Qelizat e sistemit qendror nervor, rriten dhe shumohen sipas një rregulli të caktuar dhe të kontrolluar. Në raste të caktuara, kur ky proces del jashtë kontrollit, qelizat shumohen në mënyrë të pakontrolluar, duke krijuar një masë tumori. Si dhe të gjitha tumoret tjera, tumoret në palcën kurrizore mund të jenë beninje ose malinje. Tumoret beninje rriten ngadalë dhe janë të kufizuara, simptomatologjia e tyre zhvillohet gradualisht dhe në mënyrë progresive. Tek tumoret malinje qelizat shumohen në mënyrë të pakontrolluar dhe shpejtë dhe e infiltrojnë edhe indin fqinj, e me këtë japin simptomatologji të shpejtë zhvillimore neurologjike.
Sipas lokalizimit, tumoret e palcës kurrizore und të jenë:
Intramedulare – tipi i këtillë i tumorit lokalizohen në vet indin e palcës kurruzire. Ekzistojnë më shumë tipa, mes të cilave më të shpeshtë janë astrocitoma dhe ependimoma.
Intradurale – ekstramedulare – të vendosura mes mbështjellësit dhe vetë palcës kurrizore. Meningiomat janë tumore më të shpeshta të këtij lloji, të ndjekur nga neurinomet. Tumoret ekstramedulare janë të vendosur jashtë mbështjellësit të palcës kurrizore dhe shpesh janë tumore metastaze ose sekondare.
Sekondare – ndodh që tumori malinj të lokalizohet në një pjesë tjetër të trupit dhe të përhapet në palcën kurrizore ose në strukturat fqinje – trupin unazor ose muskulaturën fqinje. Këto tumore bëjnë presion mbi palcën kurrizore dhe shumë shpejt e japin simptomatologjinë e tyre. Trajtimi varet prej asaj se prej cilës pjesë të trupit e ka origjinën, pasi që tumori sekondar reagon në trajtimin e njëjtë, ashtu si reagon tumori prej të cilit është paraqitur. Në rastet kur tumori sekondar e përfshinë palcën kurrizore mund të bëjë presion mbi palcën kurrizore dhe nervat. Kjo mund të sjellë deri te çrregullimi i funksionit të nervave. Trajtimi i tumoreve sekondare përfshinë terapi operative, steroide dhe me rrezatim. Qëllimi i kësaj terapie është t zvogëlohet tumori dhe të lirohet presioni që e kryen. Pas lirimit të presionit, trajtimi më tej varet prej lokalizimit të tumorit sekondar.
Meningioma spinale – gjendet në kanalin kurrizor dhe krijohet prej qelizave të mbështjellësit të palcës kurrizore. Simptomat që paraqiten prej këtij lloji të tumorit janë: dhimbja, plogështia dhe çrregullim në trup nën lokalizimin e tumorit. Diagnoza që vendoset me kontrollin klinik është rezonanca magnetike. Trajtimi bëhet përmes mënjanimit mikrokirurgjik të meningiomës. Me intervenimin kirurgjik tumori hiqet tërësisht pa dëmtime plotësuese të indit të shëndetshëm. Nëse diagnostikohet me kohë, kurimi pas operacionit është i tërësishëm. Shumë rrallë paraqitet forma malinje e meningiomës.
Nevroma spinale – gjendet në kanalin kurrizor, krijohet pre qelizave të rrënjëve nervore të cilat dalin prej boshtit dhe bashkëngjiten me atë. Simptomat që paraqiten gjatë këtij lloji të tumorit janë dhembja, plogështia dhe mpirje në pjesën e trupit ku gjendet tumori. Diagnoza vendoset me rezonancë magnetike. Trajtimi është heqja kirurgjike e nevromës. Ky lloj i tumorit mjekohet me intervenim mikrokirurgjik, me heqjen e tij të tërësishme. Shumë rrallë paraqitet forma malinje.
Glioma e palcës kurrizore – gjendet në brendinë e palcës kurrizore, Shumë shpesh bashkë me ato ka edhe prezencë të cisteve në palcën kurrizore. Simptomat janë të njëjta si edhe te llojet tjera të tumorit: dhembje, plogështi dhe mpirje në pjesën e trupit ku gjendet tumori. Diagnoza vendoset me rezonancë magnetike, gjatë së cilës duhet të përjashtohet mundësia se bëhet fjalë për multipleks sklerozë ose forma të ndryshme të mielitit (inflamacion i palcës). Astrocistomet kanë mundësi më të madhe të infiltrohen, prandaj disa prej këtyre tumoreve nuk mund të hoqën tërësisht. Nëse zbulohen me kohë dhe nuk bëjnë infiltrim të madh, pas operacionit, kurimi është i tërësishëm. Forma malinje te këto tumore është më e shpeshtë dhe paraqitet në formë të astrocistomës anaplastike.
Trajtimi
Trajtimi i tumoreve të palcë kurrizore varet prej shumë faktorëve: mosha, gjendja shëndetësore, madhësia dhe lokalizimi i tumorit etj. Mjeku juaj pasi që do t’i bëjë të gjitha ekzaminimet do ta zgjedhë mënyrën më të mirë për trajtimin e tumorit. Qasja multidisiplinore në trajtimin e këtij lloji të tumorit ka rëndësi të madhe për trajtimin efikas, si dhe cilësinë e jetës pas kryerjes së intervenimit. Qëllimi kryesor i trajtimit kirurgjik është të hiqet tumori, gjatë kësaj pa u dëmtuar indi nervor i shëndetshëm dhe pa u çrregulluar stabiliteti i boshtit kurrizor. Në rastet kur ka mundësi të hiqet tumori, ai hiqet tërësisht. Nëse nuk ekziston mundësia për heqjen e tërësishme, në atë rast hiqet vetëm një pjesë e masës së tumorit. Me qëllim që të zvogëlohet presioni që e krijon tumori mbi kanalin spinal realizohet intervenimi – laminektomi dekompresive dhe plastikë e mbështjellësit të paçes kurrizore.