Secilit prej nesh na ka ndodhur që për shkak të ngjirrjes së zërit ta humbasim atë. Edhe pse kjo gjë shpesh herë nuk është e rrezikshme, gjithjësesi është diçka e sikletshme. Sipas Dr. Aleksandar Lazarevski, otorinolaringolog në Spitalin klinik “Acibadem Sistina’, shkaqet e humbjes së zërit mund të jenë të ndryshëm, zakonisht bëhet fjalë për inflamacion akut viral, të fytit dhe telave të zërit.
Shkaqe të tjera të humbjes së zërit mund të jenë edhe infeksionet bakteriale të rrugëve të frymëmarrjes, alergjitë, irritimi i shkaktuar nga kimikatet, ndotja e ajrit, pirja e duhanit, refluksi gastroezofageal (kthimi i ushqimit mbrapsht), abuzimi me zërin, kollitja e zgjatur, nodulet, polipet ose cistet e shfaqura tek telat e zërit, kanceri i laringut, etj. Tek disa persona, ndryshimi i zërit mund të shfaqet edhe si sëmundje profesionale për shkak të të kënduarit apo të të folurit të tepërt, për shkak të ekspozimit ndaj pluhurit ose të lëndëve kimike irrituese, etj. Nëse vëreni se ju ka ndryshuar zëri, e keni zërin të ngjirrur ose e keni humbur atë, duhet të kryeni kontroll tek mjeku otorinolaringolog.
Si shfaqet ngjirrja e zërit?
Kur ju flisni, ajri kalon nëpër telat e zërit, dhe me anë të dridhjes së tyre, formohet zëri. Nëse për ndonjë arsye, shfaqet ndryshim i mënyrës së dridhjes së telave të zërit, atëherë shfaqet ndryshim i zërit tënë në varësi të volumit dhe intensitetit. Zëri ndryshon dhe bëhet më i heshtur, i rëndë dhe pjesërisht i pakuptueshëm. Marrja e të ftohtit, e ndryshon funksionin e telave të zërit, pasi fyti është i acaruar dhe ju ndjeni dhimbje, telat e zërit ënjten dhe kjo gjë ndikon në mënyrën se si ato dridhen, si rezultat i kësaj shfaqet ngjirrja e zërit. Pushoni, kursejeni zërin dhe pini sa më shumë lëngje, dhe volumi i telave të zërit do të kthehet në gjendje normale. Inhalimet ndikojnë në përshpejtimin e procesit të shërimit.
Konsultimi dhe kontrolli me otorinolaringolog
Edhe nëse ngjirrja e zërit kalon për disa ditë, përsëri, ju duhet tëmerret ndihma mjekësore, për të shmangur komplikimet e mundshme. Patjetër duhet të kërkoni ndihmë mjekësore nëse ngjirrja e zërit shoqërohet me simptoma të tjera siç janë: vështirësia në frymëmarrje, reaksionet alergjike, dhimbjet e forta në fyt, kollitja e theksuar, rritja e temperaturës së trupit, etj. Nëse ngjirrja zgjat për një kohë më të gjatë, ka të ngjarë që të jenë krijuar ndryshime afatgjata të telave të zërit, siç është shfaqja e noduleve, ënjtja kornike apo shfaqja e polipit. Ndryshimi i zërit zakonisht është simptomi i parë edhe në rastin e sëmundjeve malinje të laringut. Në raste të tilla, zbulimi në kohë i sëmundjes, zakonisht do të thotë edhe shërim i plotë.
Mbani mënd
Nëse ngjirrja e zërit zgjat më shumë se dy apo tre javë, duhet menjëherë të kontaktoni mjekun otorinolaringolog dhe të kryeni kontroll laringoskopik.