Mungesa e gjumit nuk është arsyeja e vetme që njerëzit të ndihen të lodhur dhe të rraskapitur. Ja disa veprime të këqija të përditshme të cilat j’ua marrin energjinë.
Konsumoni më tepër ujë
Madje edhe sikur të jeni pak të dehidratuar, veçanërisht nëse në organizëm keni vetëm 2% më pak se sasia e kërkuar e lëngjeve, kjo është një arsye e mjaftueshme për t’u ndjerë të lodhur. Dehidratimi shkakton reduktim në volumin e gjakut për shkak të trashjes së tij, kështu oksigjeni dhe lëndët ushqyese vijnë më ngadalë në muskuj dhe në indet e trupit.
Keni mungesë të hekurit
Mungesa e hekurit mund të shkaktojë një ndjenjë plogështie, nervozizmi, lodhje dhe zvogëlon përqendrimin. Ndjeni lodhje pasi një sasi më e vogël e oksigjenit udhëton nëpër enët e gjakut. Trupi ynë mund të marrë hekur me anë të konsumit të mishit të viçit, bizeles, tofusë, vezës, perime gjethe jeshile të errët, fruta të thata, dhe të gjitha ato ushqime të cilat janë të pasura me vitaminë C , pasi ajo përmirëson absorbimin e hekurit.
Mos i kapërceni mëngjeset
Ushqimi është karburant për trupin, edhe kur flini trupi vazhdon të përpunojë ushqimin të cilin e keni marrë gjatë darkës. Prandaj, kur zgjoheni në mëngjes ju përsëri keni nevojë t’ a furnizoni trupin tuaj me ushqim. Nëse e kapërceni mëngjesin do të ndiheni të ngathët. Mëngjesi duhet të përfshijë yndyra të shëndetshme, drithëra dhe protein pa yndyrë.
Shmangni ushqimin e shpejtë
Ushqimet të cilat janë të mbi ngarkuara me sheqer dhe karbohidrate të thjeshta të cilat mund t’i gjeni nëpër restorante me ushqim të shpejtë kanë një indeks të lartë glikemik, i cili mund të jetë një tregues i rritjes së shpejtë të sheqerit në gjak. Luhatjet e vazhdueshme të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë lodhje gjatë ditës. Një zgjedhje e mire e ushqimit do të ishte mishi i pulës, orizi integral, salmoni, patatet e reja, sallata, frutat, etj.
Mos shikoni vetëm anët negative të gjërave
Ndoshta ju duket e çuditshme, por faktori psikologjik ndikon tepër në forcën fizike. Sa herë që shefi juaj ju thërret në një bisedë, mendoni se do t’ju përjashtojë nga puna. Nuk ngisni biçikletë pasi mendoni se do t’ju përplasë makina. Në çdo situatë mendoni dhe prisni më të keqen. Kjo gjë mund t’ju “paralizojë” dhe t’ju lodhë psikologjikisht.