Jemi dëshmitarë se gjithnjë dhe më shpesh shikojmë fëmijë me rritje të peshës trupore, ndërkohë që arsyeja kryesore për këtë është mungesa e ushtrimeve dhe të ushqyerit në mënyrë jo të rregullt. Në lidhje me këtë situatë, prindërit janë ata të cilët duhet të jenë përgjegjës dhe shembull për fëmijët e tyre dhe duhet ti inkurajojnë që të bëjnë një jetë të shëndetshme. Shëndoshja tek fëmijët nuk është vetëm problem estetik. Hulumtimet kanë treguar se fëmijët me peshë trupore të rritur, kur të rriten do të jenë më pak të sigurt dhe të papjekur emocionalisht dhe me vetëbesim të ulët. Përveç kësaj, shëndoshja rrit rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve mes të cilave edhe sulmin në zemër dhe sëmundjet në gjak.
Vendosni qëllime reale dhe mos prisni që fëmija të humbasë peshë për një javë. Mësojeni dhe nxiteni atë që të kryej ushtrime, nxirreni shëtitje, ngisni sëbashku biçikletë, regjistrojeni në ndonjë grup sportiv të cilin fëmija do ta zgjedh vetë.
Gjatë ditës duhet të hajë tre vakte kryesore dhe dy herë ndërmjet vakteve. Nxiteni fëmijën që të konsumojë fruta dhe perime të freskëta,lëngjet duhet ti zëvendësojnë me ujë, ndërsa bukën e bardhë me të zezë. Ndërmjet vakteve, në vend të patatinave dhe kroasantëve, duhet të konsumojnë bajame, lajthia, arra ose fruta të thata.
Mbani mend, ju duhet të jeni shembull për fëmijën tuaj. Ashtu siç silleni dhe ushqeheni ju ashtu kërkon edhe fëmija. Asnjëherë mos i mënjanoni ushqimet e gatuara në shtëpi, pasi ato kanë treguar se ndihmojnë në zvogëlimin e e obezitetit (shëndoshjes së tepërt) tek fëmijët.
Në rast se nuk arrini të përballeni me këtë fakt, nëse fëmija në vend që të dobësohet vazhdon të shëndoshet më tepër, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun pediatër.