Si ta reduktoni dhimbjen e shpinës

Përmirësoni mënyrën e fjetjes

Dhimbja e shpinës mund të jetë një arsye shtesë për vështirësitë të cilat i përjetoni gjatë fjetjes. Ky është një rreth, sepse nëse ju nuk mund të flini mjaftueshëm gjatë natës do të keni më tepër dhimbje të shpinës gjatë ditës. Prandaj, mundohuni që të flini të shtrirë në anë, dhe në mes të këmbëve vendosni jastëk për ta mbajtur shtyllën kurrizore në pozicionin e duhur. Nëse flini të shtrirë me kurriz, vendosni jastëk nën gjunjë. Është vërtetë e rëndësishme që të flini në një dyshek të rehatshëm dhe anatomik.

Mos qëndroni shumë gjatë para kompjuterit

Të qëndruarit gjatë para kompjuterit përkeqëson gjendjen dhe shkakton dhimbje në shpinë. Prandaj, përpiquni të bëni pushim dhe ta drejtoni trupin. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që gjatë qëndrimit ulur para kompjuterit ta mbani trupin drejtë, në pozicionin e duhur. Mos e përthyeni tepër trupin drejtë tastjerës, qëndroni drejtë, relaksoni supet, dhe mbështeteni trupin në karrige. Këmbët vendosini mbi dysheme.

Konsultohuni me një terapeut të mjekësisë fizike

Me qëllim për të reduktuar dhimbjen e shpinës, konsultohuni me një terapeut të mjekësisë fizike. Ai do t’ju shpjegojë se si duhet të uleni, qëndroni dhe të lëvizni në mënyrën e duhur, që shtylla kurrizore të marrë pozicionin e duhur dhe të mos shkaktojë dhimbje shtesë. Do t’ju rekomandojë ushtrime të veçanta, specifike të cilat shërbejnë për forcimin e muskujve të shpinës. Studimet kanë treguar se forcimi i muskujve në mënyrë të konsiderueshme ndihmon në zvogëlimin e dhimbjeve, por për këtë duhet kohë.

Edhe të qëndruarit shtrirë mund të shkaktojë dhimbje

Edhe pse mjekët rekomandojnë pushim, nuk duhet të qëndroni shtrirë shumë gjatë në shtrat. Ajo është gjëja me e keqe që mund të bëni. Është shumë e rëndësishme që të ngriheni dhe të filloni të lëvizni ngadalë. Është treguar dhe provuar se kryerja e ushtrimeve është një nga mënyrat më efektive për ta larguar dhimbjen në një kohë të shkurtër. Provoni të notoni, të ecni apo të ushtroni joga (yoga).

Bëni kompreso të ftohta/ngrohta

Kompresot e ftohta në atë pjesë të shpinës në të cilën ndjeni dhimbje mund të ndihmojnë në zvogëlimin e saj. Vendosni kompreso për 20 minuta në vendin ku ndjeni dhimbje. Pas disa ditësh vendosni kompreso të ngrohta. Kompresot e ngrohta ndihmojnë për të çlodhur muskujt dhe për të përshpejtuar rrjedhën e gjakut. Të kryerit banjë me ujë të ngrohtë, gjithashtu ndihmon për tu relaksuar.

Masazhi

Studimet kanë treguar se një masazh në javë mund të japë rezultate të shkëlqyera përsa i përket dhimbjeve kronike, sigurisht, nëse e praktikoni për disa javë me rradhë. Kujdesuni që masazhi të kryhet nga një fizioterapeut profesional, për të shmangur në këtë mënyrë probleme të mëtejshme.

Shpërndaj