Para se t’i përkushtoheni kryerjes së ushtrimeve, duhet patjetër të konsultoheni me mjekun tuaj, për të ditur se cilat ushtrime ju përshtaten më mirë juve, lidhur me psikofizikën e organizmit tuaj. Do të numërojmë disa informacione bazë dhe të dobishme lidhur me normën e zemrës gjatë kryerjes së ushtrimeve dhe parametrat të cilat janë domosdoshmërisht të nevojshme për t’i ndjekur për të patur shëndet optimal dhe aktivitet fizik.
Tek të rriturit vlera normale e pulsit gjatë periudhës kur jeni të relaksuar është 60-100 rrahje në minutë. Pulsi më i ulët zakonisht nënkupton funksionin më efikas të zemrës në sistemin kardiovaskular.
Për të kontrolluar rrahjet e zemrës thjeshtë duhet të kontrolloni pulsin. Ktheni pëllëmbën e dorës lartë, vendosni dy gishta në kyçin e gishtit të madh, ose vendosni majat e tre gishtave të mesëm të dorës në anët e grykës. Kur të ndjeni pulsin numëroni rrahjet për 10 sekonda. Kohën mateni me kohëmatës ose me anë të orës në dorën tjetër. Shumëzoni numrin e rrahjeve me 6 për të marrë numrin e rrahjeve në minutë.
Mbani mend se shumë faktorë ndikojnë në rrahjet e zemrës:
– Niveli i aktivitetit
– Niveli i gjendjes fizike
– Temperatura e ajrit
– Gjendja e trupit
– Gjendja emocionale
– Përdorimi i disa ilaçeve
Edhe pse kufijtë e funksionimit normal të zemrës janë të gjërë, pulsi tepër i lartë apo i ulët, mund të jetë sinjal i disa problemeve. Prandaj, nëse pulsi i zemrës tuaj i tejkalon 100 rrahje në minutë gjatë kohës kur nuk merreni me asnjë aktivitet dhe jeni të relaksuar (takikardi), ose është nën 60 (bradikardi), veçanërisht nëse keni humbje ndjenjash, marramendje, apo nëse ndiheni gjatë gjithë kohës të lodhur, duhet patjetër të kontaktoni mjekun.