Kujdesi për fëmijën tuaj mund të jetë i mundimshëm. Por mos u dëshpëroni, ka momente tepër të bukura gjatë rritjes së fëmijës tuaj, nga të cilat do të merrni një eksperiencë vërtetë të paharrueshme. Në këtë numër do t’ju shpjegojmë se çfarë duhet të prisni gjatë gjashtë muajve të parë të zhvillimit të bebes tuaj.
Muajin e parë – fëmija ushqehet në intervale të rregullta
Që nga dita e parë, fëmijët ushqehen vetëm me qumështin e nënës. Nëse nëna nuk ka qumësht të mjaftueshëm, mund të perdoret qumështi me formulë (qumësht artificial i adaptuar). Në muajin e parë, shumica e të porsalindurve, konsumojnë 75-100 ml qumësht në vakt, në intervale të rregullta kohore. E folura e tyre manifestohet në formën e disa tingujve të ngjirur të cilat më pas shndërohen në belbëzime deri në fund të muajit të parë. Bebet kanë nevojë për aroma të lehta, pëlhura të buta, kanë nevojë që t’ju flasësh, t’ju lëshosh muzikë të qetë dhe jo me ton të lartë. Lëvizjet e shpejta të bebeve bëhen më të qeta me pjekjen e sistemit nervor dhe kontrollin e muskujve të tyre. Veprimet e tyre janë më tepër reflekse ( si thithja e gjirit apo mbledhja e dorës grusht të cilat i mbajnë pothuajse gjithë kohes në gojë). Bebet gjatë gjashtë muajve të pare nuk mund ta kontrollojnë peshën e kokës së tyre. Funksioni i tyre shprehet me anë të lëvizjeve reciproke me përthyerejen dhe shtrirjen e e kyçeve dhe kockave të tyre.Nënat këshillohen që të përdorin shprehje të thjeshta dhe të gjalla, dhe t’ju drejtohen fëmijëve në emër.
Muaji i dytë – shikimi tek fëmijët bëhet i mprehtë
Në muajin e dytë fëmija fillon të bëjë disa reagime apo shoqërime të thjeshta, ‘nëse fillon të qajë – menjëherë do ta marrim në krahë’ . Ndërgjegjësimi i stimujve të jashtëm rritet. Në këtë periudhe zakonisht fëmijët komunikojnë me të qarë. Fillon të shprehë tinguj si ‘au –au’ ose ‘ou-ou’, fillon të hapë dhe mbyllë me kujdes pëllëmbët e duarve, fillon të lëvizë këmbët dhe mundohet ta ngre kokën, etj. disa reflekse humbasin. Shikimi i bebes bëhet i qartë, fillon të ndjekë objekte me shikim si dhe të komunikojë me njerëzit me anë të shikimit. Gjatë natës fëmija mund të zgjohet disa herë për shkak të dhimbjeve të barkut të cilat zakonisht zhduken pas muajit të tretë të fëmijës. Nënat këshillohen që t’i veshin fëmijët e tyre më trashë, pasi fëmijët ende nuk kanë kontroll të definuar të temperaturës.
Muaji i tretë – Fëmija fillon të belbëzojë
Në muajin e tretë fëmija fillon ti përgjigjet reflektimit të tijë në pasqyrë me buzëqeshje. Ndodh që gjatë pirjes qumësht nga gjiri i nënës, mund ta ndërpresë atë për të dëgjuar zërin e prindit, fillon të belbëzojë, për më tepër kur dëgjon zëra, ju bashkohet atyre duke bërë ‘gu-gu’ apo ‘ga-ga’ apo duke qeshur. Kur do të arrijë diçka i shtrin duart drejt atij objekti apo personi. Nëse e shtrini në kurriz, vë në lëvizje në të njetën kohë si duart edhe këmbët, ndërsa nëse e shtrini barkas, mundohet që ta mbajë kokën ngritur. Fuqia e lëvizjes së këmbëve rritet, veçanërisht në pjesën kukut(këllqet) dhe të gjunjëve. Nëse fëmija nuk reagon ndaj zërave apo zhurmave, mund të ndodh për shkak të ndonjë dëmtimi të mundshëm në vesh. Lëvizja e syve duhet të jetë në të njejtën linjë, si dhe fëmija duhet të jetë në gjendje t’a përqëndrojë shikimin e tij në një pikë.
Muaji i katërt – arrin t’a njohë zërin e nënës në mes të zërave të tjerë
Në muajin e katërt fëmija t’i dallojë apo t’i ndjejë njerëzit dhe vendet e huaja. Mund të komunikojë me veten duke belbëzuar, por jo vetëm me veten edhe e të tjerët. Ngre zërin sikur kërkon të bëjë ndonjë pyetje, arrin të dallojë zërin e nënës mes zërave të tjerë, arrin ti dallojë personat më të afërt të familjes. Komunikoni me ta, ashtu siç bëjnë ata me ju, imitoni tingujt apo zërin që lëshon fëmija juaj duke iu afruar përballë fytyrës, duke treguar në këtë mënyrë interes ndaj tyre. Në këtë periudhë fëmija fillon të mbajë artikuj në duar, duke luajtur me trokitëse duke e vendosur atë në gojë, mëson që ta hedhë peshën e tij nga njëra anë në anën tjetër, apo të rrotullohet në krevat. Forcohet pjesa e sipërme e trupit dhe duart, mund të ulet vetëm për një moment nëse ju qëndroni pranë duke e mbajtur. Edhe në këtë pozicion mundohet që t’a ruaj ekuilibrin, në këtë periudhe gjithashtu mund të fillojë të ushqehet me pure frutash dhe lëngje. Shikon ngjyrat, përshtatet me distanca të ndryshme dhe arrin të dallojë edhe thellësinë e hapësirës.
Këshillë
Për shkak të rënies kalimtare të imunitetit (humbja e antirupave të nënës), fëmija mund të marrë ftohje. Nëse simptomat zgjasin, duhet të lajmëroni menjëherë mjekun.
Muaji i pestë – fëmija flë dy herë gjatë ditës dhe gjithë natën.
Në muajin e pestë, fëmija lëshon objekte nga dora, në mënyrë që t’a shikojë prindi momnetin që ai do ta rimarë përsëri. Shikon se si bie në ç’vend të dyshemesë bie objekti apo lodra e tij. Mundohet të ndjekë lëvizjen e buzëve të atij personi me të cilin komunikon dhe mundohet t’a përsërisë atë. Mundohet t’i shqiptojë gërmat M dhe B. Kërkon të marrë dhe të japë gjëra të cilat i tërheqin vëmendje, mundohet që ta mbajë vetë me dy duar shishen me qumësht apo me lëng. Arrin t’a kontrollojë më mirë trupin, qafën dhe kokën. Gjatë qëndrimit të tij shtrirë në bark, e ngre kokën dhe arrin ta kontrollojë atë për disa sekonda duke e mbajtur ngritur. Kur e merrni në duar, fëmija e mban trupin fort, pa u lëkundur tepër nga njëra anë në tjetrën. Kur qëndrojnë shtrirë në kurriz, i kapin këmbët e tyre duke i çuar gishtat e këmbëve në gojë. Gjatë kësaj periudhe fëmijët janë të gatshëm për ushqime të pasura me hekur, si spinaqi dhe perime të tjera jeshile të cilat ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin e tyre, dhe mund t’ia tërhiqni lehtë vëmendjen fëmijës tuaj nga gjiri. Disa fëmijë fillojnë të heqin dorë krejtësisht nga të ushqyerit me gji. Fëmija flë dy herë në ditë dhe gjithë natën.
Muaji i gjashtë – fëmija qëndron vetëm
Në muajin e gjashtë fëmija mund të parashikojë shkakun dhe efektin: luan me trokitësen e vat duke e shoqëruar me zë. Mëson të lëshojë tinguj duke ndryshuar formën e gojës. Gjatë kësaj periudhe, mundohuni të mos komunikoni me ta në gjuhën e tyre por shqiptoni mirë fjalët, pasi është pikërisht atëherë kur ata i fiksojnë fjalët ashtu siç i shqiptoni ju. Fëmija mund të qëndroj vetë ulur. Në pozicion të ulur, përpiqet që të kap objekte të tjera që ndodhen pranë tij. Ruan ekuilibrin gjatë kohës që qëndron ulur fale forcimit të muskujve të barkut. Mund të zvarritet duke e ndihmuar trupin me shtytje të këmbëve.
Mund të filloni ti ushqeni ata me supë pule, më pas edhe me mish pule të përpunuar duke i dhënë mishit formën e puresë. Dhëmbët e poshtme fillojnë t’iu dalin gjatë muajit të gjashtë dhe të shtatë. Fillojnë t’iu kruhen dhe t’iu ënjten mishrat e dhëmbëve,
nervozimin e shkaktuar nga dalja e dhëmbëve e reflektojnë me të qara. Rrathët e veçantë të përpunuara me gomë të fortë të cilat përdoren për ti ndihmuar fëmijët gjatë kësaj periudhe për kruajtjen e mishrave të dhëmbëve nuk duhet të jenë të ngrira.