbjes, më pas vijon procedura me gjilpërë. “Në rast se nuk arrihet efekti apo rezultati i dëshiruar nëpërmjet kësaj forme, dhe dhimbja vazhdon të bëhet e padurueshme, atëherë merret në konsideratë kryerja e intervenimit kirurgjik, duke bërë ndarjen e enës së gjakut nga nervi i prekur dhe ndërmjet tyre vendoset një material i veçantë kirurgjik, i cili do ti mbajë të ndara këto dy struktura anatomike. Gjatë viteve të fundit , rrezatimi gama përdoret si një metodë trajtimi”.
Rizotomia ndijore
“Për fat të keq, ka shfaqje të rasteve shumë të rralla, kur të gjitha format e trajtimit nuk japing rezultat dhe dhimbja vazhdon të jetë e pranishme. Në këtë rast , zgjidhja e problemit bëhet me anë të prerjes kirurgjikale në pjesën e ndjeshmërisë së nervit (rizotomia ndijore).