Përse fëmija im nuk han?

Pothuajse nuk ekziston nënë e cila nuk shprehet "fëmija im nuk han mjaftueshëm".  Shumica prej jush, me siguri e dinë se sa frustrues është fakti kur fëmija e refuzon ushqimin, veçanërisht kur i ofrojmë fëmijës ushqim të ri, apo akoma më keq, kur i ofrojmë atij ushqimin të cilin e ka ngrënë më parë dhe tani refuzon atë  kategorikisht.  Shumica e fëmijëve e bëjnë këtë gjë herë pas here, ndërsa  për një përqindje të vogël të tyre  kjo gjë është "mënyrë jetese".

Pothuajse nuk ekziston nënë e cila nuk shprehet “fëmija im nuk han mjaftueshëm”.  Shumica prej jush, me siguri e dinë se sa frustrues është fakti kur fëmija e refuzon ushqimin, veçanërisht kur i ofrojmë fëmijës ushqim të ri, apo akoma më keq, kur i ofrojmë atij ushqimin të cilin e ka ngrënë më parë dhe tani refuzon atë  kategorikisht.  Shumica e fëmijëve e bëjnë këtë gjë herë pas here, ndërsa  për një përqindje të vogël të tyre  kjo gjë është “mënyrë jetese”.

Përse ndodh kështu?

Shkak për këtë mund të jenë faktorë të ndryshëm, prandaj këto faktorë duhet të zbulohen me kujdes, në mënyrë që të mund t’i vijmë në ndihmë fëmijës, por edhe prindit, në mënyrë që ta kapërcejë më lehtë këtë gjendje të mundimshme. Sigurisht, gjëja e parë që mendojmë është se fëmija nuk e pëlqen ushqimin që i ofrojmë. Fëmijët me të cilët komunikojmë lehtë, do të na bëjnë të ditur vetë se ushqimi që i ofrojmë nuk i pëlqen. Në raste të tilla mund ta zëvendësojmë atë me diçka tjetër. Por, një problem i vërtetë është atëherë kur fëmija refuzon çfarë do lloj ushqimi. Në këtë rast mund të bëhet fjalë për arsye të ndryshme. Në raste të tilla duhet të kemi parasysh:

Përzgjedhja e ushqimit

Në periudha të caktuara , veçanërisht, ndërmjet moshës dy dhe tre vjeçare të fëmijës, karakterizohen me një përzgjedhje të madhe përsa i përket ushqimit. Ndryshe nga periudha e të ushqyerit me gji gjatë të cilës rritja është më intensive, në këtë periudhë shfaqet një ngadalësim i rritjes i cili shoqërohet edhe me reduktimin e oreksit tek fëmija. Kjo është gjithashtu një periudhë intensive e zhvillimit kognitiv, ku fëmija shpreh interes për mjedisin përreth dhe moshatarët e tij saqë shpesh “nuk i bie kohë për të ngrënë”. Përzgjedhja e ushqimit është pjesë normale e procesit të zhvillimit të fëmijës. Është shumë e rëndësishme mënyra se si sillen prindërit, nëse nuk tregojnë mirëkuptim dhe insistojnë ti ushqejnë ata me vakte të bollshme, vetëm sa e rrisin më tepër neveritjen e fëmijës ndaj ushqimit. Nga ana tjetër, disa fëmijë, duke u përpjekur që ta përmbushin dëshirën e prindërit, pranojnë më tepër ushqim nga ajo që realisht kanë nevojë, gjë e cila shkakton zhvillimin e yndyrës.

Alergjia e shkaktuar nga ushqimi

Humbja e oreksit dhe neveria ndaj ushqimit mund të shfaqet si pasojë e alergjive të caktuara ndaj ushqimit. Ushqimet të cilat shkaktojnë alergji, mund të shfaqin një numër të madh problemesh përsa i përket vështirësive digjestive – të përziera , të vjella, jashtëqitje të shpeshta, gjë e cila tek fëmija mund të shkaktoj dehidratim dhe në të njëjtën kohë bën që fëmija ta refuzojë ushqimin, ndonjëherë shfaq dhe ndjenjën e frikës ndaj ushqimit në përgjithësi. Mënyra e parregullt e të ushqyerit – para televizorit, me lodra të ndryshme ose gjatë lojërave me kompjuter, fëmija ushqehet në mënyrë mekanike dhe zakonisht nuk e përtyp mjaftueshëm ushqimin. Kur të gjendet në kushte pa televizor, kompjuter apo lodra do ta refuzojë ushqimin. Prindi duhet të fokusohet vetëm tek ushqimi gjatë kohës kur është duke ushqyer fëmijën, të mos i lëshojë fëmijës filma të animuar, lojëra në kompjuter apo të mundohet ta hutojë me lodra të tjera, apo ta lejojë atë  gjatë vaktit të ushqimit t’i kthehet lojës.

Refuzimi i ushqimit

Refuzimi i ushqimit tek fëmija mund të shfaqet edhe për shkak të mbindjeshmërisë, veçanërisht për karakteristika të caktuara të ushqimit si:

  • Konsistenca (ushqimi në formë pureje, i lëngshëm, tepër i trashë, ngjitës, etj.)
  • Era (për shkak të pranisë së qepës, hudhrës, erëzave, etj.)
  • Ngjyra (e cila i zgjon ndjesi të pakëndshme)
  • Pamja e përgjithshme

Ushqimet e gabuara

Duke konsumuar vetëm ushqime të shpejta si sandviçë, hot-dog, etj. (ushqime të cilat përmbajnë tepër yndyrë, sheqer dhe shumë pak proteina, vitamina dhe minerale) bëjnë të mundur refuzimin dhe neveritjen ndaj ushqimeve të shëndetshme tek fëmija. Mënyra e të ushqyerit siç duhet, tek fëmija duhet të zhvillohet që në hapat e parë.  Prindi duhet të jetë shembull për fëmijën dhe nuk duhet të konsumojë asnjëherë ushqime të pashëndetshme në prani të fëmijës.  Është shumë e rëndësishme që të mos konsumoni patatina apo produkte të tilla ndërmjet vakteve ngrënëse pasi ato e shuajnë oreksin tuaj dhe bëjnë që të mos ushqeheni siç duhet gjatë vakteve të rregullta.

Kapërcimi i qëllimshëm i vakteve

Kapërcimi i qëllimshëm i vakteve veçanërisht gjatë moshës së adoleshencës, me qëllim për të reduktuar peshën trupore, shkakton gradualisht zvogëlimin e oreksit dhe bën që ta refuzoni ushqimin.  Arsyeja për këtë është zakonisht pamja fizike, identifikimi me bashkëmoshatarët, pakënaqësia ndaj pamjes tuaj. Kapërcimi i vakteve apo refuzimi i disa ushqimeve të caktuara, me kalimin e kohës mund të shkaktojnë anoreksi.  Çrregullimi i orareve të vakteve, veçanërisht fakti që adoleshentët dalin gjatë orëve të vona, bën që ata ta refuzojnë ushqimin.  Në fund të ditës, disa fëmijë ndihen tepër të lodhur saqë i zë gjumi pa ngrënë, veçanërisht fëmijët e vegjël, nxënësit dhe sportistët. Për këtë arsye vaktet duhet të jenë të rregullta dhe në kohën e duhur.

Sëmundjet

Çdo sëmundje e redukton oreksin dhe është normale që çdo fëmijë i sëmurë ushqehet më pak se çdo fëmijë tjetër i shëndetshëm. Në raste të tilla nuk ka vend për shqetësim, pasi fëmija të shërohet i rikthehet përsëri oreksi dhe fëmija fillon të ushqehet normalisht. Kur fëmija është sëmurë, prindi duhet të insistojë që fëmija të pijë sa më shumë lëngje, veçanërisht nëse fëmija ka temperaturë apo është i dehidratuar për shkak të të vjellave dhe jashtëqitjeve të shpeshta. Fëmijët në mënyrë intuitive e dinë se për sa ushqim kanë nevojë.  Prindërit duhet të jenë realë dhe të vetëdijshëm se fëmija nuk mund të hajë në mënyrë të barabartë me të rriturit. Sikurse prindërit, po ashtu edhe fëmija nuk mund të konsumojë çdo ditë të njëjtën sasi ushqimi. Nëse fëmija han më pak edhe atëherë kur nuk ka shenja të ndonjë sëmundjeje, prindi nuk duhet të alarmohet. Duhet të jemi të vetëdijshëm se mbipesha nuk është shëndet por sëmundje. Fëmija duhet të mësohet të ushqehet me rregull dhe jo me tepricë. Prindi duhet të jetë një shembull i mirë për fëmijën përsa i përket rregullave të të ushqyerit.

 

Shpërndaj