Trajtimi mikrokirurgjikal i hernies diskale lumbale

Discektomia është një procedurë kirurgjike e cila nënkupton heqjen e dëmtuar të diskut. Ky dëmtim shkakton irritim dhe presion mbi nervat përreth, kjo është dhe arsyeja përse pacientët ndjejnë dhimbje, ngurtësim apo dobësi. Simptomat mund të shfaqen në pjesën e poshtme të shpinës, ose në pjesën e këmbëve. Pjesa më e madhe e personave të cilët i ndjejnë këto simptoma, mund të çlirohen prej tyre me anë të trajtimit konzervativ – me ilaçe ose me terapi fizikale. Nëse trajtimi konzervativ nuk ju ndihmon, atëherë rekomandohet trajtimi kirurgjik – discektomia.  Sipas Prof. Dr. Kirill Llozanço, neurokirurg në spitalin klinik “Acibadem Sistina”, ekzistojnë disa teknika, por kohët e fundit tek ne aplikohet kirurgjia e hapur  minimalisht invazive, me përdorimin e mikroskopit me qëllim për të pasur një pamje vizuale më të mirë. Avantazhi i kësaj metode është fakti se operacioni bëhet me prerje më të vogël, shërimi pas operacionit është më i shpejtë, dhe pacienti për një kohë të shkurtër mund të kthehet në shtëpi.

Kur kryhet?

Kjo ndërhyrje kryhet për të reduktuar presionin që shkakton disku  mbi nervat. Mjeku mund t’jua  rekomandoj këtë intervenim edhe nëse:

  • Keni problem me qëndrimin në këmbë ose me ecjen
  • Nuk ndjeni përmirësim pas trajtimit konzervativ
  • Nëse keni problem me urinimin
  • Keni dhimbje të padurueshme në këmbë apo në pjesën e poshtmme të shpinës (në mes).

Gjatë intervenimit

Discektomia e hapur kryhet nën anestezi të përgjithshme. Bëhet me prerje prej 2-3 cm në lëkurë. Ndonjëherë hiqet pjesë e indit kockor, për një pamje vizuale më të qartë të diskut, pa e dëmtuar rrënjën nervore. Kjo quhet laminektomi ose laminotomi. Pasi të jenë vizualizuar qartë laminat e vertebrës, disku dhe zona  përreth, hiqet ose mënjanohet pjesa e diskut  e cila është  zhvendosur nga muri diskal, si dhe pjesë të tjera të cilat dalin jashtë hapësirës diskale. Në këtë pjesë të operacionit, në spitalin tonë përdorim në mënyrë rutinore një mikroskop operativ i cili ofron më tepër ndriçim dhe zmadhim apo rritje të pamjes në këtë fushë. Në këtë mënyrë mundësohet një mbrojtje më e mirë e rrënjës nervore. Gjatë 6 muajve të fundit është futur edhe metoda e monitorimit neurofiziologjik (ndjekja e funksionit të rrënjës nervore), kështu që kemi një mbojtje të dyfishtë gjatë manipulimit të rrënjës nervore.

Pas intervenimit

Pas zgjimit nga anestezia , pacientit i sugjerojmë të fillojë të lëvizë më herët, përafërsisht pas 6 orësh nga përfundimi i procedurës. Ekipi ynë i terapisë fizikale fillon të merret me pacientin duke filluar nga dita e nesërme, duke e ndihmuar pacientin që të shërohet më shpejtë dhe duke i shpjeguar atij disa masa të cilat duhet të marrë pacienti gjatë kryerjes së lëvizjeve, ngjitjes së shkallëve, uljes, ngritjes nga shtrati, apo si duhet të dalë nga makina. Sigurisht, pacienti duhet të kryej edhe disa ushtrime të veçanta në shtëpi.

Pasi pacienti të ketë mbërritur në shtëpi, dhe zakonisht kjo ndodh pas 24-48 orësh pas përfundimit të operacionit, mund të ketë disa kufizime të vogla si: të qëndrojë ulur për një kohë të shkurtër, nuk duhet të ngrejë pesha të rënda më tepër se 2 kg, nuk duhet të bëjë tërheqje (gjatë shtrirjes) të trupit të paktën 4 javë pas operacionit. Shumica e pacientëve mund të rikthehen në vendin e tyre të punës pas 4 javësh.  Ndërsa ata persona të cilët bëjnë punë të rënda fizike, me ngritje peshash etj, rikthehen në punë pas 8 javësh.  Pas kësaj ndërhyrje, pjesa më e madhe e pacientëve çlirohen nga  dhimbja.

Shpërndaj