Në analizat e rregullta laboratorike doktori ju thotë se keni kolesterol apo rritje të yndyrës në gjak. Menjëherë ju shfaqen pyetje të panumërta, nëse është kjo diçka e rrezikshme dhe çfarë duhet të bëni.
Këtu ju do të gjeni përgjigje për pyetjet më të zakonshme në lidhje me kolesterolin:
Çfarë është kolesteroli?
Kolesteroli është një substancë yndyrore e cila kryesisht prodhohet në trup. Këtë substancë e lëshon mëlçia nga yndyrërat e ngopura të marra nëpërmjet ushqimit. Kolesteroli luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e çdo qelize në trup. Kjo përfaqëson lëndën bazë nga e cila trupi lëshon dhe lëndë të tjera të nevojshme. Kolesteroli i tepërt në gjak, mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës! Kolesteroli ka një sistem të veçantë transportimi për të arritur në çdo qelizë për të cilën ka nevojë. Ai e përdor qarkullimin si ‘rrugë’ dhe e transportohet nga ‘bartësit’ të ndërtuar nga proteinat. Këto kombinime të kolesterolit dhe proteinave quhen lipoproteina.
Ka dy lloje kryesore të lipoproteinave:
– Lipoproteina me trashësi të ulët (LDL) të cilat e dërgojnë kolesterolin nga mëlçia tek qelizat.
– Lipoproteina me trashësi të lartë (HDL) të cilat e rikthejnë kolesterolin e tepërt në mëlçi.
Ndoshta ju e keni dëgjuar dhe termin lipidet e gjakut. Kështu quhen të gjitha substancat yndyrore në gjak duke përfshirë kolesterolin HDL, LDL dhe trigliceridet.
Nëse keni sasi të lartë të kolesterolit dhe të triglicerideve në gjak, atëherë ju keni rrezik më të lartë për shfaqjen e sëmundjeve koronare të zemrës. Rreziku është akoma më i lartë nëse ju keni dhe vlera të ulëta të kolesterolit HDL.
Sa duhet të jenë vlerat e lipoproteinave a (Lp a)?
Vlerat e Lp (a) janë të paracaktuara gjenetikisht. Përqëndrimi i tij në serum tregon variacione të mëdha individuale që lëvizin nga 0,01 – 2,0 g/l. Përqëndrimet e Lp (a) më të mëdha se 0,30 g/l , në plazmë, janë të lidhura me rritjen e dyfishtë të rrezikut koronar, apo me rritjen e pesfishtë të rrezikut të infarktit në zemër, nëse është i lidhur me rritjen e përqëndrimit të LDL.
Personat të cilët kanë vlera të larta të Lp (a) kanë një tendencë në rritje për trompozë për shkak të rolit të saj në sistemin e koagulimit (mpiksjes) të gjakut .
Cili është roli i kolesterolit në sëmundjet koronare të zemrës?
A më i lartë të jetë niveli i kolesterolit, po aq më e shpejtë është formimi i ateromës, bashkë me të edhe rreziku i sëmundjeve kardiake. Rreziku juaj i përgjithshëm për infarkt në zemër, rritet nëse ju keni dhe faktorë të tjerë të rrezikshëm ( vlera të parregullta të sheqerit në gjak, pirja e duhanit, tensioni i lartë apo pasivitet fizik). Sa më tepër faktorë të rrezikshëm të keni, po aq më i madh është rreziku i infarktit apo i sëmundjeve të zemrës.
Cilat janë vlerat e dëshiruara të kolesterolit në gjak?
Kolesteroli total 5,0 mmol/ l
Kolesteroli LDL < 3,0 mmol/ l
Kolesteroli HDL > 1,0 mmol/ l
Trigliceridet < 2,0 mmol/ l
Çfarë duhet të bëni për ti arritur këto vlera, dhe të parandalojmë shfaqjen e sëmundjeve koronare dhe infarktit në zemër?
Ndryshimet e mënyrës së jetesës të cilat mund ta parandalojnë këtë sëmundje janë : ushqimi i shëndetshëm dhe kontrolli i peshës trupore, ndërprerja e duhanit, dhe rritja e aktivitetit fizik. Duhet të bëni kontrolle preventive kardiologjike para shfaqjes së simptomave.