TAVI – zëvendësimi i valvulës së zemrës pa prerje

TAVI është një nga intervenimet më të reja të kardiokirurgjisë, me anë të së cilit bëhet zëvendësimi i valvulës aortale pa prerje (pa hapje të gjoksit). Kjo për pacientin do të thotë qëndrim më të shkurtër në spital, shërim më të shpejtë dhe mundësi minimale për shfaqjen e komplikimeve. Pas intervenimit, pacientët nuk kanë nevojë të marrin terapi antikoagulante. Më tepër informacion në lidhje me këtë ndërhyrje revolucionare do të marrim nga Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq, shef i departamentit të kardiokirurgjisë në “Acibadem Sistina”.

Tek cilët pacientë zbatohet TAVI?

Revolucioni i kësaj metode është për shkak të avantazheve të shumta për pacientët, por benefiti më i madh është fakti se me anë të kësaj metode mund të shpëtoni jetën e pacientëve të cilët vlerësohen si pacientë me rrezik të lartë përsa i përket kryerjes së intervenimit klasik me hapje të gjiksit, për shkak të pranisë së sëmundjeve të tjera shoqëruese. Një grup tjetër i pacientëve tek të cilët rekomandohet kryerja e këtij intervenimi janë pacientët e moshuar, pasi mosha është shkaku i komplikimeve të mundshme dhe vdekshmërisë gjatë kryerjes së operacionit kardiak klasik.

Si zbatohet?

Me anë të këtij operacioni bëhet zëvendësimi i valvulës aortale në të njejtën mënyrë siç kryhet kateterizimi i zemrës. Zakonisht kryhet duke vendosur kateterën në arterien e këmbës (arteria femoralis)  e cila mbërrin deri tek valvula e sëmurë. Me anë të mekanizmit të veçantë, valvula e mëparshme e cila është e sëmurë shtypet dhe në vënd të saj implantohet valvula e re funksionale. E gjithë ndërhyrja ndiqet me anë të një monitori me ndihmën e teknologjisë së rrezeve X. Valvula e re është e bërë nga material biologjik natyral, gjë  e cila garanton jetëgjatësi të valvulës  dhe funksion të pandërprerë të saj. Procedura është pothuajse identike me vendosjen e stentit  në enën e gjakut të ngushtuar. I gjithë intervenimi zgjat më pak se një orë, ndërkohë që pjesa kryesore përfundon për 40 minuta.

Avantazhet e intervenimit

Për zëvendësimin e valvulës me anë të kirurgjisë klasike nevojiten rreth katër orë, më pas  pacienti kalon në qarkullim artificial dhe është në anestezi të përgjithshme. Koha e shërimit pas ndërhyrjes zgjat gjashtë deri në tetë javë. Intervenimi TAVI  mund të kryhet nën ndikimin e anestezisë lokale ose të përgjithshme, dhe kërkon më pak se një orë, nuk bëhet me anë të hapjes së gjoksit, dhe pacientët largohen nga spitali  vetëm pas disa ditësh, ndërkohë që shërimi i plotë i pacientit  pritet të arrihet pas një ose dy javësh. Një avantazh tjetër është se valvula e dëmtuar zëvendësohet me një valvul të re biologjike e cila i mundëson pacientit  të mos ketë nevojë për marrjen e terapisë për koagulimin e gjakut.

Sëmundja e valvulave të zemrës mund të shkaktoj infarkt në zemër

Funksionimi normal i valvulave të zemrës lejon që gjaku të rrjedhë në drejtimin e duhur me një shpejtësi të caktuar dhe në kohën e duhur. Ndryshimet patologjike të cilat prekin valvulat e zemrës ndikojnë në funksionin e tyre duke i bërë ato të ngushta dhe të forta gjë e cila pengon hapjen dhe mbylljen e tyre të plotë. Ky funksion i parregullt ndikon në rrjedhën e gjakut (duke shkaktuar kthim ose ndalim të rrjedhës së gjakut). Ky problem mund të ndikojë në muskulin e zemrës dhe të shkaktoj dobësimin e saj. Mbajtja e gjakut shkakton rritjen e zemrës  duke e dëmtuar funksionin e saj. Barkushet e zemrës dhe atriumi pengojnë rrjedhën normale të gjakut, gjatë së cilës rritet rreziku i krijimit të koagulimit (mpiksjes së gjakut). Një gjendje e tillë mund të shkaktojë embolizëm në mushkëri ose në tru (goditje në tru). Prandaj, zbulimi dhe trajtimi në kohë i këtij problemi është tepër i rëndësishëm.

Shpërndaj