Artriti reumatoid është një sëmundje kronike dhe progresive autoimune, e cila shkakton inflamacion dhe dhimbje në nyje dhe indet përreth nyjeve. Inflamacioni fillon në membranën e kyçeve e cila i mbron dhe i mundëson ushqim kyçeve , kërcit dhe i bën ato më të lëngshme. Në kuadër botëror nga kjo sëmundje vuajnë 1 % e popullsisë dhe raporti femër mashkull është 3:1. Ekzistojnë dy lloje: faza e fillimit: tek e cila simptomat zgjasin më pak se 3 muaj, si dhe artrit reumatoid i diagnostikuar tek i cili ekzistojnë simptomat e inflamacionit dhe ënjtja e kyçeve.
Për simptomat më të shpeshta të cilat nuk duhet t’i lini mbas dore, si dhe për trajtimin dhe shërimin e tyre, do të bisedojmë me Prof. Dr. Mane Gërlickov, reumatolog në Spitalin klinik “ Acibadem Sistina”.
Cilat janë simptomat e fillimit?
Personat të cilët vuajnë nga artriti reumatoid shpesh ndihen të pafuqishëm, nuk kanë energji, djersiten, nuk kanë oreks, humbasin peshë trupore, si dhe ju shkatërrohet edhe ritmi i gjumit. Këto simptoma shfaqen edhe nga sëmundje të tjera, dhe nuk do të thotë se pacienti vuan nga artriti reumatoid , në qoftë se nuk shfaqen simptomat e para të njohura të kësaj sëmundje. Personat të cilët vuajnë nga artriti reumatoid, zgjohen me kyçe të ngurtësuara (blokuara), dhe pas një periudhe të caktuar, pasi të keni lëvizur nga pak dhimbja fillon dhe zhduket. E njejta gjë ndodh edhe mëngjesin tjetër, dhe me kalimin e kohës dhimbjet bëhen më të vështira, më të forta dhe të qëndrueshme.
Ku shfaqet më shpesh dhe cilat janë nyjet të cilat goditen më tepër?
Zakonisht shfaqet tek gishtat, kyçet e duarve, këmbët dhe gjunjët, por mund të prekë çdo kyç tjetër të trupit. Artriti shpesh është simetrik, psh: nëse kyçi i dorës së majtë është i prekur nga artriti shpesh preket edhe kyçi i dorës së djathtë. Disa pacientë janë të prekur vetëm në disa nyje të trupit, disa të tjerë të prekur nga kjo sëmundje janë një numër i madh i nyjeve (kyçeve).
Si diagnostikohet?
Reamatologu për të diagnostikuar sëmundjen dhe për të bërë planin e trajtimit, fillimisht ka nevojë të kryej kontrollin dhe të bëjë analizat e nevojshme si dhe radiografi. Në bazë të simptomave dhe rezultatet e analizave të kryera nxirret dhe diagnoza. Trajtimi është individual, përfshin një kombinim ilaçesh, pushim dhe kryerje ushtrimesh të lehta. Vetëm me zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje dhe trajtimin e duhur, mund t’i mbroni kyçet tuaja nga shkatërrimi total.
Cilët janë faktorët e rrezikut dhe sit ë përballeni me këtë sëmundje?
Faktor rreziku i artritit reumatoid është historia familjare e kësaj sëmundje, mosha, duhani, si dhe konsumimi i më shumë se tre filxhanë kafe në ditë. Rekomandimet e përgjithshme për parandalimin e kësaj sëmundje është mbrojtja ndaj infeksioneve dhe mënyra e të jetuarit shëndetshëm. Nëse tashmë sëmundja është shfaqur, atëherë në mënyrë të detyrueshme duhet të kontrollohet inflamacioni dhe të parandalohen dëmtimet e mëtejshme të kyçeve.
A mund të ndikohet gjatë sëmundjes?
Dhimbjet e kyçeve mund t’i lehtësoni nëse kryeni ushtrime të lehta. Shpesh ushtrimet mund t’a rëndojnë paksa situatën pasi ndjeni dhimbje në kyçe, por mos u dorëzoni. Rekomandohen ushtrime të lehta për forcimin e muskujve, sporti i notit ose ushtrime të lehta aerobike. Duhet t’i shmangni ushtrimet e rënda dhe të vështira, pasi mund të lëndoni kyçet e sëmura ose t’a përkeqësoni gjendjen.
Cili është qëllimi i trajtimit dhe kur mund të kryhet trajtim kirurgjik?
Me trajtimin e duhur mënjanohet dhimbja, zvogëlohet inflamacioni, mbrohet struktura dhe funksioni i kyçeve, kontrollohen sistemet e ndryshimeve, si dhe përmirësohet cilësia e mënyrës së jetesës së pacientëve. Trajtimi kirurgjik i pacientëve të cilët vuajnë nga artriti reumatoid, mund të kryhet tek pacientët të cilët kanë kyçe të dëmtuara rëndë. Me ndërhyrje kirurgjike realizohet artroplastikë ose zëvendësimi total i kyçeve.
6 simtomat e artritit reumatoid të cilat nuk duhet t’i lini mbas dore
1. Ndjeni ngurtësi në mëngjes apo ndjeni sikur disa gjilpëra ju shpojnë kyçet tuaja
2. Paaftësi për të mbyllur pëllëmbën e dorës
3. Skuqje, nxehtësi dhe ngurtësi rreth kyçeve
4. Shfaqje të noduleve nën lëkurë
5. Lodhje, dobësi dhe humbje të peshës trupore
6. Temperaturë të lartë dhe shenja të infeksionit